Rexh Uka, kërkuesi shkencor që përfaqëson Italinë, me zemrën te Shqipëria

Një kërkues shkencor nga Durrësi ka përfaqësuar një muaj më parë Italinë  në një nga takimet më të rëndësishme ndërkombëtare me “Reprasentative Young Leader”. 

 

Djaloshi që është paraqitur në Summitin e udhëheqësve të rinj të në Luksemburg edhe me flamurin tonë kombëtar në zemër, pohon se bashkë me vendin ku u formua, Italinë, ka përfaqësuar në takimin 1-javor edhe Shqipërinë.

“Një motiv krenarie, për vendet tona që shkojnë drejt integrimit”, shkruan Rexh Uka, 30-vjeçari, që u përzgjodh nga komisioni i Luksemburgut mes 5500 kandidaturave të të rinjve italianë.  Mjaft e nxehtë edhe tema e këtij Sumiti, që zhvillohej në të njejtën kohë me atë të ministrave të Jashtëm të këtyre vendeve, tema e punësimit të të rinjve. “Kemi punuar pa pushim, një javë. Po presim që propozimet tona të mirëpriten nga ministrat përkatës të Bashkimit Evropian”, vlerëson Rexhi.

Rexh Uka, kërkuesi shkencor nga Durresi që përfaqëson Italinë (1)Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për shqiptarin e dashuruar pas kërkimit shkencor, jeta e të cilit përveç Shqipërisë ka si stacione edhe Zvicrën, Italinë dhe SHBA. I pëlqen të lexojë, të shkruajë e të udhëtojë. “Deri tani kam parë 30 vende, thotë. Më pëlqen të shëtis akoma: të njoh kultura, histori, njerëz të ndryshëm”. Pastaj shton: “Jo, nuk humbas kohën e punës, e bëj nga koha e gjumit. Për fat të keq, flej vetëm 5 orë në natë”.

I dashuruar me punën e tij kërkimore për sëmundjen e kancerit, ai shquhet edhe për idetë në fushën e sipermarrjes, ide që janë vlerësuar në konkurimet kombëtare e ndërkombëtare. Rexh Uka nuk di të ndalojë, sepse siç pohon vetë “kush kënaqet me pak, vdes”. Megjithëse jeta e tij ka qenë dhe vazhdon të jetë e mbushur në çdo hap me sakrifica, ajo ngjason me skenaret e filmave hollivudianë me “happy end”.

Fëmijëria ndryshe

Rexh Uka, kërkuesi shkencor nga Durresi që përfaqëson Italinë (2)Iliri dhe Neri, që të dy mësues, janë nisur drejt Italisë me një motopeshkatore në shtator të vitit 1991. Motivi i vetëm ishte shëndeti problematik i djalit të vetëm, Rexhit. Ata lanë në Durrës, vajzën më të vogël, Adën, dhe bashkë me Rexhin 6-vjeçar u nisën drejt së panjohurës. Dr. Giovanni Neri, drejtor i spitalit të fëmijëve “Bambin Gesu’” në Romë, ishte njohur, falë dajës së vogëlushit, me rastin gati të pashpresë të pacientit nga Durrësi, i cili vuante një sëmundje agresive në kockë. Pas spitaleve në atdhe do të niste një tjetër kalvar i gjatë shumëvjeçar.

Sot, 24 vjet më vonë, Rexhi, që mban emrin e gjyshit të tij, Rexhep Uka, do ta kujtojë kështu pjesën më të vështirë të jetës së tij: “Fëmijeria ime nuk ishte e lumtur, përkundrazi. Prindët e mij, bënë një zgjedhje shumë të guximshme për të më shpëtuar dhe ia dolën. Unë jam rritur nëpër spitale: aty kam bërë miqtë e parë, kam festuar ditëlindjet, aty kam mësuar italishten. Kujtoj çdo gjë me hollësi-vazhdon Rexhi. Kjo më bën ta shoh ndryshe botën sot”.

Familja e tij fillimisht vendoset në San Donato, një qytezë afër Romës. I jati, një nga këngëtarët e talentuar të viteve 1960 në Durrës, punon si murator për të mbajtur familjen. Njëlloj sakrifikon edhe e ëma, Nerimani, një nga mësueset e nderuara të fizikës në Durrës. Rreth tyre, njerëz të mirë, të cilët kur Rexhi ka shenjat e para të përmirsimit, i ofrojnë të jetojnë dhe punojnë në Brescia, në veri të Italisë. Me familjen bashkohet edhe Ada e vogël, të cilën për disa vite e rritën gjyshërit në Durrës.

Pacienti bëhet shkencëtar

Rexhi mbërrin në moshën universitare me rezultate të shkëlqyera, por synimi i tij nuk është mjeksia.  Studion Bioteknologji mjeksore në Universitetin e Studimeve në Padova, e po ashtu edhe në Institutin “Mario Negri” të Bergamos. I rritur mes mureve të spitalit, Rexhi, nuk e urren atë. Por, sidoqoftë, bindet se po të bëhej mjek do të ishte përfshirë emocionalisht në këtë profesion.

“Unë jam një “mi laboratori”, një kërkues shkencor – shkruan ai.

E punësojnë shumë shpejt në Institutin Onkologjik të Venecias, ku i përkushtohet studimeve të kancerit. Ndërkaq, mbërrin një ofertë pune nga SHBA. Djaloshi nga Durrësi punon për një vit në Comprehensive Cancer Center, (Universiteti Shtetëror i Ohajos), në Kolumbus, ku i ofrojnë edhe doktoraturën PhD.

Por, Rexhi ka plane të tjera. Nuk i pëlqen qyteti amerikan dhe vendos të konkurojë për të fituar të drejtën e studimeve në Universitetin e Zyrihut. Fiton vendin e parë mes 13 mijë konkurentëve dhe aktualisht frekuenton vitin e dytë të programit në Cancer Biology. Punon fort, por nuk heq dorë nga veprimtaritë sociale. Mban lidhjet me Italinë pranë, por vjen shpesh edhe në Durrës, në vendlindje. Beson në të ardhmen e Shqipërisë.

Në Itali fiton një çmim të rëndësishëm për idenë më të mirë të sipërmarrjes dhe përgatit një biznes pranë fushë së artit, ndërsa udhëheq në të njejtën kohë një komunitet studentësh italianë, me të cilët organizon udhëtime në 6 vende të Evropës. Por, ajo që I ka dhënë një impuls të ri jetës së Rexh Ukës ka qenë pjesmarrja në Summitin e Luksemburgut. Ka qenë një sfidë e shumëfishtë për djaloshin shqiptar që përfaqëson Italinë, por që edhe në tavolinën e rrumbullakët të bisedimeve mes liderve të rinj të Evropës dhe Azisë nuk harron të vendosë në gjoks shqiponjën e vendlindjes.

ATSH

Comment

*