Rita Ora e ndezi atmosferën në Tiranë

Tiranë, 3 qershor 2018 – Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka mbajtur një koncert fantastik në Tiranë, të dielën në mbrëmje.

Ajo i ka performuar para publikut shqiptar në sheshin “Skënderbej” disa nga hitet më të mëdha të karrierës së saj.

E veshur në ngjyrë të verdhë e me flokë me ngjyrë të kuqe, këngëtarja shqiptare ka treguar se janë ngjyrat e flamurit ato që e çuan drejt këtij ndryshimi të jashtëzakonshëm.

Momenti më kulminant ka qenë ai kur këngëtarja bashkë me valltarët e kanë kërcyer vallen e Rugovë, njësoj siç kishin bërë edhe në koncertin e 17 shkurtit, në Prishtinë.

Pas përfundimit të këngës “Lonely together”, Rita ka bërë një përshëndetje për DJ-në e ndjerë, Avicii, meqë këtë këngë e kishte realizuar në bashkëpunim me të.

“Një përshëndetje për Aviciin, ju lutem!”, ka thënë ajo pas mbarimit të performancës.

“Anywhere” ka qenë kënga e fundit që Rira Ora e ka performuar për fansat shqiptarë në Tiranë.

Gjatë interpretimit, ajo ka dhënë një mesazh shumë të veçantë, duke thënë se secili mund të bëhet kushdo kudo.

Pasi e ka përfunduar interpretimin e këngës së fundit, ajo është kthyer nga publiku për të bërë një fotografi me ta.

“Ju dukeni të gjithë shumë bukur. Faleminderit  që ishit këtu! Mirupafshim!”, është shprehur këngëtarja shqiptare duke u larguar nga skena.

Dalja e saj nga skena është përcjellë me fishekzjarre, të cilat kanë ndriçuar për disa çaste qytetin e Tiranës, raporton Telegrafi. (r.m.)

Comment

*