Roald Dahl, në shqip, një miqësi 30-vjeçare

Naum Prifti

Miqësia ime mbi tridhjetëvjeçare me shkrimtarin me origjinë norvegjeze filloi kur Brikena Çabej, aso kohe Drejtuesja e Redaksisë së Jashtme sikurse quhej Redaksia e Përkthimeve në Tiranën e periudhës para ndërrimeve politike, më dha për recension romanin THE BIG FRIENDLY GIANT. E dija se Roald Dahl ishte shkrimtar norvegjez, i cili shkoi në Angli qysh kur ishte fëmijë dhe aty u rrit, edukua dhe shkollua. Romani më mahniti me fantazinë dhe humorin e derdhur natyrshëm. Ishte e qartë se përkthimi kërkonte më shumë se njohje të gjuhës angleze, për të mos humbur shpotinë e gjuhës dhe vlerat e përmbajtjes. “Gjuha fantastike” e gjigantit nuk më hiqej nga mendja dhe shpesh përsëritja me vete variante të tingëllimit të shprehjeve të tij në shqip. Kur Brikena më tha se nuk mund të gjente dikë që ishte edhe përkthyes edhe humorist, gjiganti dhe unë nisëm rrugën drejt hyrjes në panteonin e përkthimeve humoristike. Roald Dahl është mjeshtër i lojës me fjalë dhe togfjalësha, me kompozita, me parashtesa dhe prapashtesa. Sa për të dhënë një shembull, autori vë në gojën e gjigantit fjalë si HUMAN BEANS në vend të HUMAN BEING, që në shqip do të përkthehej nga QENIE NJERËZORE në NJERI FASULE duke humbur humorin e frazës. Natyrisht, shqipërimi shkonte më larg se përmbajtja gjuhësore. Për të ruajtur humorin dhe për të arritur efektet përkatëse komike të veprës origjinale, së pari m’u desh të mësoja teknikat e humorit englez të përdorura nga Dahli në veprën e tij, sikurse transpozicionet e rrokjeve brenda fjalës, të cilat ia ndryshonin krejt kuptimin fjalës.

Për një vështrim krahasimor studiova përkthimin e GJMM në gjuhën italiane, ruse dhe franceze. Ndryshe nga dy të parat të shoqëruara me shënime shpjeguese për lojrat e fjalëve, përkthimi në frëngjisht kishte shmangur përkthimin ad verbatum dhe përkthyesi kishte gjetur adekuatet e sakta dhe efektive të gjuhës frënge. Unë vendosa të ndjek një metodë të ngjashme. Gjiganti bën “gabime” të hatashme kur flet, por justifikohet se nuk ka patur fatin të shkojë në shkollë. Kështu në vend të fjalës zarzavate, ai thotë zjarrzavate, në vend të fjalës rinoceront, gjiganti thotë rinoqeros, për misterioze, ai thotë mishorizore, për llafazan ai thotë llafefazan, në vend të gjepura ai thotë gjel-pula. Së dyti, unë krijova disa neologjizma ose modifikime fonetike e kuptimore për t’iu përshtatur morfema të Dahlit. Sa për ilustrim nga pasthirrma Puh, krijova foljen “puhas”, si edhe emrin “puhatje,” si një veprim që kryhet kur ai i fryn një tubi për të dërguar në dhomat ku flenë fëmijët ëndërrat që ka mbledhur në fushë dhe ata kësisoj shohin ëndërrat që ka përzgjedhur ai. Gjiganti del ndër fusha e kodra për të kapur ëndërrat dhe i kap ato si fluturat me një shtagë të gjatë që ka në krye një rrjetë teli, pastaj i përzjen ato si do vetë, madje disa i bën të frikshme, fytangushtore, sikurse u thotë atyre që të kallin tmerrin duke të zënë fytin apo grykën. Një shembull tjetër: nga fjala trangull që është ushqimi i zakonshëm i gjigantëve krijova teleshtrangull për t’i dhënë një kuptim më modern me anë të parashtesës “tele” të përdorur në terma të teknikës si teletajp, teleks, televizor. Po ashtu shqipërova dhe emrat e disa gjigantëve si Lokma-llupësi, Plëncdaullja, Ripërtypës i Kockave.

Përkthimi u mirëprit nga lexuesit dhe kritika, e cila u shpreh me entuziazëm se Naum Prifti e bëri Gjigantin e Madh të Mirë të flasë shqip. Madje disa nga frazat e Gjigantit autodidakt si psh teleshtrangull u përhapën me shpejtësi duke hyrë në përdorimin e përditshëm si qyfyre.

Për mua, përkthimet janë po aq të vlefshme sa edhe krijimet e mirëfillta. Prandaj pas suksesit të Gjigantit, unë përktheva një nga titujt klasik të letërsisë botërore Çarli dhe Fabrika e Çokollatave nga i njëjti autor. Aventurat e z. Vili Vonka, Umpa-Lumpave dhe Çarlit i japin lexuesit kënaqësi si edhe disa mësime praktike të stilit Dahl-ian. Them se miqësinë e vjetër me krijuesin e personazheve të paharrueshme letrare dhe mjeshtrin e lojrave të fjalëve vazhdoj ta ruaj. Bashkëpunimi im i tretë me gjeniun e letërsisë është libri Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami ku historitë e zotit Vonka dhe Çarlit arrijnë stratosferën në kuptimin e vërtetë dhe figurativ të fjalës. Në një shtrirje kohore mbi tri dekada i kam dhënë lexuesit shqiptar mundësinë të shijoj gamën e pasur të fantazisë dhe humorit të Roald Dahl-it në tri vepra klasike: Gjiganti i Madh i Mirë, Çarli dhe Fabrika e Çokollatave dhe Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami.

 

Autori Roald Dahl është bërë i njohur dhe i dashur për lexuesin shqiptar, falë përkthimit mjeshtëror të veprave të tij nga Naum R. Prifti.

Comment

*