Rita Ora: Projekti im për femrat kosovare

Londër, 21 shtator 2016 – U largua nga Kosova kur ishte vetëm 1-vjeç, ndërsa shumë vite më vonë do të bëhej Ambasadore Nderi e vendlindjes së saj.

Për Rita Orën, ky titull është një nder të cilin duhet ta meritojë.

Në një intervistë me “Vanity Fair”, ku ajo pati një rrëfim të gjatë për jetën dhe karrierën, bukuroshja tregoi se është duke punuar me UNICEF-in për një projekt që ka në fokus femrat kosovare.

“Jam ndoshta nga artistet e pakta nga Kosova të cilat janë të suksesshme. Femrat atje nuk e kanë lirinë për t’u shprehur, në kuptimin pa u gjykuar, pa frikën e ndëshkimit dhe zëri i tyre nuk dëgjohet. Kam takuar vajza nga 10 deri në 30-vjeç dhe jam duke punuar me UNICEF për të krijuar një platformë ku këto femra mund ta shprehin veten”, ka thënë ajo.

Rita nuk është vetëm një këngëtare. Tashmë ajo ka lënë gjurmë edhe në fushën e modës, me një linjë veshjesh, në kinema, duke aktruar në disa filma, si pjesë e jurisë në spektaklet e talenteve si “The Voice” apo “X Factor” dhe tani në “America’s Next Top Model”.

Pavarësisht prej angazhimeve të shumta, Rita Ora i premton besnikëri asaj që ajo e quan “dashuri e parë” – muzikës.

“Motra ime, Elena, dhe unë e krijuam një markë, pavarësisht se pjesa e muzikës është e vështirë, ne nuk ndaluam dhe u bëmë profesioniste në të tjera gjëra. Por, muzika është dashuria ime e parë, është arsyeja pse jam këtu ku jam sot”, është shprehur Ora, transmeton Koha.net. (r.m.)

Comment

*