Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës – mes pandemisë dhe zgjedhjeve

Prishtinë, 4 janar 2021 – Kosova hyri në vitin 2021 me një krizë ekonomike për shkak të pasojave të pandemisë së Covid-19. Ekspertët thonë se rimëkëmbja ekonomike do të varet nga rrjedha e pandemisë por edhe situata politike të vendit që pritet të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi ka ndërruar dy qeveri gjatë vitit 2020.

Ekonomia e Kosovës vitin që lamë pas është përballur me një nga vitet më të rënda për shkak të pasojave nga pandemia Covid-19 por edhe krizave politika.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, thotë situata ekonomike gjatë vitit 2021 do të varet nga situata me pandeminë.

“Duhet të kemi një popullsi të shëndetshme në mënyrë që të funksionojë ekonomia prandaj e gjitha do të varet se si do të jetë reagimi dhe çfarë do të jetë trendi me virusin dhe në rast se ne jemi më të shpejt dhe ja arrijmë në mënyrë të suksesshme që të parandalojmë dhe të zvogëlohet rreziku nga virusi atëherë kthimi në ekonomi do të jetë i shpejt dhe me më pak pasoja”, tha ai.

Blendi Hasaj nga Instituti për Hartimin e Politikave GAP thotë se pandemia COVID-19 e gjeti Kosovën në një gjendje të rëndë, me papunësi të lartë, kapacitete prodhuese te ulta dhe gjithashtu me biznese të vogla familjare me paqëndrueshmëri financiare.

“Vetëm në periudhën janar-tetor të vitit 2020 qarkullimi i deklaruar nga bizneset i lajmëruar nga bizneset në Administratën Tatimore të Kosovës ka rënë me rreth një miliardë euro krahasuar me periudhën 2019 po ashtu vetëm në periudhën janar-tetor ne kemi një dyfishim të punë kërkuesve në agjencinë e punës dhe ndikimet tjera në ekonomi”, tha ai.

Gjatë vitit që lamë pas, qeveritë e Kosovës, u përpoqën të mbështesin të goditurit nga kriza, por ekonomistët thonë se mbështetja ishte e vonshme dhe do të duhej të kategorizohet në sektorë të ndryshëm.

“Ato duhet të ristrukturohen në atë formë që të gjejë sektorët më produktiv dhe të cilat mund të kenë shancën në këtë moment që të bëhet zëvendësimi i importit apo edhe të gjejë degë të themi potenciale për të rritur eksportin”, tha zoti Musa.

“Nëse në vitin 2021 qeveria e ardhshme apo në detyrë arrin që të realizojë një pako të rimëkëmbjes që ka një madhësi totale të baras vlefshme ndoshta edhe me dëmin që është shkaktuar nga pandemia atëherë ne mund të presim një zhvillim pozitiv të ekonomik gjithmonë duke pasur parasysh që edhe përhapja e virusit të ngadalësohet dhe kriteret që realizon qeveria gjatë aplikimit të masave të jenë të drejta dhe të janë të duhurat”, tha zoti Hasaj.

Kosova përgjatë vitit 2020 u përball edhe me krizë politike dhe viti i ri e gjeti në prag të zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare. Sipas ekonomistëve kjo pritet të ndikojë po ashtu në situatën ekonomike për shkak të paqëndrueshmërisë politike.

“Kosova po e fillon vitin 2021 me një proces të ri zgjedhor dhe tash varësisht se sa merr kohë krijimi i qeverisë së re pas përfundimit të zgjedhje dhe gjithashtu sa do të jetë ritmi i përhapjes së virusit Covid-19 gjatë vitit 2021 atëherë këta faktorë do ta ndikojnë ndjeshëm edhe procesin ekonomik të vendit”, tha zoti Hasaj.

“Dhe është fatkeqësi sepse në këto vite të krizës së mëdha të pandemisë mendoj se kriza politike është me e rëndë se sa kriza e pandemisë sepse nuk po arrin politika në Kosovë që të gjej një stabilitet që pastaj do të reflktohej edhe në ekonomi, fatkeqësisht politika në Kosovë ka qenë njëra ndër arsyet kryesore pse ekonomia e Kosovës ka stagnuar edhe mund të them se do të ishte gjëja më pozitive po të kishim një stabilitet politik”, tha zoti Musa.

Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Kosovës viti 2020 lë parapa një rënie ekonomie prej 7.2 për qind, duke thelluar problemet edhe ashtu të shumta të bizneseve në vend.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)

Comment

*