Rifillon seanca kuvendare pas bllokimit të foltores

Debatet e forta kanë përfshirë edhe seancën e sotme plenare, menjëherë pas interpelancës me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. Deputetja e PD, Albana Vokshi, ka kërkuar fjalën për procedurë dhe ka dalë në foltoren e Kuvendit, por i është ndërprerë fjala menjëherë nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ky i fundit i kërkoi Vokshit të ulet në vendin e saj, pasi nuk mund të abuzohet me fjalën. Ai urdhëroi të bllokohet fonia, duke i thënë Vokshit të ulet në vend. Ndërkohë, ka ndërhyrë nga vendi Edmond Spaho, duke kërkuar t’i jepet fjala Vokshit. Kjo e fundit ka bërë rezistencë dhe nuk ka pranuar të lëshojë foltoren. Për këtë arsye, Ruçi i ka tërhequr vërejtje deputetes dhe ka ndërprerë seancën për 5 minuta.

Spaho-Ruçit: Ndërpreve fjalën që në nisje të saj dhe nuk respektove rregulloren.

Ruçi: Të drejtën e interpretimit të kësaj çështje e ka drejtuesi i interpelancës. Vokshi nuk plotësoi kushtet për fjalën. Fjala jote nuk kishte të bënte fare me procedurën. (flet Vokshi nga foltorja). Zonjë do më detyroni të marr masa, por uluni. Ke dy minuta kohë për t’u ulur. Të tërheq vëmendjen. 5 minuta pushim që ta kuptojë zonja që po shkel rregulloren.

Ndërkohë, pas 5 minutave pushim, seanca ka nisur më e qetë, ku ka marrë fjalën deputetja e PD, Grida Duma, e cila ka folur për titujt e pronësisë të tokës bujqësore.

“Bujqësia është sektori më i rëndësishëm për Shqipërinë për të shkuar drejt tregut të përbashkët evropian. Ju nuk arrini sot titujt e pronësisë së tokës bujqësore dhe tentoni t’i shtyni dhe një vit. Është e vonuar edhe tani dhënia e titujve të pronësisë për tokën bujqësore. Ata që jetojnë në fshat nuk e kanë problemin vetëm të marrin këto tituj, por nuk mund të ndëshkohen. Kanabisi po e shkatërron ekonominë bujqësore”, tha Duma.

shqiptarja.com

Comment

*