Rikonstruktimi i linjave hekurudhore në Kosovë fillon më 2019

Prishtinë, 15 nëntor 2018 – Autoritetet në Kosovë janë në përgatitjeje të procedurave për fillimin e rikonstruktimit të linjave hekurudhore, projekt ky i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe nga Qeveria e Kosovës.

Faza e parë e rikonstruktimit të rrjetit hekurudhor do të fillon në linjën Prishtinë – Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë, kurse faza e dytë përfshin rrjetin hekurudhor Prishtinë – Leshak, në kufirin me Serbinë.

Koordinatori për Ballkanin Perëndimor në Qeverinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës një ndër prioritet e ka rehabilitimin e hekurudhave ekzistuese.

“Derisa po flasim, jemi në procedurë të tenderimit të projektit të rrjetit hekurudhor. Kjo procedurë e tenderimit është dashur të bëhet në korrik, por për shkak të disa procedurave teknike dhe disa kërkesave që i ka bërë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e cila është bartëse e financimit të këtij projekti, deri në fund të dhjetorit do të shpallet edhe fituesi për zbatimin e projektit të rrjetit hekurudhor”, thotë Abrashi.

Marrëveshja për projektin për rehabilitimin e linjës hekurudhore ‘10’, ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it, është nënshkruar në fillim të këtij viti.

Projekti hekurudhor ‘10’ i Kosovës është pjesë e rrjetit hekurudhor kryesor të Ballkanit Perëndimor. Një zgjerim i Rrjeteve Trans-Evropiane të Transportit është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Bashkimit Evropian për të promovuar lidhjen e transportit në Ballkanin Perëndimor.

Abrashi thekson se deri në vitin 2022, Kosova do ketë të përfunduar rrjetin modern hekurudhor që e lidh atë me shtet e rajonit dhe më gjerë. Ndërkohë, trenat që do të lëvizin në këtë hekurudhë, në të ardhmen, shton Abrashi, do të kenë shpejtësinë prej 80 deri në 120 kilometra në orë.

“Parashikimet janë që faza e parë që nga fillimi i zbatimit të projektit të përfundojë brenda dy vjetësh, ndërsa komplet projekti mendohet të rrumbullakohet brenda tre vjetëve, që nga fillimi i zbatimit. Financimi është bëra nga BERZH-i në një vlerë prej 209 milionë euro. Me rëndësi është që projektet e kësaj natyre janë bërë në gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, që nënkupton që në momentin që rikonstruktohen edhe hekurudhat e Kosovës punën e njëjtë do të bëjnë edhe shtetet tjera”, thotë Abrashi.

 

‘Hekurudhat e Kosovës, larg standardeve evropiane’

 

Infrastruktura hekurudhore në Kosovë aktualisht vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë. Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve janë të vjetruara.

Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos“, thotë për Radion Evropa e Lirë se rrjeti hekurudhor që momentalisht ka Kosova, është në gjendje jo të mirë dhe se investimet në të janë të domosdoshme.

“Sa i përket rrjetit hekurudhor ekzistues, në aspektin teknik nuk i plotëson standardet më të larta të Bashkimit Evropian, por ne po e operojmë çdo ditë dhe po kujdesemi që ky rrejt të jetë më i shfrytëzueshëm. Është evidente se nuk është bërë investime në 40 vjetët e fundit. Ne po bëjmë investime krejtësisht minore dhe mirëmbajtje, derisa të bëhet përmirësimi apo rehabilitimi i tërësishëm i linjave hekurudhore”, thotë Thaçi.

Për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale, shpejtësia e trenave mund të zhvillohet vetëm në 50 kilometra që e bën më pak të përdorshme transportin hekurudhor. Po ashtu, sipas tij, edhe mungesa e qasjes në pjesën veriore të Kosovës e bënë të papërdorshëm linjat hekurudhore.

“Kjo shpejtësi është mjaft e vogël dhe nuk është atraktive për qytetarët dhe për operatorët e transportit, pasi një udhëtim sot Prishtinë – Pejë merr dy orë, që në kushte normale nuk do të ishte më tepër se një orë. Transporti i udhëtarëve në linjat hekurudhore ka interesim të shfrytëzohet, ndërsa sa i përket transportit të mallrave, kërkesat janë të vogla. Mungesa e qasjes në pjesën veriore bën që traseja e transportit të rritet dhe të mos krijojë interesim të biznesit që të transportojë përmes hekurudhave”, thotë Thaçi.

Hekurudhave të Kosovës u është ndaluar qasja në hekurudhat në veri të vendit, që nga shpallja e pavarësisë. Pas kësaj periudhe është ndalur treni i cili qarkullonte në drejtim Fushë Kosovë – Leshak.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet “treni i shpejtë”, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë.

Kurse, në periudhën e ish-Jugosllavisë, hekurudha Athinë-Shkup-Prishtinë dhe deri në Mynih, ishte lidhja edhe e Kosovës me vendet e tjera në Evropë.

(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)

Comment

*