Rreth orës 7 në mëngjes, 78 deputetë votuan programin dhe qeverinë “Rama 2”

Qeveria thotë se programi përmbush objektivat për eurointegrimin, ekonominë dhe njehsimin e politikave me Kosovën.

Denion Ndrenika

Kuvendi i Shqipërisë miratoi qeverinë si dhe programin e ri të qeverisë së kryeministrit Edi Rama rreth orës 7 të mëngjesit të kësaj të mërkure.

Pothuajse 24 orë diskutime dhe debate u bënë në seanca të vazhdueshme nga deputetët e rinj prej së hënës kur programi u paraqit në Kuvend.

78 deputetë votuan “për” programit të ri, 51 “kundër”, asnjë “abstenim” dhe 7 nuk morën pjesë.

Qeveria thotë se programi përmbush premtimet për objektivat e rëndësishëm të negociatave për eurointegrimin, reformat, ekonominë, turizimit, njehsimin dhe hapjen e kufijve me Kosovën prej 1 janarit si dhe bashkimin përfundimtar doganor po me Kosovën:

“Tryezë të hapur për gjërat e mëdha që duhet të na bashkojnë dhe çelja zyrtarisht e negociatave vitin e ardhshëm; Kthimin e kufirit tokësor pa radha kilometrike dhe kontrolle të tepërta policore prej 1 janarit 2018; Bashkimin doganor ta bëjmë fakt të kryer. Presim vetëm miratimin e qeverisë së Kosovës. Nuk po flas për Shqipëri të Madhe, por për një popull të vetëm shqiptar”.

Kryetari opozitar demokrat Lulzim Basha i rikthyer pas 6 vjetësh deputet, nuk e vlerësoi programin:

“Programi që ti ke paraqitur është një dokument pa ansjë përmbajtje, pa asnjë analizë, pa asnjë argumentim. Reforma zgjedhore është rruga e vetme dhe shansi i vetëm që ndryshimi të jetë paqësor dhe instutucional. Çdo përpjekje për të injoruar realitetin do ta kthejë revoltën e heshtur të 25 qershorit përmes bojkotit, në një kryengritje të vërtetë popullore”.

Seanca e ardhshme do të caktohet nga mbledhja e orës 18 pasdreken e së mërkurës.

Comment

*