RRETH DISA FJALËVE TË HUAJA

Prof.ms.Eroll Sejdiu
“Abnegacion”- kjo fjalë e huaj zëvendësohet plotësisht me fjalën shqipe: VETËMOHIM. P.sh.: Vetëmohim i lartë. Punë plot vetëmohim. Luftoi me vetëmohim.
“Akcent”- kjo fjalë e huaj përdoret kryesisht si term gjuhësor e muzikor. Në vend të saj kemi fjalën shqipe: THEKS. P.sh.: theks dinamik, theksi i fjalës, theks melodik.
“Avash”- në vend të kësaj fjale bisedore duhet të përdoret ndajfolja: NGADALË në të gjitha kuptimet: Ecte avash — Ecte ngadalë. Punon avash — Punon ngadalë.
“Cerebral”- është fjalë e huaj që ka hyrë në gjuhën shqipe nga gjuhët neolatine dhe përdoret kryesisht si term në fushën e anatomisë. Kuptimin e kësaj fjale e mbulon mbiemri shqip: TRUNOR-e, dhe rasa gjinore e emrit : truri, p.sh.: Cipa (korja) trunore (e trurit). Nerv trunor (i trurit).
“Definicion”- kjo fjalë e huaj ka hyrë në gjuhën shqipe nga frëngjishtja e italishtja (fr. definition, ital. definizione). Për ta zëvendësuar atë prej kohësh është krijuar dhe përdoret fjala: PËRKUFIZIM. P.sh.:
Përkufizim shkencor. Përkufizim i gjatë (i shkurtër). Përkufizimi i materies. Përkufizimi i foljes etj. Fjala e huaj “definicion” është krejt e panevojshme dhe duhet mënjanuar përfundimisht nga gjuha jonë.
“Ekzigjent”- kjo fjalë e huaj, zëvendësohet fare mirë me fjalën shqipe: KËRKUES. P.sh.: Ai është shumë kërkues ndaj vetes. Duhet të jemi më kërkues. etj.
“Eveniment”- fjalë me prejardhje nga gjuhët neolatine. Në vend të kësaj fjale A. Xhuvani (në veprën “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”) këshillon, ndër të tjera, fjalën shqipe ngjarje. Pra, në vend të fjalës eveniment duhet të përdoret fjala ngjarje, p.sh.: Ngjarje e madhe historike (në vend të: Eveniment i madh historik). Ngjarje e jashtëzakonshme (e rrallë, e rëndësishme) (në vend të: Eveniment i jashtëzakonshëm…) etj. Kjo fjalë përdoret zakonisht e ndjekur nga një përcaktor.
“Filaturë”- kjo fjalë e huaj, e cila deri vonë është përdorur gjerësisht, ka hyrë në gjuhën shqipe nga gjuhët neolatine. Nuk është përfshirë në FGjSSh, sepse është zëvendësuar nga fjala: TJERRTORE (nga folja “tjerr” me prapashtesën –“tore”, njëlloj si “thertore” etj.) p.sh.: Punon në tjerrtoren e Kombinatit të Tekstileve “Kosova”. Punonjësit e tjerrtores.
“Frontespic”- lidhet me fjalën front dhe ka kuptimin “faqja e parë e një libri, ku shtypet titulli; figurë për zbukurim në faqen e parë të një libri ose në krye të fletës”. Për ta zëvendësuar atë, është krijuar fjala e re shqipe: BALLINË, e cila është dhënë edhe në FGjSSh dhe në fjalorë terminologjikë. P.sh.: Ballina e librit. Faqosi ballinën. Vihet në ballinë
“Gusto”,-ja- është fjalë e huazuar nga italishtja, sepse në vend të saj në gjuhën shqipe përdoret prej kohësh fjala: SHIJE. P.sh.: Me shije të hollë. Njeri me shije. Ua dinë shijet. Ka shije. Vishet me shije. I kënaq shijet.
“Igrasi,a “- fjalë e huaj, me përdorim krahinor, që ka hyrë në gjuhën shqipe nga greqishtja. Në vend të saj shqipja ka: LAGËSHTIRË, LAGËSHTI, formuar nga tema e mbiemrit: I LAGËSHT. P.sh.: Ka lagështirë të madhe. Ka marrë lagështirë. U dëmtua nga lagështira. Lagështia e ajrit.
“Imperativ”- fjalë e huaj me prejardhje nga gjuhët neolatine. Në vend të saj përdoren fjalët shqipe: URDHËRUES dhe I DOMOSDOSHËM. Pikërisht duke u nisur nga kjo, FGjSSh nuk e ka përfshirë fjalën e huaj imperativ. Ja një varg shembujsh ku përdoret fjala shqipe në vend të fjalës së huaj imperativ: Detyrë (kërkesë) e domosdoshme. Në mënyrë të domosdoshme (ose urdhëruese).
“Impozant”- fjalë e huaj që ka hyrë në gjuhën shqipe nga frëngjishtja dhe që është përdorur kryesisht si fjalë librore. Vendin e saj tashti e kanë zënë fjalët hijerëndë dhe madhështor,~e, p.sh.: Shtatore (përmendore) hijerëndë. Përpara na del tabloja madhështore e Shqipërisë demokratike. Atij i pëlqente të fliste me një ton madhështor. Si shihet edhe nga këta shembuj, fjala impozant është krejt e panevojshme në gjuhën shqipe, prandaj, me të drejtë, ajo nuk është pasqyruar në FGjSSh.
“Kaldaj/ë”- fjalë e huaj që ka hyrë në gjuhën shqipe nga italishtja. E ka edhe FGjSSh-ja, i cili jep edhe sinonimin e saj shqip: NGROHTORE, që e zëvendëson mirë fjalën e huaj. Kështu mund të thuhet:
Ngrohtore elektrike. Ngrohtore me dy furra. Punon në ngrohtore. etj. Edhe fjala “kaldajist”, e huazuar po nga italishtja, zëvendësohet me fjalën shqipe: NGROHTAR. P.sh.: Brigada e ngrohtarëve. Është ngrohtar i dalluar.
“Kontemporan”- fjalë e huaj që mund të zëvendësohet me fjalën shqipe: BASHKËKOHOR. P.sh.: Qytetërimi bashkëkohor. Shoqëria (muzika, pedagogjia) bashkëkohore. Autorët (shkrimtarët) bashkëkohorë.
“Perfeksionoj”, “perfeksionohem “, “perfeksionim”- këto fjalë janë me temë nga gjuhët neolatine. Kuptimi kryesor i fjalës “perfeksionoj” është “bëj diçka më të mirë nga ç’ka qenë, duke synuar të mos ketë asnjë të metë; PËRSOS”. Zëvendësohet me fjalët shqipe: PËRSOS, PËRKRYEJ. P.sh.: Përsos (përkryej) metodën e punës (stilin në punë). Ka përsosur (përkryer) gjuhën etj.
“Transformoj”, “transformohem”, “transformim”, transformuar (i, e)- kjo çerdhe fjalësh zë fill nga një temë e burimit neolatin. Zëvendësohen me fjalët shqipe: SHNDËRROJ, SHNDËRROHEM,
SHNDËRRIM, I SHNDËRRUAR. P.sh.: Shndërroj natyrën. Shndërroj ndërgjegjen (shoqërinë). Shtëpi e shndërruar në kështjellë. Shqipëria është shndërruar në një vend me ekonomi të zhvilluar. Shndërrime të thella (rrënjësore). Shndërrime ekonomike (revolucionare).
“Tutel/ë”, “tutor”, “tutori”- këto fjalë e kanë prejardhjen nga italishtja. Kuptimi i fjalës librore “tutelë” mbulohet me fjalën shqipe: KUJDESTARI, p.sh.: E futi (e mbajti) nën kujdestari. Doli nga kujdestaria. Vende nën kujdestari. Emrat “tutor,i “dhe “tutori,a “ janë përdorur si terma në drejtësi, ndërsa sot janë zëvendësuar me fjalët shqipe: KUJDESTAR,i dhe KUJDESTARI, a. P.sh.: Kujdestari i fëmijëve. E vunë (e kanë, e morën) nën kujdestari.
“Urgjent, “-mbiemri “urgjent,e” mund të zëvendësohet, sipas rastit, me fjalët shqipe: I NGUTSHËM, I MENJËHERSHËM, I SHPEJTË.

Comment

*