Rezultati i zgjedhjeve lokale e shtyn PDK-në të mbajë zgjedhje në parti

Prishtinë, 20 nëntor 2017 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se ka nisur përgatitjet për zgjedhje të brendshme partiake në të gjitha degët, nëndegët dhe seksionet.

“Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli, në përputhje me vendimin që është marrë në mbledhjen e Këshillit Drejtues, më 29 korrik 2017, dhe në përputhje me Statutin e PDK-së, nga sot shpall zgjedhjet e brendshme partiake”, thuhet në kumtesën për medie të kësaj partie.

PDK fton të gjitha strukturat e veta nëpër degë, nëndegë dhe seksione që të fillojnë përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të brendshme.

PDK thekson se  mbetet lidere në sjelljen e figurave të reja e të njerëzve profesionistë në skenën politike. Ajo thekson se në Konventën e ardhshme të partisë do të vazhdojë t’u japë hapësirën më të madhe grave dhe të rinjve.

PDK i ka falënderuar qytetarët që besuan në vizionin, platformën dhe kandidatët e saj për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë të kuvendeve komunale.

PDk thotë se pret numërimin e secilës votë, “për ta çuar në vend vullnetin e plotë të qytetarëve, pasi që ende janë të panumëruara edhe mijëra vota me kusht nëpër disa komuna”.

“Për këtë, ftojmë të gjitha institucionet përgjegjëse, si edhe partitë politike, që të kontribuojnë për një përfundim demokratik të këtij procesi zgjedhor, në të cilin u dëshmua demokraci e lartë e kulturë evropiane”, thuhet në komunikatën e PDK-së. (r.m.)

Comment

*