Rikthimi në Vlorë

Besnik Imeri

 (TAKIMI ME TË PAVDEKSHMIT)

 

“Do ta kërkojmë Vlorën gjeneral. Do të bredhim si ҫifutët në shkretëtirë, por nuk do ta gjejmë më”.

Për gjeneralin nuk na ha malli, pse e humbi Vlorën. Por shqetësohemi se Vlorën, po e humbasin vetë vlonjatët. Si po e humbasin, do të thoni ju. Ja tek është, nuk ka lëvizur nga vendi. Vërtet, nuk ka lëvizur nga vendi. Por Vlorës po i humbasin dhe po i harohen vlerat e saj. Vlorës po i tretet shpirti i saj, lëngu jetësor që e mban gjallë. Vlorës po i humbet kujtesa dhe ajo është kthyer në një qytet me shumë banorë, të cilët për ditë e më shumë po kthehen në qënie sklerotike. A ka shërim kjo sëmundje? Po ka. Kush është bari shërues jetëdhënës? Thjesht rikthimi i kujtesës nëpërmjet nxjerrjes para syve të banorëve të Vlorës të atyre vlonjatëve, që me bëmat e tyre i kanë dhënë emër asaj.

Si mund të nxirren para syve të vlonjatëve këto figura të larta dhe të nderuara të qytetit të Vlorës dhe të gjithë Labërisë (Arbërisë)? Shume thjesht. I përjetësoni në statuja. I derdhni në bronz të gjallët dhe të vdekurit. Njëkohësisht zbukurojeni qytetin tuaj o vlonjatë. Mbusheni me buste dhe shtatore.

Përvoja në Vlorë nuk mungon. Para 60 vjetësh shëtitorja Vlorë-Skelë ishte e mbushur me statuja. Statujat dhe portokallet ishin zbukurimi i kësaj shëtitorje, pa haruar lulishtet me lule shumëngjyrëshe që e mbushnin këtë shëtitore. Në parkun “Lirija” ishin bustet e heronjve të popullit, ata që derdhën gjakun dhe vunë në altar të lirisë rininë e tyre. Por në këtë park kishte edhe shatërvanë të mëdhenj të zbukuruar me trupat e peshkatarëve dhe delfinëve. Kjo shëtitore dikur rezatonte kulturë dhe bukuri. Nga gjithë këto zbukurime, tek vendi që dikur quhej “Aulona”, si i fundit i Mohikanëve, ka shpëtuar statuja e peshkatarit, si një dëshmitar i qytetërimit të dikurshëm të Vlorës dhe si për t’u treguar brezave të sotëm, bukurine e Vlorës në rininë e saj, atëhere kur kryetar i qytetarëve të Vlorës ishte i paharueshmi Kristo Papajani, ideatori i dy parqeve të bukura, atij “Rinia” dhe atij “Liria”. Dhe së fundmi, si qershija mbi tortë, në atë kohë Vlora kishte lulishten më të madhe dhe më të bukur në Shqipëri. Aty ndodheshin të gjitha lulet dhe trëndafilat dhe brenda saj kishte dy shatërvanë të mrekullueshëm. Lulishtet e Tiranës në atë kohë, dukeshin si varfanjake para saj.

Po e fillojmë nga arti dhe kultura. Vlora është qyteti i kulturës. Ҫfarë na the?!! Do të thotë ndonjë. Qytete të kulturës mbahen Shkodra dhe Korҫa. Vlonjatët i mbajnë si njerëz të pushkës dhe të dyfekut. Vlonjatët, mjaft shqiptarë i njohin për njerëz të ashpër. E kini gabim. Edhe Luani mund te mbaje në gojë midis dhëmbëve një fëmijë të porsalindur dhe nuk i sjell as gërvishtjen më të vogël. Të tillë janë edhe vlonjatët; të dashur, mikpritës dhe të butë.

Doni një shëmbull sa për aperitiv? Po u tregojmë të fundit; koncertin e Teatrit të Operas dhe Baletit. Vetë drejtoresha, Zana Ҫela, pohoi se biletat për shfaqjen në Vlorë ishin shitur dy ditë para; gjë që nuk u kishte ndodhur, as në Korҫë dhe as në Shkodër. Por këtu nuk është puna për të mohuar vlerat e qyeteteve si Shkodra dhe Korҫa, si qytete të kulturës; gjë që as që vihet në diskutim. Por, për të nxjerrë në pah ato vlera që i ka edhe qytetit i Vlorës.

 

TRINITË E SHËNJTA TË VLORËS

Vlorës zoti ja ka dhënë kuintesencën, gurët e ҫmuar kulturor nëpërmjet numrit magjik tre. Kjo është një trini e shënjtë që, edhe për të bindur ata që nuk duan ta besojnë, ajo përsëritet disa here me rradhë. Rëfejmë disa nga këto trini:

-Vlora ka tre poete mëdhënj: Ali Asllani, Shefqet Musaraj dhe Fatos Arapi. Në Pogradec, pogradecarët i kanë ngritur një statujë poetit të liqerit. Po vlonjatët ku janë, pse nuk i ngrenë një statujë Ali Asllanit, kryeqytetarit erudit të tyre, i cili jo vetëm ka shkruar për Vlorën; por edhe ka bërë shumë për të: Ka bërë shtizën e flamurit; ka bërë kullen e sahatit; si dhe ka qënë kryebashku më dinjitoz, më kurajoz, më trim dhe më i suksesshëm i Vlorës. Ka qënë ai burrë, që ndonëse Vlora ishte nën pushtim detyroi gjeneralin Italian, Pianҫentinin, të hiqte flamurin Italian nga arkivoli i Ismail Qemalit dhe të vendoste flamurin shqiptar; gjë që nuk patën guximin dhe kurajon që ta bënin as vetë djemtë e Ismail Qemalit.

Ky ishte Ali Asllani. Sa nga banorët e Vlorës së sotme e njohin Ali Asllanin? Shumë pak. I është bërë këtij burri një dokumentar televiziv shumë i mirë nga një televizion lokal dhe me ndihmën e një bashkie të shkuar nga dy vlonjatë të nderuar, njeri thesprot dhe tjetri kudhësjot. Por nuk mjafton. I ngrini një shtatore këtij burri shteti, këtij patrioti të madh dhe këtij poeti të jashtëzakonshëm. Nuk keni ku ta ngrini?! Jua them unë. Ngrijani tek lulishtja e poetëve në Skelë. I vendosni në krah xha Shefqetin dhe Fatos Arapin.

-Por Vlora ka edhe tre piktorë të mëdhenj. Ata janë Trinia e shënjtë e pikturës: Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi dhe Rakip Shabani. Janë ata që bënë dhe po bëjnë histori në pikturë. Janë ata që formuan shkollën vlonjate në pikturë, që unë do të thosha: Jo shkollë; Por Akademi. Ata janë ende gjallë. U ngrini të treve nga një shtatore për së gjalli dhe bëjini të pavdekshëm. Pasi ata në të vërtetë të tillë janë, duam apo nuk duam ne. Ata janë të tretur përjetësisht në ngjyrat e qiellit, të maleve dhe të detit të Vlorës. Ua ngrini në daҫi në Skelë, por në daҫi edhe në Ujin e Ftohtë, apo tek Kalaja, ose sipër mbi Belvedere. Por mund t’ua ngrini edhe tek “Anëdetsja” e mrekullueshme, një dhuratë e bukur e qeverise shqiptare per qytetarët e Vlorës. Në ato vënde ku ata me penel në dorë përqafuan dhe puthën plot dashuri dhe me një zjarr të shënjtë patriotik Vlorën tonë të dashur, Sazanin dhe Karaburunin.

-Vlora ka edhe një trini, e cila ka meritën që është shfaqur e para në Vlorë. Ajo është quajtur “trioja vlonjate” e përfaqësuar nga këngëtarja e shquar Meliha Doda në shoqërinë e Reshat Osmanit dhe Kostandin Thanës. Kjo trio e shquar e ngriti në piedestal këngën qytetare vlonjate.

-Trion Vlonjate e ndjek edhe një trini tjetër, por kësaj here këngëtare: E paharueshmja Anita Bitri, e cila pas Vaҫe Zelës I ngriti këngët e muzikës së lehtë shqiptare në majat më të larta të paarritshme nga këngëtaret e tjera; Kleopatra Skarҫo (Dokle), e cila pasoi në këngën qytetare vlonjate Meliha Dodën dhe Aurela Gaҫe që me këngën e saj “S’jam Tribu” nderoi jo vetëm Vlorën por gjithë Shqipërinë.

-Trinia e rradhës është ajo e fushës së humorit, të cilët janë edhe themeluesit e estradës së Vlorës: Leka Kruta, Myqerem Ferra dhe Gaqi;

-Trinia e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, janë parodistët e Vlorës: Agron Hamo, Muhamet Lika dhe Afrim Agalliu.

Ata, të cilët, ashtu si piktorët vlonjatë u futën denjësisht në humorin shqiptar me ngjyrimin vlonjat duke e ngritur parodinë shqiptare në nivelin më të lartë artistik me tekste të jashtëzakonshme dhe duke i kënduar ato me një interpretim virtuoz me meloditë e këngëve të shquara të huaja dhe shqiptare; duke shfaqur në të njëjtën kohë mënyrën më brilante edhe kombinimin e shkëlqyer të një nëntrinie tjetër: tekst, interpretim dubël (artistik dhe këngëtar) dhe një melodi e jashtëzakonshme. Ai që nuk di gjuhën shqipe mbetet i mahnitur nga loja e tyre, interpretimi dhe melodia e këndshme që nuk do të mbarojë.

Godina, që ne vlonjatët e vjetër e kemi quajtur Kino-Teatri, ka nxjerrë këto katër trini të shënjta që përmendëm më lart, të cilat sëbashku, përsëri formojnë numrin e shënjtë 12. Të dymbëdhjetëve mund tu bëni nga një bust dhe t’i vendosni aty tek sheshi i vogël I teeatrit “Petro Marko”, I rradhisni gjashtë e nga gjashtë dhe aty, në daҫ në rradhë me ta, në daҫ ne krye të tyre, vendosni edhe barba Petron, këtë shqiptar dhe shkrimtar të madh të Dhërmiut.

Bashkojuni këtyre dhe të Madhin Albert Veria. Ngrijani një statujë këtij aktori të shquar (ku ta shikoni më të arësyeshme), që aq shumë e deshi Vlorën dhe Vlonjatët; sa që për ta sakrifikoi edhe karierën e vet artitistike, gjë që e ka pohuar me gojën e vet, qysh me gjallje. “Ollgës”, Violeta Manushit, ja kanë ngritur një shtatore në vendin ku ajo luajti “zonjën nga qyteti”. Po “Kapedanit” nuk i duhet ngritur një shtatore në Vlorë?!!!

Por Vlora ka edhe Kujtim Laron, kompozitorin e jashtëzakonshëm, sidomos në muzikën e filmave, por edhe në Gjini të tjera, i cili me muzikën e vet tregoi se nga Kaonia e Lashtë rrjedh vetëm kulturë dhe inteligjencë. Nderojeni o vlonjatë këtë artist të madh të muzikës, i cili me veprën e vet ka nderuar veten, por edhe Vlorën.

Por këtu është rasti që të mos harojmë edhe ata, që në vitet 80-të e bënë Vlorën të njohur në Europë, ekipin e futbollit të “Flamurtarit”. Ata që në zemër të Sërbisë, në Beograd, zbritën si një shqiponjë kuq e zi dhe e mposhtën galën krahëlëshuar verdhashe sërbe. Sot ka shumë skuadra futbolli shqiptare që kanë arritur dhe tejkaluar suksesin e “Flamurtarit” të Vlorës. Por të mos harojmë, se këto skuadra kanë lojtarëtë huaj,ose shqiptarë që kanë luajtur jashtë Shqipërisë. Por Vlora e viteve 80-të luajti me djemtë e Vlorës, të cilët pa frikë mund të themi që krijuan një skuadër të madhe me futbollistët e talentuar vlonjate me emër të madh. Nderojini dhe i kujtoni këta djem o vlonjatë, të paktën me një basoreliev, po të doni, atje ku edhe e meritojnë, në fasadën e stadiumit “Flamurtari”të Vlorës.

Meqënëse jemi tek sporti si pjesë e kulturës së një populli, një basoreliev e meritojne tek “Pallati i Sportit” edhe vajzat e basketbolllit te Vlores, të cilat në atë kohë dhe në këtë kohë, janë nga më të talentuarat e basketbollit shqiptar dhe shumë herë fituese të kampionatit dhe të kupave. Ndoshta është vendi që këtu të kujtojmë edhe ikonat e sportit vlonjat: Mexhit Haxhiu, Viktor Papavangjeli dhe Todi Driza.

Dhe së fundmi të mos harojmë këngën labe, e cila për nga vlerat e jashtëzakonshme që ka, është vlerësuar edhe nga UNESKO. Jo më kot, pasi kënga dhe vallja labe, e ashtuquajtura valle pirrike, kanë një moshë 12.000 vjeҫare. Ato janë kënduar dhe kërcyer nga djemtë e Ledës, Kastori dhe Polluski (të ashtuquajturit Dioskurët), që kishin për baba Zeusin; janë kënduar dhe kërcyer nga Akili; janë kënduar dhe kërcyer nga Odiseu; janë kërcyer dhe kënduar nga Pirroja i Madh; të cilët, nga ana e tyre, që të gjithë janë përjetësuar në statuja me qeleshen e famshme labe.

Në nder të kësaj kënge dhe valle të stërlashtë, ngrini një grup skulpturor dhe vendoseni në breg të detit, bash mu në skelë tek “Anëdetsja”. I vendosni p.sh, tek sheshi i madh tek “Bolonja” me shpinë nga deti, nga Karaburuni dhe Sazani; I vendosni mbi një podium të lartë, i cili të shërbejë edhe si vend ku të luhen shfaqje artistike. E meritojnë lebërit këtë vepër artistike, pasi pa lebërit dhe Labërinë nuk do të kishte Vlorë. Historia e ka vërtetuar këtë.

Bëjini këto gjëra o Vlonjatë, pasi janë në nderin dhe dinjitetin tuaj. Jepuni pavdekësine atyre që kanë kaluar në pavdekësi. I përjetësoni ata në buste dhe statuja, pasi të përjetshëm janë bërë. Bëjeni qytetin tuaj, Vlorën, qytetin e shtatoreve; ashtu siҫ e bëri Pirro Burri, kryeqytetin e vet, Artën; të cilat banditët romakë me në krye Pal Emilin i grabitën sëbashku me arin dhe argjendin dhe me to zbukuruan sheshet dhe rrugët e Romës.

Kjo është njëkohësisht një thirrje edhe për kryedeputetin e Vlorës, kryeministrin Edi Rama, i cili duhet të jetë edhe më i ndjeshëm në këtë drejtim, pasi vjen nga rradhët e artistëve, ndërkohë që babai i tij ka kontribute në Vlorë në ngritjen e Monumentit të Pavarësisë, një vepër e jashtëzakonshme që zbukuron së tepërmi sheshin historik të Flamurit.

Gjej rastin këtu t’u përkulem me mirënjohje këtij grupi autorësh, të cilët ngritën këtë grup skulpturor madhështor (të paarritshëm në ditët e sotme), ashtu siҫ ishte madhështore vepra e atyre burrave që shpallën pavarësinë e Shqipërisë Etnike (përfshirë të katër vilajetet) në Vlorë.

Në shënjë respekti dhe mirënjohje për këta artiste të mëdhenj që e kthyen Vlorën, të cilës i është dhenë titulli qyteti Hero, dhe në qytetin e kulturës dhe artit.

(Më falni për ndonjë haresë, ose mospërmëndje)

Vlorë më 3 shtator 2017. Besnik Imeri.

One Response to “Rikthimi në Vlorë”

Read below or add a comment...

  1. Ylli says:

    Besnik, te uroj sinqerisht per shkrimin. Jo vetem qe e vlen por eshte e domosdoshme dhe detyre e ketij brezi qe hapsira shqiptare te kultivoje historine e lavdishme, por dhe shkelqimin e sotem me vepra konkrete artistike,permendore, buste, monumente, basorelieve, dekorime objektesh te trasheguara historike, ringjallje objektesh me arkitekture te vlefshme (aktualisht te demtuara) etj., ashtu sic i ke te analizuara me frymezim artistik dhe pathos ne shkrimin tend. Me pelqen pa mase motivi qe te ka vene ne levizje: ringjallje ne forme artistike e shkelqimit historik dhe kulturor qe nuk na mungon, si detyrim qytetar dhe intelektual. Te pershendes Ylli Halilaj.

Comment

*