Rikthehet në identitet Konkatedralja e Shën Luçisë në Durrës

Dom Gjergj Meta: Konkatedralja, shumë shpejt një qendër jo vetëm fetare, por edhe kulturore e nxitëse e turizmit fetar

 

Alda Dalushi

katedurres -crpd

Konkatedralja e Shën Luçisë në Durrës po rikthehet në identitet. E transformuar kryesisht prej ndërhyrjeve në territorin e kishës, gjatë viteve të regjimit dhe më pas e lënë ashtu edhe gjatë viteve 1990-2010, këtij institucioni të besimit fetar katolik do t’i kthehet pamja që ka pasur.

Që prej muajit shtator të 2013 kanë nisur punimet, të cilat synojnë të zbatojnë projektin e kthimit të kësaj kishe simbol për qytetin e Durrësit dhe familjet katolike të tij, në identitet.

Dom Gjergj Meta, i emëruar para pak muajve si famulltar në Kishën e Shën Luçisë tregon për Gazetën e Durrësit projektin e “rigjenerimit” të kishës simbol.

“Projekti ka nisur në muajin shtator dhe qëllimi i tij është të sillet në identitet kompleksi Ipeshkvik, duke përfshirë këtu rehabilitimin e godinës së kishës (jashtë dhe brenda) si dhe të sipërfaqes përreth, që dikur ka qenë selia e Ipeshkvit, shtëpia e famulltarit dhe ajo e murgeshave. Me projektin e ri, sipërfaqja rreth e qark godinës së kishës do të ndryshojë funksionin e saj, duke e bërë këtë hapësirë multifunksionale, në shërbim jo vetëm të komunitetit të besimtarëve katolikë, por edhe të qytetarëve të tjerë”, thotë Dom Gjergji.

Aktualisht, brenda hapësirës së ish-kompleksit ka nisur shembja e mureve të ndërtuara gjatë periudhës së regjimit, të cilat kanë ndërhyrë jo vetëm në sipërfaqen e pandërtuar të këtij kompleksi, por edhe ata të cilët kanë ndryshuar pamjen e godinave brenda kësaj hapësire, sikurse janë muret e katit të dytë të shtëpisë së famulltarit, të cilët kanë “zhdukur” harqet karakteristikë dhe ballkonin e katit të dytë.

Po kështu, muri ballor që ndante godinën e Kishës me rrugën, është shembur dhe sipas Dom Gjergjit, qëllimi është vetëm një:

“Kisha duhet të jetë e hapur për të gjithë: për besimtarët, kalimtarët e rastit në këtë rrugicë, për këdo që ka dëshirë ta shohë nga jashtë apo të hyjë brenda. Në përpjekje për ta sjellë më afër me njerëzit, muri ishte i panevojshëm. Përballë derës së kishës do të vendoset një pllakë e madhe dhe shkallë, por jo mur dhe as portë. Porta ekzistuese dhe muri që qendrojnë përbri godinës së kishës, do të mbeten pasi paraqesin një rëndësi të caktuar për vetëm periudhën në të cilën janë ndërtuar”, shpjegon Dom Gjergji.

Dom Gjergj Meta gjate meshave ne Kishen e Shen Lucise

Dom Gjergj Meta gjate meshave ne Kishen e Shen Lucise

Jo vetëm kishë, por qendër kulturore

Projekti në zbatim e sipër do ta kthejë kishën katolike të Shën Luçias në një hapësirë ku do të gjejnë vend jo vetëm meshat, por edhe aktivitetet kulturore të ndryshme, që qyteti apo grupe të caktuara, do të kenë dëshirë të vënë në jetë.

Në një sipërfaqe rreth 1200 metra katrorë, ku përafërsisht 760 metra katrorë do të jenë ndërtim, pjesa tjetër do të jetë e shfrytëzueshme për aktivitete të ndryshme fetare dhe jo vetëm. “Synimi ynë është të ndërtojmë një amfiteatër brenda kësaj hapësire, i cili të shërbejë si arenë aktivitetesh kulturore dhe njëkohësisht si një mënyrë më shumë për të tërhequr vizitorë, të cilët mund të jenë edhe turistë të huaj. Po kështu, sipas projektit, kisha do të pasurohet edhe më një bibliotekë ”.

 

“Shën Luçia”, nxitëse e turizmit fetar

Ajo është një godinë relativisht e hershme e cila tërheq vëmendjen e kalimtarëve në rrugicën që ndodhet (mes lagjesh në Rrugën Tregtare), mirëpo veç të qenit një institucion fetar, hapësira e saj mbetej e pashfrytëzuar për ndonjë aktivitet tjetër, duke mos pasur mundësi, në këtë mënyrë, të shpalosë vlerat e saj.

“Duke e rikonstruktuar godinën e kishës dhe, ç’është më kryesorja, duke ruajtur arkitekturën e saj origjinale në stilin neo-klasik, do të jetë e mundur që hapësira e konkatedrales të bëhët një objekt me një funksion më shumë, pra jo thejsht fetar, por nxitëse e turizmit fetar, duke i dhënë mundësi Durrësit, të ketë akses edhe në një tjetër fushë turizmi”, thotë Dom Gjergji.

Konkatedralja e Shën Luçisë mendohet të jetë ndërtuar në 1868, vit i cili përkon edhe me vitin e shënuar në portën hyrëse të saj. Ajo ka qënë kisha në të cilën kanë shërbyer emra të rëndësishëm, jo vetëm të historisë së katoliçizmit në Durrës, por personalitete në historinë kombëtare si Dom Nikollë Kaçorri dhe Imzot Vinçenc Prendushi.

Ajo u mbyll në vitin 1967, sikurse edhe shumë objekte fetare të tjera nëpër Shqipëri, për t’u rihapur pas ’90, me rënien e regjimit.

Konkatedralja “Shën Luçia” është kisha simbol e familjeve katolike durrsake.

(Botuar fillimisht nga “Gazeta Durrësi)

 

(Fotografi: Kisha si ishte para ndryshimeve të periudhës se regjimit dhe pamje nga hapesira gjatë punimeve tani.)

Comment

*