Romani i katërt në suedisht i Hamit Gurgurit

“Në kthetrat e sigurimit”, botoi shtëpia botuese “Erik Hans”, Suedi, 2014.

Këto ditë në botim të Shtëpisë Botuese “Erik Hans”, në Suedi, doli nga shtypi romani i katërt në suedisht i shkrimtarit shqiptar Hamit Gurguri.

Romani bën fjalë për një refugjat nga Kosova, i cili pas torturës së përjetuar, arratiset dhe kalon kufirin në Suboticë, veshur në uniformë të hekurudharit. Ai arrin në Suedi, por edhe atje nuk e lënë të qetë. Një bashkatdhetar ia zgjat gishtin dhe e paraqet në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror suedez si atentator potencial. Atë sigurimi suedez e vë nën vezhgim dhe nën përcjellje permanente. Pas një kohe atij i ofrohet të bëhet bashkëpunëtor i këtij shërbimi, por ai refuzon kategorikisht.

Pritja e tij e gjatë e vë në sprovë edhe në Suedi dhe pas pesë vjetësh, i ndihmuar nga miqt suedezë me të cilët kishte kaluar shumë kohë në aktivitete të ndryshme, lirohet nga dyshimi. Ai kurohet deri në ditën e Epopesë së Prekazit. Pas masakrës në familjen e Jasharajve në Prekaz, ai vendos t’u bashkohet njësive të çlirimtarëve. Arrin në Shkup, ku arrestohet nga shërbimi sekret serb, nga i cili ai kishte ikur disa vjet më parë…

Romani është një përshkrim ngjarjesh shumë dinamike të një periudhë 5 vjeçare.

Hamit Gurguri ka një opus të gjerë veprash letrare. Deri më tash i ka botuar 20 vepra në gjuhën shqipe dhe në gjuhët sllave. Ky është romani i katërt i shkruar dhe i botuar në gjuhën suedeze.

Në të gjitha veprat e Gurugurit, shumica e personazheve dhe e ngjarjeve bazohet në të ndodhurat e jetës, por natyrisht këto përshkruhen nga këndi i krijuesit.

Gurguri është edhe përkthyes i zellshëm. Deri mëe tash i ka përkthyer dhjetra libra nga suedishtja në shqip.

Hamit Gurguri është anëtar i lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë. Jeton dhe krijon në këtë shtet skandinav.

Ramadan Reshitaj

Comment

*