Një projekt-rezolutë në Kongresin Amerikan paralajmëron Serbinë për vëllezërit Bytyqi

“Derisa Goran Radosavljevic dhe përgjegjës të tjerë për vrasjen e vëllezërve të mi të jenë nxjerrë përpara drejtësisë, ne nuk do të ndalemi, nuk do të pushojmë, nuk do të injorohemi”, tha vëllai i tyre Ilir Bytyqi

 

Nga Ruben Avxhiu

Në Komitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan u mbajt një sesion kushtuar tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë të vrarë në Serbi, në 1999.
Një rezolutë e posaçme që kërkon drejtësi për Mehmet (21), Agron (23) dhe Ylli (25) Bytyqin (në kllapa është shënuar mosha që kishin kur u vranë) vë përpara përgjegjësisë Presidentin Vuçiq që fajtorët e krimit janë ende të lirë.
Të pranishëm ishin edhe prindërit e të ndjerëve dhe vëllezërit e tyre Ilir e Fatos Bytyqi.
Komiteti shënoi 19-vjetorin e vrasjes me rezolutën “H.Con.Res. 20”, që vë në dukje se 19 vjet më parë, me një akt të terrorizmit shtetëror, Serbia u bë përgjegjëse për vrasjen e tre qytetarëve amerikanë.
Rezoluta u aprovua nga Komiteti dhe tani do të kalojë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan. Nëse aprovohet aty, do të shërbejë ligjërisht si një kusht për marrëdhëniet SHBA-Serbi. Nëse kërkon normalitet, Serbia duhet të vendosë drejtësinë në vend, duke nxjerrë para gjyqit, urdhëruesit e vrasjes. Dënimi i policëve nuk mjafton.
Tre dëshmorët e lirisë, që kishin shkuar si vullnetarë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, si pjesë e Batalionit Atlantiku, u ekzekutuan nga Serbia pa gjyq, në mënyrë të paligjshme dhe në kohë paqeje.
“Sa kohë që Goran Radosavljevic dhe përgjegjës të tjerë për vrasjen e vëllezërve të mi nuk do të jenë nxjerrë përpara drejtësisë, ne nuk do të ndalemi, nuk do të pushojmë, nuk do të injorohemi”, tha vëllai i tyre Ilir Bytyqi. “I jemi shumë mirënjohës kongresistit Zeldin dhe anëtarëve të tjerë të komitetit, që po e mbështesin familjen tonë dhe këtë kauzë. Ata na i kanë ngritur zemrat hov, dhe i kanë dërguar një mesazh të fortë qeverisë serbe se Kongresi Amerikan nuk do ta falë ndonjëherë qeverinë serbe sakohë që mbron kriminelët që vranë vëllezërit e mi”.
Familja Bytyqi ka pasur një numër kongresistësh që e kanë mbështetur shumë çështjen e tyre.
Një nismëtar dhe mbështetës i palëkundur ka qenë kongresisti Lee Zeldin, i Distriktit të parë të Nju Jorkut. Bashkë me të njohurin Eliot Engel, bashkëkryetar i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare dhe Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, Republikanit Ed Royce, nga California, ata e kanë mbajtur çështjen gjallë, duke mos lejuar që normalizimi i lidhjeve SHBA-Serbi të bëjë që të harrohen krimet e viteve 1990.
Kongresisti Zeldin e quajti të papranueshme dështimin e Serbisë për të vënë drejtësinë në vend. “Vëllezërit Bytyqi dhanë jetën e tyre në luftë për drejtësi”, tha ai.
Kryetari Royce ngushëlloi familjen që ishte e pranishme dhe premtoi se Kongresi Amerikan nuk do ta lejojë Serbinë t’i bëjë bisht drejtësisë, nëse dëshiron bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.
Kongresisti Eliot Engel bëri fajtor personalisht Presidentin Vuçiq, që siç tha ai premtoi se do të ndihmonte drejtësinë dhe nuk e bëri, duke shkelur premtimet dhënë Amerikës.
“U bënë 19 vjet që pengohet drejtësia. Është e qartë për të gjithë se pa presion nga jashtë, Serbia nuk do ta zgjedhë dot rrugën e drejtë”, tha ai, duke e quajtur një turp shkeljen e premtimeve që Vuçiq bëri kur ishte në Washington.
Kongresisti Ted Poe, kryetar i Kaukusit Serb në Kongresin Amerikan u përpoq të justifikonte Presidentin Vuçiq dhe e përshkroi Serbinë si demokratike dhe mike të SHBA-së.
Mirëpo, Engel iu përgjigj menjëherë se Vuçiq, kur ishte në Washington e pranoi me gojën e tij se Goran “Guri” Radosavljevic është përgjegjës për vrasjen e tre vëllezërve. Premtoi se do të ndihmonte që të përndiqej nga drejtësia serbe dhe pastaj nuk e bëri. E mbrojti kriminelin.
Një tjetër kongresist që mbështeti familjarët ishte Ted Yoho.
Ndërsa avokati i familjes, Praveen Madhiraju tha se megjithë përpjekjet për t’u takuar me kongresistin Ted Poe, Republikan nga Teksasi dhe kryetar i Kaukusit serb për t’ia prezantuar faktet në mënyrë që edhe ai të ndihmojë drejtësinë në Serbi, ai ka refuzuar të takohet.
Në fjalën e sotme, ai dëshmoi se i ka t gjitha informacionet dhe faktet për këtë ngjarje të gabuara.

Praveen Madhiraju, Drejtori Ekzekutiv i “Të Drejtave Ndërkombëtare Përara Gjyqit” dhe avokati pro-bono i familjes tha: “Vota e sotme bëri një gjë të qartë: Serbia po njihet edhe njëherë për mbrojtjen e kriminelëve të luftës. President Aleksandar Vuqiç nuk mund të bëhet një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara duke të bllefuar. Kongresi po tregon se Presidentit Vuçiq ka ende shumë punë për të bërë”.
(Fotografitë gjatë seancës, të përdorura këtu, janë gjithashtu nga Praveen Madhiraju.)
Rezoluta H.Con.Res. 20 nëtekstin e saj tregon edhe njëherë historikë me fakte të Çështjes Bytyqi, duke përfshirë edhe të dyshuarin kryesor, Goran “Guri” Radosavljevic, një anëtar i njohur i partisë politike në qeveri, të udhëhequr nga Presidenti Vuçiq.
Në paragrafin e fundit të kësaj resolute thuhet: “përparimi në zgjidhjen e kësaj çështjeje, ose mungesa e tij, duhet të mbetet një faktor kryesor përcaktues për marrëdhëniet e mëtejshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë”.
(Informacionet dhe fotografitë nga Praveen Madhiraju)


Comment

*