RRËFIMET PËR ROBËRINË DHE LIRINË, OSE SHTEGTIMI I PAMBARUAR I NJË DISIDENTI

(Përkitazi me librin ‘’RRËFIME LIRIE – Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës’’, e autorit Shaqir Salihu, botoi ‘’Faik Konica’’, Prishtinë)

 

Nga Emin AZEMI

(Fjala e autorit në përurimin e librit në Prishtinë, nëntor 2017)

Shaqir Salihu, një fëmijë i lindur në luftë, në një fshat ku kishte berber dhe dentist dhe ku banorët nuk e dinin nëse ishin turqë a shqiptarë, por që e dinin me saktësi se nuk ishin sllavë, do ta provojë në shtegtimin e tij të gjatë gjithë parabollën e zhvillimitt dialektik të jetës, e cila kufizohej brenda ekstremeve, kthesave të lumtura herë herë, por edhe paradokseve.

Libri ‘’RRËFIME LIRIE – Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te “Zëri i Amerikës’’ është i organizuar si një tërësi organike me një funksionalitet të brendshëm përmbajtësor, i ndarë në tri pjesë: PJESA E PARË – RINIA IME NË KOSOVË, BURGU POLITIK DHE NISJA E MËRGIMIT, PJESA E DYTË, ZËRI I AMERIKËS SHQIP: ARRITJET DHE PËRPLASJET NË MEDIEN EPOKALE, PJESA E TRETË VEPRIMTARIA E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

Djalëria e Shaqir Salihut kaloi duke matur mallin e tij përvëlues për vendlindjen me hapat e vegjël por të sigurt të ngritjes në karrierë, fillimisht jashtë fushës së gazetarisë, për të vazhduar dhe burrnuar ciklin e gjatë por të frytshëm të jetës e punës në një medie prestigjioze ndërkombëtare siç është ‘’Zëri i Amerikës’’ sepse ‘’Historia e Zërit të Amerikës nuk është vetëm historia e një medie, por edhe historia e një galerie të tërë personazhesh që kishin parakaluar aty, ishin personazhe të rëndësishme që kishin lënë gjurmë në kohën kur kishin jetuar e vepruar’’, shkruan autori.

E kisha dëgjuar zërin e tij jo rrallë në eter dhe pati momente kur bashkëpunuam ngusht gjatë periudhës së shkurtër sa isha raportues i kësaj radioje nga Shkupi, në fillimet e nëntëdhjetave.

E di se Shaqa, siç i thoshim atëherë e sot, ishte shumë i ngrohtë në komunkim dhe përvojën e tij mundohej t’ua bartte edhe të tjerëve jo duke e bërë me imponim e diktat por me takt e mirësjellje të një njeriu që mbi të gjitha çmonte korrektësinë në punë.

Ai me këtë libër që sot kemi në duar, po na thotë se për të qenë i ndershëm nuk mjafton ta duash atë që të takon, por edhe të sakrikohesh për atë që të mungon.

Është e gjatë lista e atyre gjërave që shqiptarëve iu kanë munguar, me shekuj, madje shumë prej tyre i kishte provuar në lëkurën e tij edhe vet autori, dhe pasi ta kemi lexuar këtë libër, do ta kuptojmë se sakrificat individale kolektive të shqiptarëve kanë patur një cak të vetëm: Lirinë e atdheut të tyre, të cilit serbët i thoshin ‘’Kosovo i Metohija’’, kurse shqiptarët Kosovë, e cila më vonë do të bëhet shtet i pavarur, pas një lufte heroike gjithëpopullore dhe një mbështetjeje të fuqishme euro-atantike. Por, gjithashtu, përmes këtij libri, do ta kuptojmë edhe zhgënjimin e autorit me proceset aktuale shtetndërtuese të Kosovës, sepse siç e thotë ai vet : ‘’ Kosova për mua është krthyer në makth e jo në realitet’’.

Duke jetuar një kohë të gjatë në Amerikë dhe duke qenë afër institucioneve dhe aktiviteteve lobuese për Kosovën, autori kishte vërejtur se pas pavarësimit të Kosovës, shumë individë nga nomenklatura politike e Prishtinës, lidhjet me Uashingtonin i përdornin jo për të afirmuar Kosovën, por për të denoncuar kundërshtarin, i përdornin për nevoja personale e jo shtetërore, ngandonjëherë edhe për pak të holla, shkruan autori.

‘’RËFIME LIRIE’’, titulli i gjetur jorastësisht i librit, është semantika e një sintagme kontemplative që autori e ndërton vit pas viti, dekadë pas dekade, duke mbledhur grimca përvoje, gëzimi, hidhërimi e zhgënjimi dhe duke formuar prej tyre një ngrehinë vrojtimi për të vëzhguar proceset nëpër të cilat kishte kaluar vet autori, por edhe populli të cilit i takon ai.

Gjeturia e autorit për të përshkruar, fillimisht, jetën në fshat, pastaj edhe hapësirat jashtë vendlindjes, përmes detajeve që shumë lehtë syri ynë i shndërron në imazhe, siç janë livadhet e vendlindjes, lejleku shtegtar, aroma e bukës që piqte nana, treni që kalonte afër fshatit dhe zëvendësonte orën e munguar, dimrat e acartë dhe rrugët e vështira për në pyell ku duhej furnizuar me dru për ngrohje, loja me top arnash, strukja mbi trapazanin e odës, prej ku mund të dëgjoje këngët heroike të shahirëve të kohës, larja të shtunave te hamami i qytetit në Prishtinë, do ta bëjnë këtë libër një model të mirë të publicistikës sonë, e cila ka elemente të mjeshtrisë letrare.

Vëzhgimi i detajuar i situatave, përmes përshkrimeve të hollësishëm të njerëzve e ngjarjeve është një proces mjaft kreativ që autori e përdor për të nxjerrë në pah idetë, por edhe porositë. ‘’Fati na fali vërtetë shkrimtarë, poetë dhe apostuj, po jo një personalitet, një burrë shteti me cilësi të jashtëzakonshme që të na udhëhiqte dhe drejtonte , të paktën që nga Lidhja e Prizrenit’’, ose ‘’Mirënjohja që kemi për SHBA nuk duhet të kthehet në servilizëm për të pranuar çdo gjë, kurse udhëheqësit e Kosovës duhet të mësohen që në raste kur cënohet territori i Kosovës apo sovraniteti i saj, t’i thonë jo kujtdo shteti, përfshirë edhe SHBA-të’’, shkruan autori, prandaj edhe librin që kemi në duar nuk duhet kuptuar thjeshtë vetëm si kronikë ngjarjesh, por edhe si një projekt ambicioz i mbështetur në premisat e studimit por edhe të sintetizimit të një trashëgimie të dokumentuar, jo aq për individin, sa për kolektivitetin.

‘’Synimi i kësaj trashëgimie nuk është rrëfimi i jetës sime, por i vuajtjtjeve të miliona shqiptarëve nga serbët dhe grekët. Edhe ajo foshnje që ndodhet në djep, le të shfletojë nesër këtë libër e shumë e shumë libra të tjerë që tregojnë për dhunën serbomalazeze e greke ndaj shqiptarëve’’.
Kështu shprehet autori, teksa shpalos një nga premisat e kësaj kronike studimore.

Shaqir Salihu, siç del nga vetë dëshmia e tij në libër, ishte burgosur për motive politike në v. 1966, vit ky që shënon edhe fundin e karrierës së tij në arsim, konkretisht në fshatin Krajishtë të Liplanit, për t’u arrestuar për të dytën herë më 1969. Përkushtimin e tij për profesionin e mësuesit ai e kishte kuptuar si mision, por edhe si ndërgjegje për gjithë ato sakrifica që edhe Kosova të kishte kandilët e vet të diturisë. Ishin fillimisht mësuesit e Ernest Koliqit që po çjerrnin perden e territ në Kosovë, por edhe këmbëngulja e arsimtarëve patriotë, siç ishte Zekerija Rexha që në në truallin e Kosovës të hidhin farën e dijes e emancipimit kulturor e kombëtar.

Produkt i kësaj atmosfere politike, e arsimore të viteve 60 në Kosovë, është edhe Shaqir Salihu, figurën e të cilit e shohim pastaj të shkrihet në arealin më të gjerë të ambicjeve liridashëse për të kulmuar në demonstrat e viti 1968, ngjarje këto që shënuan një kthesë të madhe edhe në jetën e autorit. Vetëm një vit pas këtyre ngjarjeve ai vendos përfundmisht ta braktis vendlindejn, filllimisht duke qëndruar përkohësisht në qytezën Atina të Italisë, konkretisht në bujtinën e restorantit Tratorria ‘’La Pineta’’, rruga San Nicola nr. 12 , sistemim ky që u bë falë bujarisë së pashoqe të klerikut shqiptar Dom Prenka , dhe takimi pastaj me Ernest Koliqin në Romë dhe patriotë të tjerë, për t’u vendosur përfundmisht në SHBA , ndonëse atë gjatë kohë e kishte munduar një krimb ndërgjegjeje, apo siç do ta thoshte vet ai : ‘’Vendimi që mora për të ikur nga Kosova ishte egosit , për të shpëtuar veten e jo popullin e Kosovës….’’ një formulim ky që e hasim vetëm te autorët që dilemat etike i bënte publike, kurse pastërtinë e ndërgjegjes ishte i gatshmëm ta testonte publikisht dhe tepër sinqert.

Kalimi nga aparhejdi rankoviqian i viteve 60 në Kosovë në një demokraci të konsoliduar siç ishte Amerika, është trajekorja që pëmbledh një seri ngjarjesh, përjetimesh, gëzimesh e zhgënjimesh të autorit. Kur jemi te zhgënjimet, Shaqiri nuk e fsheh pezmin por edhe keqardhjen për gjendjen e shërbimit shqip të ‘’Zërit të Amerikës’’, që fillon me eliminimin, siç thotë ai, të kosovarëve të VOA, për të vazhduar me një seri problemesh, përçarjesh, përjashtimesh arbitrare e ndrëskamsash që kishin përshkuar këtë radio. Sipas tij, kriza që kaploi seksionin shqip të VOA ndikoi edhe në rënien e moralit për punë.

Shkruar me një bazament të lakmueshëm etik e profesional, libri i Shaqir Salihut ‘ RRËFIME LIRIE’’ tejkalon pretendimet e një kronologjie stereotipe.

Janë disa tipare që do ta veçonin këtë libër të jetë përtej këtyre prendimeve, kurse ne po veçojmë tri më kryesoret:

E para – duke qenë kronikë e jetuar e ngjarjeve dhe kontakt i drejtpërdrejt me protagonistë të shumtë, ky libër synon të plotësojë arkivën e një historie të bujshme, siç ishte mërgata shqiptare e Amerikës, me një histori mbi një shekullore

E dyta – sinqeriteti dhe çiltërsia e autori i kanë dhënë librit dimensionin e ngritjes në vlera humane e utilitare të veprave që nuk bëhen për individin dhe për aktualitetin, por bëhen për kolektivitetin dhe brezat që pasojnë

E treta – e shkruar me një gjuhë të drejtpërdrejt, qasja e autorit është e pakompromis ndaj padrejtësive që i janë bërë atij personalsht, edhe popullit që i takon, por me një plotësim domethënës se kjo qasje nuk kishte asnjë dozë hakmarrjeje dhe qërim personal të hesapeve me jobashkemndimtarët

Përmbyllja më e natyrshme e kësaj qasjeje për librin ‘’RRËFIME LIRIE’’ të disidentit, veprimtarit dhe gazetarit Shaqir Salihu do të mund të bëhej në bashkëshoqërim me një mendim të tij: ‘’Një problem kryesor sot është se drejtuesve të politikës në trojet shqiptare u duket se transformimet në Ballkan kanë mbaruar’’.

One Response to “RRËFIMET PËR ROBËRINË DHE LIRINË, OSE SHTEGTIMI I PAMBARUAR I NJË DISIDENTI”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti, PH.D. says:

    I dashtuni koleg Z.Shaqir Salihu
    Ufrimewt e mia ma te mira per suksesin tand me jetue me dinjitet dhe me perfundue me pershkrimin e jetes tuej te turbullte dhe plot vuejtje. Ky ashte nji sherbim i madh per te gjithe, sidomos per ata qe nuk besojne deshmite e te perndjekureve ne Kosove, Shqiperi ose kudo qofte ne Bote.
    Shendet e shume vite te gjata me fryt.
    te fala Sami Repishti

Comment

*