Richard Lukaj: Shqiptarët duhet të fuqizojnë ekonominë

(Botuar së pari në këtë lidhje: http://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=302129&fbclid=IwAR3Dsl0sUDk74LFAGWcWnhP-D_GS_3UEeeVkGp7wQMXn_9lkrfjebjlwaaM)

 

Sonte në Nju Jork, do të mbahet një mbrëmje bëmirëse, me qëllim të mbështetjes së fëmijëve që lindin parakohe në Kosovë. Organizata “Aksioni për nëna dhe fëmijë”, ka inicuar këtë mbrëmje dhe në të do të marrin pjesë tashmë personalitete të ndryshme dhe filantropë të shumtë.

Njëri ndër themeluesit e kësaj organizate, dhe donatori kryesor i saj, Riçard Lukaj, nga Nju Jorku shpjegon qëllimin e kësaj mbrëmje, në një intervistë ekskluzive për programin e mëngjesit në Radio Kosovë.

Në intervistë ai flet edhe për investimet që do të mund të bëheshin në Kosovë.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë organizon një mbrëmje filantropie në qytetin e Nju Jorkut, për të ngritur fonde për shpëtimin e jetëve të nënave dhe fëmijëve në Kosovë. Shumë personalitete të jetës politike, nga biznesi, kultura, dhe artet kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre. Në këtë mbrëmje tashmë e ka konfimruar se do të jetë edhe z. Richard Lukaj, një personaliteti i veçantë, i cili në Kosovë është shumë i njohur për rolin dhe kontributin që ai ka dhënë për çështjen e Kosovës deri në pavarësinë e saj. Z. Lukaj është edhe fitues i çmimit për “Jetëgjatësi” nga “Aksioni për nëna dhe fëmijë” për këtë vit.

 

Z. Lukaj, faleminderit që jeni me ne në Radio Kosovë dhe dëgjuesit tanë në këtë mëngjes.

Riçard Lukaj: Faleminderit juve për ftesën dhe është nder për mua të marr pjesë në programin tuaj.

 

Po kalojmë menjëherë në temë, z. Lukaj. Ju keni fituar çmimin për kontributin që keni dhënë për jetëgjatësinë e nënave dhe fëmijëve në këtë organizatë?

Riçard Lukaj: Po. I falenderoj miq dhe kolegët e mi që kanë qenë pjesëmarrës në këtë veprim. Unë jam ndër themeluesit e kësaj organizate dhe jam krenar shumë për arritjen e saj dhe shpresoj që do të vazhdojë me rritje dhe që të mundësojnë kapacitetet e Kosovës që të vazhdojnë përmirësimin e situatës së fëmijëve, sidomos atyre që lindin parakohe, ose edhe të tjerë. Jam krenar që jam pjesë e kësaj iniciative dhe që mund të kontribuoj me aq sa mundem me gjithë familjen tonë. Megjithatë jam modes dhe nuk e shoh të domosdoshme që meritat më takojnë vetëm mua, sepse ka shumë pjesëmarrës dhe kontribues që kanë ndihmuar këtë organizatë për të arritur aty ku është. Megjithatë jam shumë i nderuar që më kanë zgjedhur për këtë vit që të identifikohem si njeri i tillë që ka marrë pjesë qysh në fillimin e kësaj organizate.

 

z. Lukaj, ju keni ndihmuar shumë për Kosovën, tani edhe shtresën më të brishtë të popullatës, nënat dhe fëmijët? Si jeni bërë bashkë me “Aksionin e nënës dhe të fëmijës në Kosovë”?

Riçard Lukaj: Faktikisht, edhe ne familjarisht kemi humbur një vajzë pak pas lindjes dhe ne si familje kemi vendosur që të bëjmë një lloj donacioni, apo investimi për të ndihmuar që sa më pak njerëz të gjejnë të njëtën gjendjen sin a ndodhi ne. Ne, familjarisht, kemi pasur edhe disa aksione me donacione në Amerikë, por vendosëm që të bëjmë këtë lloj donacioni për familjet që mund të jenë në të njëjtën gjendje si ne. Kemi punuar bashkë me dr. James C. Strickler, I cili është poashtu njëri ndër themeluesit dhe me disa anëtarë tjerë si Ilire Hoxha e të tjerë. Me këtë bashkëpunim ne filluam me një inciativë  me donacionet modeste. Me kohë kemi rritur organizatën, kemi rritur pjesëmarrjen,kemi rritur kryesinë, kapacitetin e organizatës, megjithatë, kemi rritur edhe bindjen dhe me kohë relacionet prej institucioneve të ndryshme ka bërë të mundshme një gjë që nuk ka ekzistuar në fillim dhe faktikisht, statistikat flasin vertetë që ka pasur një efekt konkret në gjendjën e Kosovës, sidomos për ata fëmijë që lindin parakohe.

 

Ju z. Lukaj jeni të informuar për mënyrën se si funksionojnë institucionet përkatëse në Kosovë, prandaj keni ndërmarrë këtë nismë?

Riçard Lukaj: Po nevoja ka qenë shumë e madhe. Sidomos pas luftës statistikat kanë qenë shumë të zeza (të këqija), edhe kur i ballafaqon me statistikat evropiane ne ishim shumë në gjendje të keqe. Megjithëse ka ende shumë vend për përmirësim, jam krenar që ky ekip I organizatës ka arritur shumë deri tani. Një pjesë e arritjes është edhe bindja e njerëzve dhe informimi i nënave dhe familjeve të ndryshme se çfarë duhet të ndërmerret para se të lindë një fëmijë dhe nevojat e ndryshme për edukim, që janë të domosdoshme të dihen pas lindjes së fëmijës. Ky lloj i aktiviteteve ka rëndësinë e vet.

 

Pa dyshim. Banka që ju drejtoni në Nju Jork, Bank Street, përmes një aksioni bëmirësie ka grumbulluar këtë verë 10 mijë dollarë për nënat dhe fëmijët e Kosovës. Na përshkruani pak këtë aksion?

Riçard Lukaj: Ne, faktikisht, kemi disa aktivitete si firmë, disa aktivitete bëmirëse, njëri prej tyre ka qenë dhe ky që ju po e përmendi. Faktikisht ky aktivitet ka mbledhur mbi 100 mijë dollarë si donacione. Ne e kemi 10 fishuar shumën fillestare dhe me ato donacione kemi ndihmuar disa organizata, jo vetëm atë të Kosovës. Megjithatë, jam shumë I lumtur që këtë aktivitet arrijmë ta mbajmë për çdo vit. Jo vetëm që kemi mundësi të bashkohemi me miq, me kolegë dhe klientë, por kemi mundësi edhe të ndihmojmë disa organizata dhe në çdo vit, ndihmojmë me dhjetra organizata, të cilat bëjnë punë të mirë dhe për disa çështje i favorizojmë.

 

Riçard Lukaj ju keni shumë vjet përvojë pune në fushën e investimeve. Në “Bank Street” synoni të krijoni një ekskluzivitet bankar të investimeve në tregun e mesëm, me fokus në sektorët e rritjes së ekonomisë globale. Z. Lukaj do të doja të ndalemi pak këtu, meqë nuk kemi rast të bisedojmë shpesh. Si e vlerësoni sektorin e investimeve dhe të ekonomisë në Kosovë?

Riçard Lukaj: Për momentin nuk jam mirë i informuar për gjendjen e investimeve në Kosovë, edhe pse i kam përcjellë çështjet ekonomike në rajon për shumë kohë. Një opinion kështu në makro mund ta jap. Mund të them që ka pasur shumë pengesa, qysh pas luftës, për investime sidomos institucional. Ju e dini kam pasur investim personal, për shembull për të ndihmuar familjarisht njërit ose tjetrit. Çdo palë qeverisëse që ka ardhur pas luftës e ka pasur shumë të vështirë për investime, ose i ka munguar kapaciteti për të arritur që të bindin investitorë të ndryshëm që të jenë të sigurtë në investimet që do të mund të bënin në Kosovë. Megjithatë, shpresoj që do të ketë përmirësime dhe të vazhdojmë me kohë që të ketë një maturitet për investime. Disa tjerë në rajon kanë pasur mundësi të ofrojnë investime, por brenda Kosovës ka qenë shumë problematike.

 

Ju keni pasur rast të shihni vetë sektorë të veçantë ku do të mund të bëheshin investime. A keni ndonjë interesim ku do të mund të investonit për shembull?

Riçard Lukaj: Unë i kam vënë vetës pritoritet aktivitetet filantropike në rajon. Nuk jam inkuadruar në asnjë aksion profitabil deri tani. Por, i kam përcjellë shumë mundësitë e rajoni dhe shpresoj se dikur do të jetë ambient I përshtatshëm për pjesëmarrjen, jo vetëm timin, por edhe të shumë të tjerëve si unë, që kanë interes dhe kanë dëshirë për të mirën e rajonit. Megjithatë, ajo klimë ose ai ambient për investim që mund të quhej institucional nuk është akoma në realitet. Ne e dëshirojmë shumë që të bëhet realitet sa më mirë e sa më shpejt, për arsye se ka një efekt shumë të madh, sepse investimet krijojnë jo vetëm zhvillim ekonomik, por edhe social dhe në shumë nivele tjera. Në këtë koncept, shpresoj që populli i Kosovës, sidomos rinia, vazhdojnë me këto ambicie që të realizohen këto realitete, për arsye se ato të japin edhe rritje personale me u zhvillu dhe me qenë konkurrues në tregun botëror.

 

z. Lukaj, si i shihni zhvillimet e fundit politike në Kosovë, debatet për ndryshim apo korrigjim kufijsh?

Unë e kam të vështirë të pranoj se jam ndër kontribuesit më të mëdhenj të Kosovës, sepse realiteti është se janë disa familje se kanë kontribuar shumë më shumë se ne, disa kanë dhënë jetën për realizimet që kemi sot.

Megjithatë, unë i shoh si gjëra shumë serioze dhe sakrifica shumë të mëdha që kur t’i barazojmë me realitetin e sotëm që kemi përpara, sidomos temat për marrëveshjet rajonale, qoft me Serbinë ose me të tjerë, unë e shoh pak situatën sot pak si të turbulluar. Ka disa lloj veprimesh, për shkak se nuk ka informacion të saktë, ka shumë lëvizje të ndryshme, ka shumë organe që janë duke bërë presione në këto lloj bisedash. Ka disa lloj që mund të konsiderohen improvizime. Por, unë për momentin jam në heshtje, duke pritur detaje nga këto bisedime. Tash për tash janë duke u diskutuar disa tema që janë pak a shumë në mjegull dhe është vështirë t’i gjykosh. Për atë arsye, e kam pak të vështirë që të jap një përgjigje konkrete. Megjithatë jemi duke përcjellë shumë afër.

Për mendimin tim, është momenti për unifikim brenda këtyre temave, në qoftë se vazhdohet në këtë mënyrë të përçarë, nuk besoj se do të jetë shumë e frytshme, kur jemi në negociata kundër institucioneve të konsoliduara. Do të jetë shumë vështirë për çdo palë, të jetë politike, sociale por edhe nivele të tjera, që të përballet me institucionet e huaja dhe sidomos me arritë një përmirësim për situatën e Kosovës,  me garantimet e duhura që të aprovohet jo vetëm me fjalë dhe me një kontratë, por që do të garantohet nga NATO-ja dhe nga institucionet dhe shtetet perëndimore. Është e domosdoshme që këto mekanizma të jenë pjesë e këtij pakti, apo çfarëdo rezolute që nxirret pas kësaj.

Megjithatë, ne duhet të mbrojmë këtë pavarësi që kemi, të njohur dhe të garantuar nga shumica e vendeve në botë dhe të mos ta shesim këtë lehtë, para se të dijmë që do të arrijmë dicka shumë më të mirë se kjo që kemi.

Mendoj se tash për tash edhe çdo gjë që rrjedh nga këto bisedime, edhe nëse nuk do të ketë asgjë, ne duhet të fokusohemi tek rritja e kapacitetit shtetëror, rritjen e ekonomisë shqiptare, rritjen e tregtisë së lirë në të gjitha trojet ku ekzistojnë shqiptarët, kudo në diasporë apo në rajon. Mendoj se me këtë fuqi ekonomike dhe lëvizje tregtare që mund të ketë pala shqiptare, mendoj se brenda kësaj mund të jetë një shtet i pavarur si Kosova, ose një shtet i bashkuar, dikur të jetë de fakte ose reale, si konfederatë apo tjetër. Për mendimin tim këto nuk kanë një dallim të madh. Por, do të jetë  fokusim i prioriteteve tona që të realizojmë një realitet ku fuqia ekonomike shqiptare të ketë zhvillimin dhe arritjen e potencialit më të lartë.

 

z. Riçard Lukaj, t’i kthehemi mbrëmjes bëmirëse në Nju Jork. Besoni që do të arrini qëllimin?

Riçard Lukaj: Unë vazhdimisht jam optimist. Në qoftë se bashkëveprojmë dhe bashkëpunojmë në nivel të duhur, jo vetëm që besoj se do të arrijmë qëllimin, por edhe do ta kalojmë. Me mbështetjen tuaj dhe  të tjerë që janë të bashkuar në këtë lëvizje, besoj se brenda kësaj çështje, secili e dinë që secili fëmijë që lind është i pafajshëm, pse ai ka lindur në një spital në Kosovë. Për këtë arsye, ne kemi obligim që të gjejmë mënyrën që ai fëmijë të ketë mundësi, jo vetëm që të përballojë lindjen e parakohshme, por edhe të ketë teknologjinë dhe pajisjet e ndryshme që ekzistojnë sot, për t’i ndihmuar atij fëmije të ngjallet, por edhe të ketë një jetë të frytshme.

 

z. Riçard Lukaj, faleminderit për intervistën!

Gjithashtu. Faleminderit që më dhatë mundësinë që të jem në Kosovë shkurt përmes jush!

Intervistoi: Hyrë Tejeci Murati (RTK Live)

Comment

*