Rikthimi i shqiptarëve të Amerikës

Ruben Avxhiu

30 prilli i këtij viti ngjau pak si një rikthim në ditët e stuhishme të viteve 1990, kur komuniteti shqiptaro-amerikan mblidhej për të protestuar rregullisht në Washington DC.
Protesta në kryeqytetin amerikan kanë ndodhur si para ashtu edhe pas viteve 1990, po për shumë arsye ajo dekadë mbetet historike e vendimtare në historinë e shqiptarëve të Amerikës, me të vetmin krahasim të mundshëm atë të viteve 1910-1920, kur luftonin për të garantuar pavarësinë e Shqipërisë.
Një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan për krimet e pandëshkuara serbe në Kosovë, u kthye në një mundësi të madhe për të ringjallur frymën e angazhimit të dikurshëm.
Ja disa gjëra që ia vlen të veçohen nga kronika e asaj dite.
Kongresisti Eliot Engel, i cili filloi punën në Kongres plot 30 vjet më parë, vijon të dëshmohet si një mik i madh i Kosovës dhe i shqiptarëve në Washington DC. Nga pozita e fuqishme e kryetarit të Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, ai vendosi në kalendar dhe drejtoi personalisht një seancë dëgjimore të fuqishme që solli përpata Kongresit dhe përpara botës tmerret e luftës së Kosovës që ende nuk janë vënë përpara drejtësisë.
Engel ka një lidhje të veçantë me gazetën “Illyria”. Ai u tërhoq fillimisht në botën shqiptare nga Harry Bajraktari, botuesi i parë i gazetës, plot 30 vjet më parë, në një takim që kongresisti e përmend gjithmonë. Edhe dje e përmendi. Botuesi tjetër Ekrem Bardha, që e mori gazetën në 1998, e bëri kongresistin Engel anëtar të Bordit të Nderit të gazetës. Që nga 2006, “Illyria” botohet nga Vehbi Bajrami, një mik personal i kongresistit Engel, për të cilin ka organizuar dhjetëra takime fondmbledhëse e të cilin kongresisti e ka pritur disa herë në kryeqytetin amerikan e kanë bërë aktivitete së bashku.
Një tjetër element i shkëlqyer i 30 prillit ishte suksesi i shqiptarëve në sigurimin e mbështetjes nga të dy krahët e politikës amerikane. Ishte një kënaqësi e madhe të dëgjoje anëtarë të Kongresit që përplasen aq ashpër me njëri-tjetrit të flisnin gati me një gjuhë kur vinte puna te Kosova.
Engel që luajti rolin kryesor, dihet që është një Demokrat i madh liberal. Po çfarë rastësi me vlerë që anëtari më i lartë i Republikanëve në po atë Komitet, Michael McCaul, përfaqëson në Kongresin Amerikan pikërisht zonën ku banon Vasfije Krasniqi Goodman. Jo vetëm që e dëgjoi dëshminë e saj dhe të Ilir Bytyqit me interesin e një kongresisti që kryen punën e tij po edhe me interesin profesionist të një ish-prokurori që dallon qartë dështimin e drejtësisë për krime të qarta e të rënda.
Një vëmendje të vevëmendje të veçantë meriton këtu, Dr. Paul Williams, një ekpert i të drejtës ndërkombëtare si rrallëkush, jo një megalloman që shpalos teori boshe në media, po një punëtor i palodhur i projekteve konkrete, me kujdes specialisti në detajet e imëta të ligjit dhe të detyrimeve ligjore.
Ishte një ditë e bukur për komunitetin tonë. Një rikthim të programet e organizuara që nga nisja në kthim, me autobusë falas që sollën aktivistët nga New York-u në Washington, me pjesëmarrje zemërdhënëse në seancën dëgjimore, me dukshmëri ndikuese te ligjvënësit amerikanë, me prezantime me ta, me protesta që përfshinte flamuj, fjalime e gjallëri përpara Ambasadës së Serbisë.
Ka plot për të përmirësuar nëse e krahason me ditët e arta të viteve 1990, po pas kaq kohësh mungese, ishte një rifillim i bukur dhe që duhet inkurajuar. Një rol të madh luajtën organizata si Motrat Qiriazi, Fondacioni Plavë e Guci, individë si këshilltari bashkiak Mark Gjonaj, etj. Si gjithnjë e palodhur në mbështetjen saj në ngjarje të tilla në kryeqytet ishte Ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku. Një ekspozitë me fotografi nga Atdhe Mulla, nën kujdesjen e Eliza Hoxhës sillte pamje që fjalët shpesh nuk arrijnë t’i përcjellin.
Ish-Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e ka vënë rrjetin e saj të lidhjeve ndërkombëtare të krijuar prej aktivizmit të pas daljes nga politika në shërbim të kauzës së vajzave dhe grave të përdhunuar në kohën e luftës. Ajo u tregua në 30 prill një zëdhënëse e fuqishme e tyre. Me përvojën e fituar tani në dhjetëra veprimtari ndërkombëtare ajo është një pasuri më shumë në këtë lëvizje që filloi vonë dhe në mënyrë të druajtur po që pak e nga pak po merr vëendjen që meriton.
Vetëm pak ditë më parë, në Këshillin e Sigurimit, të OKB-së u debatua dhe votua pikërisht për të ndaluar e dënuar përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte. Kosova që duhej të ishte nga shembujt më tragjikë mungonte në raportin selektiv të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. I vetmi vend që e kërkoi në fjalën e saj ishte Shqipëria. Nuk duhet të mungojë më ky shembull dhe më shumë duhet bërë që të njihet kjo tragjedi.
Në fund, e gjithë kjo ditë e madhe e 30 prillit nuk do të kishte ndodhur pa trimërinë dhe guximin e Ilir Bytyqit dhe Vasfije Krasniqi Goodman. Po ashtu si dikur në vitet 1990, suksesi i shqiptarëve në protestat në Washington nuk do të kishte ndodhur pa qendresën heroike të popullit shqiptar në Kosovë, e në trojet e mbetura jashtë Shqipërisë.
Duke e ndjekur transmetimin e drejtpërdrejtë ishte e pamundur të mos emocionoheshe nga tregimi i zonjës Krasniqi Goodman. Pak janë ata njerëz që kthehen thellë në kujtesën e tyre, jo vetëm për t’u përballur me burimin e traumës së tyre, po për ta shpalosur atë në sytë e gjithë botës në emër të një qëllimi më të lartë. Çfarë guximi i kësaj Shote Galice të kohës sonë. Në shoqërinë tonë turpi ka vrarë nganjëherë më keq se plumbi. Po turpi duhet ta kenë mbi kokë kriminelët serbë dhe jo shqiptaret që mbijetuan si heroina e pa kontributin e tyre nuk do të kishte qendresë në dekada ndaj pushtuesit serb.
Nuk është e lehtë të flasësh si Ilir Bytyqi për tre vëllezër, me të cilë je rritur, e ke ndarë një jetë e të cilët nuk do t’i takosh më kurrë. Njeriu bën paqe – mbase – me faktin e humbjes së njeriut të dashur në luftime. Po të ekzekutohen tre qytetarë amerikanë, kur lufta ka mbaruar, kur i vetmi “krim” ka qenë ndihma e një familjeje të një race tjeër, kur vetë gjykatësi vendos lirimin e tyre, me çfarë autoriteti u zbrazën ato plumba e kush qenkan këta kriminelë që meritokan shpëtimin nga drejtësia. Ilir dhe Fatosi kanë mbijetuar dhe dhimbjen e prindërve të tyre, me kujtimin e vëllezërve të humbur. Po jeta e tyre ka një qëllim. Ashtu si Vasfija ata kërkojnë vetëm një gjë të thjeshtë: drejësi.
Ashtu si u shpreh kongresisti Engel, nuk ka asnjë justifikim që 20 vjet më vonë ende nuk ka asnjë të ndëshkuar për këto krime.
30 prilli shënoi edhe një pikë kthese në historinë e vetë Kosovës. Për herë të parë, u kërkua rishikimi i Gjykatës famëkeqe Speciale për Kosovën. Si u shprehën zotërinjtë Engel dhe Williams, nuk mund të ketë gjykatë në botë që gjykon në baza etnike. E ngritur për të ndëshkuar krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë e që u kanë shpëtuar drejtësive shtetërore e asaj në Hagë, Gjykata Speciale nuk mund të merret vetëm me shqiptarët. Kriminelët serbë që menduan se i shpëtuan drejtësisë duhet ta dinë se nuk ka mbaruar ende. Ashtu si kriminelët nazistë që ende kërkohen në ditët tona, kushdo që ka mbijetuar prej tyre, ashtu edhe për fashistët gjakpirës të Millosheviqit, gjurmimi nuk do të mbarojë kurrë. Nuk do të flenë më të qetë.

Comment

*