Richard Lukaj: Kosova ka potencial për tërheqjen e investimeve amerikane

Prishtinë, 19 maj 2018 – “Kosova ka potenciale të shumta për tërheqjen e investitorëve, por institucionet shtetërore kanë dështuar të promovojnë mundësitë për investime para investitorëve të huaj”.

Kjo u tha në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me bankierin e njohur shqiptaro-amerikan, Richard Lukaj.

Lukaj, i cili është edhe Drejtor i lartë Menaxhues në Bank Street Group LLC, tha se pavarësisht rezultateve të mëdha në reduktimin e burokracisë, Kosova duhet të vazhdojë me luftimin e ekonomisë joformale dhe adresimin e boshllëkut të shkathtësive, ashtu që të mund të tërheqë me sukses, investimet amerikane dhe ato të huaja në përgjithësi.

Ai tha se pavarësisht faktit që Kosova është një shtet i ri, përparimet vërehen në fusha të shumta, por është për keqardhje që institucionet shtetërore kanë bërë pak në promovimin e mundësive për investime në Kosovë. Ai lavdëroi sistemin bankar në Kosovë, si njërin ndër sektorët, ku investimet e huaja direkte kanë qenë të suksesshme.

Lukaj, i cili njihet edhe për kontributin e tij të madh në filantropi, foli edhe për rëndësinë e tërheqjes së investimeve nga Diaspora, duke shtuar se kjo pjesë e popullit është dëshmuar me kontributin financiar në periudha të ndryshme kohore.

Në anën tjetër, Ramis Ahmetaj, anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane në Kosovë, foli për një shtim të investimeve amerikane në Kosovë në tremujorin e parë të vitit 2018, por tha se shuma e investimeve është jashtëzakonisht e vogël, sidomos nëse krahasohet me vëllimin e përgjithshëm të investimeve në amerikane në Evropë që sillen diku në 3.17 trilionë dollarë amerikanë. (r.m.)

Comment

*