Rexhep Selimi ftohet nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte

Prishtinë, 10 nëntor 2019 – Rexhep Selimi, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ftuar për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializur në Hagë.

Selimi, nërpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ai është ftuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa intervista do të zhvillohet javën e ardhshme.

“Ju njoftoj që, ashtu sikurse edhe pothuajse të gjithë anëtarët e SHP të UÇK-së dhe shumë luftëtarë tjerë të Lirisë, jam i ftuar që të intervistohem nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në cilësinë e të dyshuarit. Intervistimi do të zhvillohet gjatë javës së ardhshme në Zyren e Prokurorit të Specializuar në Holandë”, ka shkruar Selimi.

Rexhep Selimi ishte deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në përbërjen e kaluar të Kuvendit të Kosovës. Ai ka fituar votat e nevojshme për deputet të kësaj partie edhe në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.

Selimi ka qenë njëri ndër kundërshtarët më të zëshëm të themelimit të Gjykatës Speciale. Ai, sikurse dhe partia e tij, e cilëson këtë gjykatë diskrimunuese për shqiptarët dhe si instrument për njollosjen e luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (r.m.)

Comment

*