Richard Grenell në Kosovë, takoi Thaçin dhe liderët e partive kryesore

Prishtinë, 9 tetor 2019 – I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, arriti të mërkurën në Prishtinë, ku u takua me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me përfaqësues të  partive kryesore në Kosovë.

Takimi me Thaçin u zhvillua me dyer të mbyllura në Zyrën e Presidentit të Kosovës, ndërsa takimet me përfaqësuesit e partive politike u zhvilluan në ambasadën amerikane.

Zyra e Presidentit t Kosovës njoftoi se z.Thaçi e ka falënderuar administratën aktuale të Shteteve të Bashkuara për mbështetjen që po jep Kosovës në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën. Kjo shton besimin në kërkimin e marrëveshjes së paqes me Serbinë”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Në njoftim thuhet se të dy palët janë pajtuar se “marrëveshja e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit”.

Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do të jetë konstruktive në përpjekjet për gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit.

Ai ka theksuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Sipas njoftimit të kabinetit të Thaçit, Ambasadori Grenell ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje. Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se lideri i partisë, Albin Kurti, e ka njhohur ambasadorin Grenell me qëndrimin e kësaj partie mbi mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë.

Kurti citohet të ketë thënë se “përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj se sa afati kohor për të”.

Ndërkaq, Ambasadori Grenell citohet të ketë thënë se “mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë e Kosovës”.

Pas takimeve, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se Grenell pret bashkëpunim me liderët vendorë, në lidhje me dialogun.

“I dërguari i posaçëm presidencial, Grenell pret me padurim që të punojë me presidentin Thaçi dhe me liderët tjerë të Kosovës, për të ndihmuar që të arrihet paqja, drejtësia dhe prosperiteti në Kosovë dhe rajon”, shkroi në Twitter, ambasadori Kosnett.

Ambasadori Grenell u emërua pak ditë më parë i dërguar i posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë nga Presidenti Donald trump.

Në fund të muajit gusht, Matehew Palmer ishte emëruar përfaqësues i posaçëm për Ballkanin i sekretarit amerikan i shtetit, Mike Pompeo. (r.m.)

Comment

*