Rexhep HOXHA (1929 – 2019)

Nehas Sopaj

Shkrimtari për fëmijë, Rexhep Hoxha, është një ndër shkrimtarët më të lexuar i yni. Marrë në përgjithësi, vepra letrare e tij shquhet me poezi lirike, poema humoristike dhe romane me një rrëfim që u ngjet përrallave. Si e tillë, kjo vepër është jashtëzakonisht e lexueshme dhe këtë e ndihmon natyra e zhdërvjelltë dhe e pasur me elemente folklorike që gjithmonë i ysht lexuesit për lexim. Shkrimtari merr dhe trajton tema dhe motive nga më të ndryshmet, dhe atyre u jep ide të mëdha të jetës, që i japin përgjigje realitetit, kohës së sotme dhe halleve të jetës në të cilën fëmijët kanë rol dhe ndikim të madh dhe që të gjitha këtyre çështjeve shkrimtari u rreket të merret me anë të mbarështrimit përrallor. Synimi i shkrimtarit është të krijojë shpresë për një jetë më të lumtur të fëmijëve, t’u përgjigjet nevojave të kompleksit kontradiktor të jetës, me synimin që e ardhmja e tyre të jetë e ndritshme për ta. Prandaj, si poezia ashtu edhe proza, ngjyroset me shumëllojshmërinë e temave realiste dhe imagjinative dhe ato mpleksen përmes fatit të personazheve që kryesisht kanë një sharm humoristik.

Rexhep Hoxha u lind në Gjakovë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërkaq degën e albanologjisë në Beograd. Një kohë punoi nëpër fshatra e qytete të ndryshme të Kosovës, pastaj një kohë punoi redaktor në Rilindje ku drejtonte faqet e Rilindjes për fëmijë, pastaj ishte redaktor në emisionet për fëmijë të Radio Prishtinës, dhe në fund ishte pedagog në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Universitetit të Prishtinës ku mbante lëndën letërsi për fëmijë ku edhe pensionohet. Me shkrime letrare për fëmijë, nis të merret që në bankat e para shkollore. Bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe botimet e ndryshme të Kosovës dhe të Maqedonisë si Pionieri, Rilindja për fëmijë, Gëzimi e Fatosi etj. Ndërkaq, shumë krijime të tij ribotohen në revistat Pionieri, Fatosi dhe Yllkat në Tiranë, në kohë kur edhe botoheshin në Prishtinë e Shkup. Librin e parë me vjersha për fëmijë e boton në vitin 1953 me titull Gjethe të reja. Pason botimi i veprave tjera siç është Picimimuli, vjersha dhe poema për fëmijë, 1956, Mbi krahët e fluturës, vjersha 1959, pastaj romani Lugjet e verdha, 1959, pastaj Vjersha, poezi 1953, Lulet e Frashnjetit, 1965, Pika vese, vjersha 1966, Gecatarët, tregime për fëmijë, 1969, Lulëzo vendi im, vjersha 1973, Zëri i pyllit, vjersha, 1974, Micimiri, poezi, 1976, Tokë trëndafilash, 1979, Pipireku, poemë humoristike, 1980, Verorja, roman, 1984, Zogu i qiellit, zgjedhje poezie, 1984, Nika e Kola, 1989, Kënga e Çupërliqes, 1989, Lugjet e verdha II, Zilja shkollore, 1994.

Poezia e Rexhep Hoxhës, edhe për nga titujt lidhet me moshën e hershme fëmijërore prej 7 deri 12 vjeçare dhe ajo përsërit disa forma dhe mënyra të ndryshme të shkrimit. Prandaj poezitë kryesisht lidhen me fazën e hershme fëmijërore që nga lindja dhe zgjat deri te mosha e ciklit të ulët, me pak modifikime, dhe ajo karakterizohet me llojlloshmëri invencioni krijues me trajta gjithnjë e më të reja të cilat sa shkon koha pasurohen dhe begatohen. Tema qendrore e librave me poezi të Rexhep Hoxhës në librat Gjethet e reja, Picimuli, Mbi krahët e fluturës, Lulet e Frashnjetit e deri te zgjedhja e poezive Zogu i qiellit, janë: fëmija vetë, kafshët, shkolla, familja, vendlindja, atdheu, Kosova etj. Në librin e parë me poezi, Gjethet e reja, e botuar në vitin 1953, shkrimtari i këndon vendlindjes, atdheut, kombit dhe fëmijëve. Libri ndahet në katër cikle: vjersha për LDB-në, pastaj cikli i vjershave për lirinë, vjershat për babadimrin si dhe vjershat për pionierët, pra pikërisht një korpus vjershash karakteristike për kohën kur shkruheshin vjersha të ndryshme entusiaste fëmijërore. Mësimi, shëndeti, shkolla, pastërtia etj., janë temat e preferuara të autorit që për herë të parë nuk e kishin elementin e moralizimit të fortë, siç tradicionalisht shkruhej në periudhën e Rilindjes.

Në librin me vjersha dhe poema Picimuli, ajo që dallohet, është parimi letrar i çliruar nga diktati i moralizimit të tepruar që shkrimtari e zëvendëson me anë të humorit dhe të satirës. Trillimi i personazhit fëmijë të emërtuar Picimuli, është forma më e gjetur e shkrimtarit që mësimi dhe edukimi të jenë mënyrat e rrëfyera prej së brendëshmi dhe jo të zhvillohen në forma të një pedagogjizmi vullgar çfarë ish trashëguar nga e kaluara. Shkrimtari e trillon Picimulin, një protagonist që bart tiparet e fëmijës së shkathtë, që bën gabime por që i pranon qortimet, që është i vyeshëm dhe i dëgjueshëm dhe që vjershë pas vjershe shndërrohet në prototip që lexuesit mund ta kenë model të tyre. Ai është i urtë e i zellshëm, i dëgjon këshillat e mësuesit dhe nuk është si Kaçel Mici (nganjëherë në libër e shofim edhe vetëm Mici), që është fëmijë lazdran dhe pa edukatë. Libri Picimuli bashkë me romanin Lugjet e verdha, me vite ka qenë në krye të listës së lektyrës shkollore. Në të janë disa nga poezitë më të njohura të Rexhep Hoxhës, siç është cikli për nënën me vjershat: Nënë oj nënë, Nëna ime punëtore, Nëna trimëreshë, etj.

Librat tjerë me poezi Vjersha, Mbi krahët e fluturës, Lulëzo vendi im, Lulet e Frashnjetit, Zilja e shkollës, Zëri i pyllit etj., shquhen me larminë e botës fëmijërore që krijon shkrimtari, botën reale dhe botën e ëndrrave të fëmijëve. Le t’i shofim poezitë realiste. Rexhep Hoxha në veprat e tij me poezi për fëmijë, me një dashuri dhe talent trajton motivin e atdheut, vendlindjen dhe atdhedashurinë që të shpeshtën identifikohet me Kosovën por edhe topose tjera shqiptare gjithandej ku janë shqiptarët. Të mbruajtur me një element folklorik, autori i këndon krenarisë kombëtare, dëshmorëve, heronjve të kohës së LDB- së por edhe kreshnikëve mesjetarë, këngëve liridashëse dhe këto i shofim në poezitë Drita e mendjes sonë, Gjuha shqipe, Lulëzo vendi im, Rritu vendi im etj. Të gjitha këto poezi, shkrimtari me mjeshtri di t’ua përcaktojë moshën të cilën siç e thamë, nuk shkon më tepër se në klasën e katërt të shkollës fillore dhe në to shkrimtari u këndon dëshirave të fëmijëve, të cilat zakonisht janë pa fund. Të shumta janë poezitë në të cilat poeti i shquan dëshirat e fëmijëve. Fëmijët duan të bëhen poetë, pilotë, muzikantë, piktorë, inxhinierë, mësues, etj., dhe në to shifet sensi i shkrimtarit që di t’i prekë mirëfilli ato dëshira të fjetura të fëmijëve, të cilat kanë edhe vulën e kohës.

Në të gjitha poezitë e poetit, shofim laryshinë e temave që në titujt e poezive; p.sh. poezitë Puna, Njeriu, Gjimnastika të cilat sikur flasin për natyrën e këtyre temave. Shkrimtari në të gjitha këto poezi, pothuaj në të gjitha përmbledhjet, me humor dhe satirë e zhvillon hartimin e tij letrar në një rrëfim të poetizuar që pothuaj përherë shoqërohet me një personazh fëmijë. Në të gjitha këto poezi, mirëfilli shifet elementi përrallor popullor. Këtë e dëshmojnë shumica e krijimeve, sidomos poezitë dhe poemat: Përralla mbi peshkatarin dhe miken e tij, Kamikumen, Dua t’ju them çka t’ju them, Përralla në krahët e erës, Hëngër fiq e vdiq, Gjel Kaçuta, Përralla për Dac përtacin etj. Me vargje me ritëm dhe rimë, që variron nga libri në libër dhe nga poezia në poezi, poeti me një fuqi ekspresive dhe tinguj melodiozë, gati tingëlluese me ngjyrë popullore, me thjeshtësi dhe qartësi, i krijon edhe këto poezi si edhe të gjitha poezitë e tij të tjera.

Sa të rëndësishme janë poezitë, edhe më me peshë janë edhe romanet e autorit tonë. Duke qenë njohës shumë i thellë i botës së fëmijëve, dhe duke qenë talent i rrallë me imagjinatë të bujshme për fëmijët, dhe sidomos duke patur një pajisje kulturore folklorikle, Rexhep Hoxha në tre romanet e tij është dëshmuar si shkrimtari më i lexuar shqiptar për fëmijë. Romani Lugjet e verdha i botuar dhe i ribotuar shumë heret, i futur disa herë në lektyra shkollore, ngel vepra më e realizuar dhe më e rëndësishme e shkrimtarit. Romani është sintezë e disa përrallave, më saktë përpunim i tyre, gërshetuar me imagjinatën dhe invencionin letrar të shkrimtarit. Temë qendrore e romanit është figura e fëmijës, personaliteti i tij, veçantia e tij si krijesa e vogël fizike që shpirtërisht mund t’i sharmojë edhe të rriturit me psecificitetin e tij, dhuntitë dhe vyrtytet që ka. Duke qenë një lloj romani simbiotik realist-fantastik, në rrëfimin e autorit realiteti e gëlltit fantastikën dhe krijon personazhin magjik, ndaj Shpendi bëhet prototip i heroit që nuk harrohet. Ai është bartës i ngjarjeve që më vete ngërthen të gjitha esencat e një të veçantë të figurës që s’harrohet lehtë, ai shembëllen me përkundjen e fantazisë së shkrimtarit dhe lexuesit sharmohen me figurën e tij në të cilën mplekset e tërë jeta me forcën e saj pozitive dhe negative, realja dhe fantastikja, e vërteta dhe imagjinata.

Romani nis si kallëzim realist popullor të shtatë motrave me një vëlla, për t’u shndërruar pastaj në kallëzim fantastik ku tema e besës së dhënë Ujkut Delengrës, shndërrohet në përrallë, më saktë në sintezë të disa përrallave të shkrira në një histori që i ngjet një aventure, e cila më tepër ka elemente fantastike se sa realiste, dhe ku përrallorja mpleks realen, shkrihet kaq bukur sa fëmijët shpesh nuk e dallojnë interkalimin e rrëfimit. Në roman, njerëzit flasin me kafshët pa u hetuar fare dallimi, sepse fjala e folur e personazheve ngjyroset kaq bukur sa edhe lexuesi emocionohet dhe e harron realitetin duke e receptuar fantastiken si realitet. Në roman përcillet fati i kryeprotagonistit, në rastin konkret, fati i Shpendit nis që nga lindja e deri në rritën e tij madhore. I lindur si i vetmi djalë pas shtatë motrave, Bardheci, i ati i Shpendit, atë ditë kur do të lind Shpendi i humb delet në mal dhe atij i del një ujk i cili i thotë se nëse ky ia jep atë që i ka lindur në shtëpi, ky do t’ia gjejë delet e humbura. Bardheci duke pandehur se mund t’i ketë pjellur lopa në ahur, ia jep fjalën. Ja tani paradoksi: në shtëpi kish lindur Shpendi dhe jo Lara. Sipas zakonit të besës së dhënë, Bardheci duhet t’ia dërgojë Shpendin Ujkut Delengrënës, me çka ai duhet ta mbajë fjalën e dhënë, me çka fillon romani.

Fillojnë ngjarjet në roman që janë të shumta. Të shumta janë ngjarjet që rrëfen shkrimtari në roman. Shkrimtari me mjeshtri tregon për rritën e Shpendit prej marrjes së Ujkut Delengrënës si foshnje, përkujdesjen e Plakës Ugurzezë për rritën e tij, derisa Shpendi lëshon shtat dhe bëhet i madh, i mjaftueshëm për gojën e ujkut. Kalojnë ngjarje të shumta, dhe një ditë ai merr rrugën e aventurave, takon Bishtkuqen Xinxare, nënën e pyllit, Erëmirën, Sqepkuqin etj., bën vepra heroike, shpëton të vegjëlit e Havakushes nga bolla, ndodhin luftëra klasore, mund Gjin Xhelatin, ai gjithnjë është në anën e të të nëpërkëmburve të ligështë, deri sa vjen dita kur Ujku Delengrënës vendos ta hajë Shpendin, sepse ai tashmë ka lëshuar shtat dhe Ujku Delengrënës ka çka hajë në të. Shkrimtari i dhuruar me imagjinatë, trillon tre miq besnikë, tre qenër të cilët e mundin Ujkun Delengrënës. Po me kaq e keqja nuk mbaron romani sepse Plaka Ugurzezë ia fut një hajmali në shtrat Shpendit dhe Shpendi atë natë vdes. E varrosin Shpendin dhe për vdekjen e tij qajnë tre qentë e tij besnikë, Bardhoshi, Galoshi dhe Trumoshi. Romani përsëri nuk mbaron me kaq sepse letërsia për fëmijë nuk pranon këso funde tragjike. Në atë çast gjersa po vajtonin dhe kujisnin qentë mbi varrin e Shpendit, nga lart fluturon një shpend i cili u thotë se, me gjakun e tij mund të ngjallet i vdekuri; menjëherë njëri nga qentë ia këput kokën zogut, e stërpik varrin dhe ja mrekullia, Shpendi del nga varri dhe gjallësohet Shpendi kupton dredhinë e Plakës Ugurzezë. Pastaj, ai bashkë me të tre qentë shkon dhe e asgjësojnë Plakën Ugurzezë, e kallin fllanikun e saj në të cilën ajo ruante lloj-lloj hajmalish me të cilat bënte magji që ndillte kobe dhe fatkeqësi. Shpendi tok me qentë e tij shkon në shtëpi ku e presin prindërit dhe shtatë motrat. Romani përfundin me hepiend.

Romani Lugjet e verdha me vite është çmuar si romani më i mirë shqiptar për fëmijë dhe ka zëra që thonë se edhe sot është i këtillë, i patejkaluar. Romani vlerësohet lart për shkak të mjeshtërisë së shkrimtarit që t’i lidhë bukur realen me fantastiken, me çka romani merr ngjyrën e një romani magjik. Romani reflekton një varg elementesh pozitive në të gjitha sferat. Në rrëfimin magjik që sharmon lexuesit, ngjarjet në roman pasojnë natyrshëm dhe lexuesi nuk e lë rrëfimin pa lexuar deri në fund, sepse është mënyra e rrëfimit të shkrimtarit që sharmon gjithkë nga fillimi deri në fund. Nga ky rrëfim, lexuesi ka ç’të mësojë: kjo është lufta e të mirës me të keqen që polarizohet deri në ekstrem ku si zakonisht e mira e mund të keqen. Romani Lugjet e verdha me vite është çmuar si romani më i mirë shqiptar për fëmijë dhe ka zëra që thonë se edhe sot është i këtillë, i patejkaluar. Në të gjitha elementet e rrëfimit, në fjalën e rrëfimtarit dhe në dialogët e personazheve, krijohet një sharm ashtu që lexuesi ngopet plotësisht me mesazhin i cili thotë: njeriu gjatë rritës së tij duhet të luftojë për të mirën, dhe kur ajo është e mirë e përgjithshme, atëherë njeriu duhet të ballafaqohet me të keqen dhe të flijojë për të. Sa e thellë mund të jetë e mira njerëzore, po kaq e shëmtuar është e keqja, prandaj njeriu duhet ta luftojë të keqen deri në fund. Ky roman sikur e përflet këtë ide të shkrimtarit.

Romani ka qenë kritikuar nga kritika soc-realiste e kohës, për shkak se, siç thuhej, shumë faqe të romanit i frikësojnë fëmijët, siç është vdekja e përkohëshme e personazhit. Shkrimtari ndërkaq, qëllimisht e kish futur në rrjedhë të ngjarjeve këtë moment. Romanit i zihej për të madhe modelimi i personazheve tepër negative, siç psh. Plaka Ugurzezë. Kjo në letërsinë botërore, nuk kritikohet. Në romanet e M. Tuenit, shkrimtari i shpie personazhet fëmijë ndër varre, madje indiani Xho ua nxjerr thikën fëmijëve, Tom Sojerit dhe Hakëllberi Finit gjoja don t’i therrë, por romani vazhdon të gëzojë reputacionin. Në portretimin e personazheve të romanit Lugjet e Verdha, Rexhep Hoxha shkon në ekstremin letrar që është mjeshtria e shkrimtarëve. Ujku Delengrënës, Plaka Ugurzezë, Gjin Xhelati, Bolla dhe Kulshedra janë personazhe negative në roman që krijohen si pole negative përkundruall Shpendit, personazhit pozitiv për ta bindur sa më thellë lexuesin se sa të gjera mund të jenë sferat e të mirës dhe të keqes, sa pozitive mund të jenë punët e mira te personazhet pozitive dhe sa negative mund të jenë mynxyrat e së keqes.

Rexhep Hoxha ka shkruar edhe romanin Verorja që gjithashtu motivohet nga përrallat. Është mendim unanim i kritikës letrare, se ajo që kish arritur shkrimtari me Lugjet e verdha, nuk ishte në nivel të romanit të parë. Romani, megjithatë ka vlerat e tij të veçanta: synimi i shkrimtarit që përmes personifikimit të Diellit dhe Hënës të bëjë një paralele të Kosovës me Shqipërinë, një aludim kontekstual simbolik, sa është një eksperiment letrar është edhe një artaksion që lexuesi mund ta kënaqë. Ky atraksion mund t’i kënaqë, por vetëm lexuesit e rritur, jo edhe fëmijët. Kjo analogji dhe ky krahasim nuk mund të kuptohet pa një zbritje të simbolikës e cila, gjithsesi nuk është për fëmijë. Romani me gjithë impaktin e ulët të lexueshmërisë që s’krahasohet me romanin e parë, është i realizuar dhe ka vlerat e tij të larta.

(Marrë nga libri “Letësi për fëmijë”, botuar në Shkup, më 2007)

Comment

*