Rrënjët Shqiptare marshojnë kundër kancerit të gjirit në New York

Djemtë dhe vajzat e organizatës Rrënjës Shqiptare (Albanian Roots) i japin gjallëri e ngjyra çdo veprimtarie masive të komunitetit shqiptar këtu në SHBA. Po këtë të dielë, ata morën pjesë në një tjetër lloj ngjarjeje: marshimi kundër kancerit të gjirit, organizuar nga Shoqata Amerikane e Kancerit, në Manhattan.
Në mbledhjen e tyre të fundit,të rinjtë shqiptarë vendosën të bëhen pjesë e saj.
“Vendosëm t’i’ bashkoheshin kësaj kauze në mënyrë që të rrisim ndërgjegjësimin në komunitetin shqiptar për rrezikun e kancerit të gjirit. Gjithashtu dëshironim të bëheshim pjesë e kësaj nisme fisnike të Shoqatës Amerikane të Kancerit në luftën e tyre kundër kësaj sëmundjeje”, tha për gazetën “Illyria”, Ervin Toro një nga themeluesit dhe drejtuesit e Rrënjëve Shqiptare.
Ai thotë se meritën kryesore për veprimtarinë e ka Angela Qirollari, një aktiviste e organizatës. Angela bëri propozimin për t’iu bashkuar kësaj nisme dhe punoi shumë që aktiviteti të dilte me sukses.

Në fakt, vështirë të gjesh dikë që nuk ka pasur një të afërt në familje apo shoqëri që është përballur me këtë sëmundje. Nëse jo drejtpërdrejt në rrethin e afërt, një mik të një miku, mesiguri e keni dëgjuar që ka vuajtur apo pësuar nga kjo sëmundje.
Për fat të mirë, ndryshe nga disa lloje të tjera, kanceri i’ gjirit mund të jetë tërësisht i’ shërueshëm nëse kapet në kohë. Për këtë është e domosdoshme që të bëhen kontrolle të rregullta e periodike te mjeku.
Mirëpo, në komunitete emigrantësh apo mes të varfërve mungon kultura e kontrollit të rregullt mjekësor. Mungon njohja dhe ndërgjegjësimi për rrezikun e madh të injorimit të kësaj mundësie. Vuajtje dhe dhimbje mund të mënjanohen. Tragjedi familjare mund të mos ndodhin. Jetë njerëzish mund të shpëtohen.
Disa nga anëtarët e Rrënjëve Shqiptare kishin historira të dorës së parë për të treguar lidhur me këtë sëmundje. Ata ishin të vendosur për të ndihmuar të tjerët, në komunitetin e tyre dhe në New York.
Organizata përgatiti bluza të posaçme për këtë veprimtari, me logon e shoqatës,me shenjën e shqiponjës dhe sidhe me ngjyrën pink dhe simbolet e organizatës që lufton këtë sëmundje. Bluzat ishin për të gjithë ata që morën pjesë, për miqtë e tyre dhe për këdo që ndihmoi në mbledhjen e fondeve .
Ata u mblodhën fillimisht në rrugën 66 dhe Avenunë 3dhe që aty shkuan si grup në 72nd Street dhe Central Park Avenue, ku do të bëhej nisja zyrtare e marshimit nga shoqata e njohur amerikane. Ishte një ecje 5 prej miljesh.
Në fund, shqiptarët e rinj kishin mbledhur 3,630 dollarë.
“U habitëm nga përgjigjia që morën për këtë nismë”, thotë Marko Kepi. Një tjetër udhëheqës i organizatës. “U renditëm në vendin e 109 nga 2,440 donatorët më të mëdhenj në New York”.
Një rezultat shumë i mirë për një organizatë që provon për herë të parë të ndihmojë në këtë kauzë.
Shpesh thuhet sesi shqiptarët janë bërë të pranishëm në çdo aspekt të jetës së New York-ut. E diela ishte një nga shembujt më të bukur të kësaj dukurie. Ishte një prani që meriton të përshëndetet e ndihmohet.
Mbi të gjitha është një punë që nuk mbaron këtu.
“Do ta bëjmë këtë një aktivitet tradicional dhe do të ndihmojmë që komuniteti ynë të edukohet për nevojën e kontrolleve parandaluese mjekësore”, thitë Toro. “Do të vazhdojmë të mbledhim më shumë fonde. Puna jonë këtu, vetëm sa ka filluar”.
(Ruben Avxhiu/Illyria)

One Response to “Rrënjët Shqiptare marshojnë kundër kancerit të gjirit në New York”

Read below or add a comment...

  1. Luli says:

    Eshte nje kenaqsi e vertete te shikosh rinine shqiptare te organizuar per aktivitete te ndryshme.

Comment

*