Rreth botës me muzikë

Fuat Memelli

– Mbresa nga koncerti në Boston i tre artistëve të shquar shqiptarë: Inva Mula, Olen Cesari dhe Genc Tukiçi –

 

Nga Fuat Memelli

“Rreth botës me muzikë ” kështu ishte titulluar koncerti që dhanë të martë në mbrëmje tre artistët e shquar shqiptarë: sopranoja Inva Mula, violinisti Olen Cesari dhe pianisti e kompozitori, Genc Tukiçi. Është një titull që i shkon koncertit të tyre, pasi prej vitesh ata krahas Shqipërisë, japin koncerte edhe nëpër botë. Në këtë mënyrë kanë nderuar jo vetëm veten, por edhe Shqipërinë, duke u bërë ambasadorë të kulturës e artit shqiptar. Koncerti i tyre në Boston, ishte i gjashti i dhënë në kontinentin amerikan, ku 2 prej tyre ishin në Kanada dhe 4 në Amerikë.
Salla e “Regent Theater” ishte mbushur si rrallë herë. Rreth 500 shqiptarë kishin ardhur për të parë koncertin e bashkëatdhetarëve të tyre, nga Bostoni e qytetet e tjerë rreh tij. Të them të drejtën në fillim kisha një merak se vallë do kete shumë shqiptarë, pasi ata ( mendoja unë) pëlqejnë më shumë muzikën e lehtë dhe atë popullore, por isha gabuar. Pjesëmarja e tyre e madhe , dëshmoi se ata e duan edhe muzikën operistike, edhe pianon. Krahas shqiptarëve kanë ardhur edhe shtetas të kombësive të tjera, miq të shqiptarëve. Fjalën e rastit e mbajti Edlira Athanas, e cila tok me Shoqatën “ Mass Besa” ishin organizatorët e këtij koncerti. Para 4 ditësh, Edlira përcolli për në botën e përtejme, babain e saj, tenorin e shquar, Gjoni Athanas. Kanë qënë ditë të ngarkuara për të, por ajo me kurajo i përballoi këto dy ngjarje të rëndësishme.

Pianisti e kompozitori, Genc Tukiçi, ishte i pari që çeli programin. “Në fillim do të luaj një pjesë që ia dedikoj xhaxhait tim” theksoi ai. Më pas mësova se ai e quante xhaxha Gjoni Athanasin, shokun e ngushtë të babait të tij, Ibrahim Tukiçi. Gishtat e tij fluturojnë mbi tastierë. Rrugën artistike Genci e ka nisur që në vogëli. I rritur në një familje artisti dhe i diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe pastaj në Shkollën e Muzikës në Paris, kariera e tij njohu ngjitje të suksesshme. Krahas Shqipërisë, Genci ka lualtur edhe në salla koncertesh të njohura si në Paris, Zvicër, Vjenë, New York, Romë, Londër, Luksenburg, etj.
Më pas e ka rradhën violinist durrsak, por edhe me nënshtetësi italiane, Olen Cesari. Luan në fillim një potpuri për violinë. Edhe ai tashmë nuk i përket vetëm Shqipërisë.Veç koncerteve në vendin tonë, ka dhënë edhe në Itali, Vjenë, Paris, Neë York, Madrid, Brazil,etj. Ai ka luajtur në violinë para tre papave si Gjon Palit të dytë, Ratzinger dhe papa Franceskut. Është fitues i disa çmimeve si ai i Komunitetit Europian, i çmimit ” Music Global Award” etj. Olen Cesari është një nga shëmbujt e emigrantëve shqiptarë që kanë shkëlqyer nëpër botë pas viteve ’90.
Skena është pastaj për artisten e madhe me famë botërore, sopranon Inva Mula, e cila pritet me duartrokitje.
“Jam e lumtur që kini mbushur sot këtë sallë. Unë do të këndoj në fillim këngën ‘Globi rrotullohet’. Të gjithë emigrantët më duken sot sikur kanë hipur në një glob që rrotullohet”. Në sallë jehon më pas zëri i bukur i sopranos. Kjo këngë e kompozuar nga babai i saj, artisti i madh, Avni Mula, na çon vite larg kur ajo u këndua në një nga festivalet e Radio Televizionit Shqiptar dhe u bë aq e dashur për publikun.
Të gjithë e njohin sopranon tonë, vajzën e dy artistëve të shquar, Avni dhe Nina Mula, por dua them shkurt disa fjalë për karierën dhe vlerësimet për të. Pasi mbaroi Konservatorin e Tiranës e dha disa shfaqje të suksesëshme në Shqipëri, në vitin 1993 mer pjesë në një shfaqje të organizuar në Paris nga këngëtari i shquar Plaçido Domingo dhe fiton çmimin e parë si soprano. Interpreton role të rëndësishme të operave botërore dhe jep shfaqje krahas Shqipërisë edhe në Francë, Itali, Los Angelos, Bon, Washington, New York, , etj. Në Shqipëri krahas interpretimit si soprano, në dy pjesë ka qënë edhe si regjisore. Në vitin 2012 është nderuar nga presidenti i Republikës me titullin e lartë “Nder i Kombit” , ndërsa në vitin 2016 është vlerësuar nga qeveria franceze me titullin “ Kalorëse e artit dhe letrave”, që është një titull shumë prestigjioz për artistët.

Programi vazhdoi me një gërshetim të bukur të pjesëve shqiptare me ato të muzikës botërore. Olen Cesari na çon larg, duke luajtur në violinë një tango argjentinase, ndërsa Genci luan në piano “Marshin turk” aq i njohur në botë. Inva na çon në muzikën italiane, duke interpretuar “Karuzon” të kompozitorit të shquar, Luçio Dala. “Karuzo ishte një emigrant, thotë Nina dhe nëpërmjet tij kompozitori na sjell dashurinë e mallin e mërgimtarit për vendlinjen e tij, Italinë”
Një nga momentet kulmore të programit ishte homazhi që u bë për artistin Gjoni Athanas, ndarë nga jeta para disa ditësh në Boston.”Kam qënë e vogël kur e kam njohur Gjonin, tha Inva. Ai ka kënduar me dy prindërit e mi, ka kënduar edhe më Ibrahim Tukiçin, si dhe me Gjoni Athanasin. Ai u largua nga kjo botë por për ne do mbetet i paharruar”.. Në një ekran të madh jepet pastaj një video montazh i përgatitur nga vajza e tij, Edlira. Ai këndon në fillim vetëm e pastaj me dy miqtë e tij, Avni Mulën e Ibrahim Tukiçin.
Në mbyllje, Gjoni këndon nga ekrani këngën “Lule borë”, e cila vazhdohet pastaj në skenë nga Inva dhe Edlira. Ka qënë amanet i Gjonit që kjo këngë të këndohet në koncertin e Invës dhe vajza e tij, Edlira, ia plotësoi dëshirën. Megjithë dhimbjen për babain, Edlira këndoi. Kështu u ka ndodhur edhe disa artistëve tanë si dhe nëpër botë u ka qëlluar të këndjnë ose luajnë në teatër, ditën që kanë patur vdekje në shtëpitë e tyre.

Në mbyllje Inva shoqëruar në piano e violinë nga dy miqtë e saj, këndoi potpuri këngësh korçare si dhe këngën e bukur “Vajta kalova, gjithë Arbërinë”. Tok me të këndon e gjithë salla. Programit prej afro dy orësh, i vjen fundi e artistët largohen por salla brohoret: “Duam prapë!” Inva dhe muzikantët rikthehen e vahzdojnë edhe disa minuta. Duartrokitjet si dhe buqedat me lule, ishin shpërblimi më i madh për ta.
Shumë pjesëmarrës nuk largohen pa bërë foto me Invën dhe artistët e tjerë. Para largimit i mora një intervistë Invës për mbresat nga kjo shfaqje:” Ka qënë një koncert që më emocionoi shumë, mua dhe kolegët e mi. Ishte një publik i jashtzakonshëm. Bostoni është një qytet që ka një histori të pasur dhe një sharm të veçantë. Ishte hera e parë që vija këtu, jo vetëm unë por edhe kolegët e mi. Homazhi që bëmë për Gjoni Athanasin, i shtoi edhe më tepër emocionet për ne. Ai ka qënë shok, mik , bashkëudhëtar në skenë me babanë e nënën time si dhe me babanë e Gencit. Kjo lidhje e Gjonit me prindërit tanë si dhe me dy vajzat e tij, Edlirën Mirelën, ishte një emocion i dyfishtë”.’
I morëm ndonjë mbresë edhe disa nga pjesëmarrësve. Mark Kosmo, kryetar i Shoqatës “MassBesa”: Qe një koncert i jashtëzakonshëm. Ai më bëri që ta dua më shumë jetën. Tre artistët na dhanë energji të gjithëve dhe na bënë të jemi më të motivuar”.
Kubanezi Cesar Perez-Rodriguez, ish student i Universitetit të Harvardit, i martuar me Gledisin, vajzë shqiptare, u shpreh: “Ishte hera e parë që merrja pjesë në një koncert të artistëve shqiptarë. U kënaqa shumë nga interpretimi i tyre dhe nga gërshetimi i bukur i muzikës shqiptare me atë botërore”.
Sterjo Shkodrani, piktor:” Na kishte munguar një koncert i tillë në Boston. Ata na sollën pranverë në këtë stinë të vjeshtës”. Mirupafshim Inva, Olen dhe Genc! Ju presim përsëri në Boston!

Comment

*