Robert Elsie – përhapësi më i madh i kulturës shqiptare në botë

Prishtinë, 4 tetor 2017 – Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës sot (e mërkure) u mbajt mbledhje komemorative për anëtarin e jashtëm të saj, albanologun e shquar kanadez, Robert Elsie, i cili u shua më 2 tetor, nga një sëmundje e rrallë.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, në fjalën e tij të hapjes, e vlerësoi Robert Elsie-n si “njërin nga albanologët më në zë të kohës sonë” dhe si “studiuesin, përkthyesin, hulumtuesin e palodhshëm të arkivave e dokumenteve të hershme që dëshmojnë kulturën dhe traditën e lashtë shqiptare në këto troje”.

Akademik Islami tha se Robert Elsie ishte i angazhuar në shumë veprimtari të Akademisë dhe përkrahës i madh i saj.

“Dr. Robert Elsie ishte jo vetëm studiues dhe hulumtues i gjithanshëm, por edhe miku dhe kolegu ynë, i afërt dhe i pranishëm në shumë aktivitete të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i angazhuar dhe i përkushtuar për të na mbajtur krahun edhe në momentet më të vështira’, theksoi ai.

Akademik Islami bëri edhe një rezyme të kontributeve të Elsie-s në fushën e albanologjisë.

“Veprimtaria e dr. Elsie-t dhe interesimet e tij për gjuhën, letërsinë, historinë dhe traditën shqiptare janë aq të gjera sa ndonjëherë kapërcenin dhe kufijtë disiplinorë. Në kërkimet e tij në arkiva dhe dokumente të hershme ai mblidhte, sistemonte dhe publikonte kontribute të veçanta, nga ato gjuhësore, historike, etnografike deri te zhvillimet më të reja të artit dhe të letërsisë sonë. Veçanërisht për ne janë të rëndësishme interesimet e tij për Kosovën, studimet e gjithanshme dhe përkthimet e autorëve tanë në gjuhë të tjera. Janë të shumtë botimet e hartuar apo të përgatitur nga Elsie që panë dritën edhe tek botuesit kosovarë në shqip, apo në gjermanisht, frëngjisht e anglisht dedikuar lexuesve të huaj apo komunitetit ndërkombëtar në Kosovë”, tha ai.

“Dr. Elsie mbetet pa dyshim përhapësi më i madh i kulturës shqiptare në botë”, theksoi kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami.

Akademik Rexhep Ismajli, i cili kishte raporte të shkëlqyeshme kolegiale e miqësore me Robert Elsie-n dhe bashkëpunim të frytshëm në projekte me rëndësi të veçantë shkencore, kulturore e historike, bëri portretizimin e figurës komplekse të Elsie-s.

Ai tregoi se me Elsie-n kishte komunikim të rregullt për projekte dhe veprimtari të ndryshme, deri tri ditë para se ai të shuhej.

“Javën që shkoi po komunikonim lidhur me programin e Konferencës së këtij muaji për studimet albanistike në botën ku flitet gjermanishtja dhe po bënim llogari për bashkëpunime të mëtejme, Roberti nuk përtoi të çonte mesazhin vlerësues për përgatitjet e konferencës, por njëherësh tregonte se ndodhej në spital dhe nuk e dinte nëse do të ishte në gjendje të vinte vetë. Vetëm tri ditë pas kësaj na erdhi kumti i zi.

Akademik Ismajli theksoi se Elsie vdiq “në kulmin e pjekurisë intelektuale me horizont të pritjes reale për shumë vepra me vlerë që do të na sillte”.

Ai bëri edhe një profil të Elsie-s si albanolog.

“Profili i tij prej studiuesi është i gjerë, kështu që ndihmesat e tij në albanologji shtrihen në shumë aspekte, në radhë të parë në fushat e studimit të letërsisë, të studimit të kulturës, të folklorit dhe të mitologjisë shqiptare, në fushën e gjuhës, etj. Njihet si hulumtues këmbëngulës i dokumenteve dhe i dokumentimit të historisë shqiptare dhe i botimit të dokumentacionit në origjinalin e tij, po shpesh dhe me përkthime qoftë anglisht, qoftë shqip”, tha Ismajli.

Ai bëri një prezantim përmbledhës të kontributeve të Elsie-s në fushën e gjuhësisë, letërsisë, historisë, kulturës e trashëgimisë shqiptare, ndërsa kontributin e tij në afirmimin e letërsisë e kulturës  shqiptare në botë e cilësoi si të jashtëzakonshëm.

“Ndihmesat e Robert Elsie-s për njohjen ndërkombëtare të kulturës dhe të botës shqiptare kanë qenë të jashtëzakonshme dhe në drejtime të ndryshme”, tha ismajli.

Në përfundim të fjalës së tij, ai vlerësoi se shuarja e Robert Elsie-s është një humbje e madhe për albanologjinë.

“Shuarja e tij është një humbje e madhe për albanologjinë në përmasat ndërkombëtare, është humbje e një miku të madh të botës shqiptare, e një dijetari të papërsëritshëm. Vepra e tij do të vazhdojë të rrezatojë dritë, dije e informacion për botën shqiptare”, tha akademik Rexhep Ismajli.

(r.m.)

Comment

*