Rreth vëllimit “Grirja e Shpirtit” të Naum Priftit

Mjaftime Dushallari
Asistent Profesor/ Doktor

Kur më ra në dorë përmbledhja me tregime e novela e Naum Priftit “Grirja e Shpirtit”, menjëherë më terhoqi vëmëndjen titulli i librit me një peshë të fuqishme metaforike. Jemi mesuar të dëgjojmë shprehjet “lëndim i shpirtit” apo vrarje e shpirtit”, por G R I R J A e shpirtit si vete tingëllimi i kësaj fjale, është me e fortë, më e ngadalte, më e gjate, më dërrmuese, që me kujtoi për një cast grirësen e letrave qe kam në shtëpi, që me dhëmbzat e forta e të mprehta metalike, i grin letrat për të shuar cdo fjalë, cdo shkronjë apo cdo lloj identiteti të mundshëm… Këtë lloj grirjeje të shpirtit e shkaktojnë vetëm diktaturat e egra dhe të stërgjatura si diktatura që servirej si “demokraci e vertetë” dhe që fatkeqësisht rëndoi dhe krrusi popullin shqiptar për vite me radhë.
Ngjarjet e tregimeve dhe novelave të përmbledhura në këtë vëllim u përkasin viteve të ndryshme, që nga Lufta Nacional Clirimtare e deri në shëmbjen e diktaturës. Ato kanë një tematikë: shtypjen, deformimin e njeriut në ato vite. Ato duket sikur plotësojnë njëra tjetrën për ta dhënë sa më të kompletuar tablonë e vërtetë, të frikshme, plot andralla, shpifje, kërcënime e të korruptuar të viteve të diktaturës. Në këtë kornizë tematike, krijimet theksojnë gjithnjë e më shumë idenë e autorit se diktatura ishte shkatërruese në cdo aspekt të jetës, për cdo njeri; ajo bëri të vuanin jo vetëm ata që ishin kundër saj, që dënoheshin, por edhe ata që dënonin, ata që i shërbyen organeve të diktaturës dhe e pesuan po nga diktatura.
Tregimet dhe novelat e Naum Priftit përmbajnë ngjarje të përshkruara me realizëm të thellë dhe me transparencë të rrallë. Kushdo shqiptar që mund t’i lexojë këto krijime mund të gjejë veten, të afërmin, shokun, mikun në rolin e personazheve të librit. E megjithatë, këto krijime nuk janë thjesht histori të së kaluarës së hidhur. Edhe njëherë me këtë vëllim Naum Prifti e ka treguar veten si një nga tregimtaret shqiptare më të talentuar. Ai di të ngrerë në art edhe këto halle të kohës, edhe vuajtjet, edhe dënimet, edhe ekzekutimet, edhe pendimet.
Vëllimit të Naum Priftit i paraprin tregimi “Zogu prej druri” që për realizimin artistik meriton vëmendje të vecantë. Duke e krahasuar me krijimet e tjera, për nga dramaciteti, ky tregim është më i lehtë, lexohet me kënaqësi dhe pa u rënduar. Tregimi “Zogu prej druri”, i shkruar me shumë finesë, ka në qendër figurën e Stilianit, bariut që kullot i lirë bagëtitë, pa shtëpi e pa shkollë, por me talent të rrallë e shpirt artisti. Edhe emri i tij është shumë i gjetur. Në rrënjën e tij është fjala stil ose art, mjeshtëri.
Autori e nis tregimin me përshkrimin mahnitës të zogut elegant të kënetës që qëndronte me këmbët në ujë e me sqepin e gjatë të ngritur vertikalisht drejt qiellit, sikur priste dicka… Vetëm në një faqe, vetëm përmes përshkrimit të përjetimeve të Stilianit, Naum Prifti duket se shpalos para lexuesit gjithë etapat e procesit krijues: Stiliani e pa zogun, u frymëzua, mbyllte sytë dhe e përfytyronte, i dëgjonte cicërimat, i lindi ideja e krijimit, i lindi mendimi ta gdhëndte në dru. Pasi siguroi materialin, ashtu duke kullotur bagëtinë, nisi të gdhëndte duke ndjerë njëherësh shqetësimin dhe gëzimin e krijimit. Në fund, e soditi i gëzuar se i ngjante zogut real, zogut të kënetës. Me gëzimin e Stilianit bashkohet dhe simpatia e autorit, dhe me tej kënaqësia e lexuesit, që, me sytë e mendjes, sheh realizimin e një vepre të bukur arti sa tradicionale aq edhe moderne.
Stiliani gdhënd për kënaqësi, për të kaluar kohën, jo për ndonjë përfitim apo nevojë materiale prandaj edhe ia fal zogun prej druri udhëtarit që e pa dhe e pëlqeu. Njerëzit e artit e quajtën kryevepër, mrekulli, dhe si të tillë të gjithë donin ta kishin, ta merrnin duke përdorur formën e njohur të “përvetësimeve shoqërore”. (N.P) Kurse kryetari i komunës që e kish pajtuar coban dhe e strehonte, i quante krijimet e argatit si xhingla-mingla, gjëra pa vlerë. Ai sillej me Stilianin si padron dhe në fund nga xhelozia si satrap i tërbuar: Ai e vendosi zogun mbi gju dhe i mëshoi me të dy duart. E c’mund te bente me shume nje injorant, xheloz me shpirt diktatori? Qafa e hollë e zogut krisi dhe Stilianit iu duk sikur dëgjoi një cicërimë dhimbje që iu mek në grykë. (f.14) – Pershkrim i persosur i nje ndjeshmerie te thelle njerezore qe buron nga shpirti i artistit.
Ky ishte fundi i një vepre të bukur arti, ndofta dhe fundi I krijimeve të një njeriu të thjeshtë, por shumë të talentuar.
Naum Prifti në tregim nuk jep hollësira për familjen e Stilianit, si dhe pse ai flinte te pronari i tij, pse kishte mbetur pa shkollë, por një gjë është e qartë që ai e vlerësonte shkollën. Kur takoi inspektorin e arsimit, udhëtarin që i fali zogun prej druri, i tha: – A, paske punë me shkollën… Shkolla të bën njeri, por c’e do që s’e patëm atë fat.
Por fatkeqësisht dhe për ironi të fatit, të gjithë njerëzit që u sevdallisën pas zogut prej druri, si inspektori i arsimit, shefi, drejtori i artit në Ministrinë e Arsimit dhe zëvendës ministri, mendonin si ta përvetësonin atë krijim të bukur, atë vepër arti. Asnjërit nuk i binte ndër mend për krijuesin dhe jetën e tij edhe pse punonin në institucione që drejtonin arsimin dhe kulturën. Në cdo shoqëri tjetër moderne e të civilizuar, në kushte të tilla do të gjendej një mënyrë për të vlerësuar veprën artistike apo për të motivuar krijuesin dhe për të ndryshuar sadopak jetën dhe të ardhmen e tij.
Krijimet e përmbledhura ne vëllimin “Grirja e Shpirtit” janë në vazhdën e tregimeve e novelave me të bukura të autorit. Edhe për shansin e mirë, se shumica e këtyre krijimeve të shkruara në kohën e diktaturës, u botuan pas ndryshimit të sistemit (2008), mendimi në to vjen më i pjekur, më i llogjikshëm, idetë e autorit janë shumë të drejtpërdrejta e të qarta. Ato ndonjëherë vihen në gojën e personazheve, të njerëzve të aftë dhe të mencur dhe transmetohen si konkluzione të rëndësishme, si plagë shoqërore të kohës. Këtu do të vecoja shprehjet “Diktatura, njëlloj si lubia e shpellave, shqyen viktima nga frika se mos i kizen dhëmbët”, mendon instruktori i Ministrisë në novelën “Një spiun për ministrin”. Tek novela “Paradokset e jetës” theksohet se dënoheshin njerëz të mirë, të aftë deri në internim jo për fajin e tyre por për kushëririn e tretë apo të katërt dhe më vonë, po në këtë krijim, Rezari (gazetar i zoti) i thotë të shoqes, “E di si thotë një shoku im? – Kjo qeveri s’pyet për njerëz të zotë e të afte, se punën e një kali e bën me dy gomarë” E goditur shumë është dhe shprehja “Inati i shkon për shtat individit, jo shtetit. Ky është inat shtetror”
Ndonjëherë autori përdor monologun si mjet të shprehjes së mendimeve të fuqishme. Tek novela “Një spiun për ministrin”, instruktori i Ministrisë së Arsimit monologon kundër vijës dhe reformave të partisë në arsim dhe në fund, duke qenë i bindur për mungesën e lirisë së fjalës dhe pasojat nëqoftëse do të fliste, shpërthen me duf: Fajin e kanë “ata” që më detyrojnë t’i fsheh mendimet e mia. Në novelën në fjalë autori duket sikur finalizon hapur mendimin e tij “Shtet spiunësh, qeveri e molepsur, batak. Ky është mjedisi ku jetonim…e më tej shton se cilësitë morale nuk kanë vlerë sepse rrethanat e sjellin që veprimet e tua të gjykohen nga të tjerët.
Naum Prifti godet, tallet, demaskon karakteret negative, veset dhe veprimet e tyre, injorancën e disa njerëzve me poste, degjenerimin e njerëzve dhe organeve të korruptuara diku me humorin e tij të hollë, diku me ironi therëse, diku me urrejtje dhe diku me dhimbje të thellë njerëzore. Humori i hollë dhe i këndshëm është i pranishëm pothuajse në cdo krijim të këtij vëllimi, por do të vecoja situatat humoristike të tregimeve “Ditë vere te Kalata Nr.3”, “Më e ëmbla vdekje”, “Dremitje pranverore”, “Gjyqi I kulakut” dhe “Cungjet e Kryetarit”
Gjithë vitet që populli ynë vuante nën diktaturë, në të vërtetë, ishin një dramë e madhe, e fuqishme, pjesë të së cilës pasqyrohen me mjeshtëri të rrallë dhe i jepen lexuesit si të vërteta të hidhura në tregime të përkryera të Naum Priftit si “Lotët e pishave” dhe “Tabelat e gjalla”. Autori i ndërton këto krijime mbi bazën e të kundërtave, antitezave të forta. Vihet njerëzorja përballë cnjerëzores, e bukura përballë të shëmtuarës, falja përballë pushkatimit. Përshkrimet e bukura të natyrës shoqërojnë gjëndjen shpirtërore, ngazëllimin e Marjanit (tregimi “Lotët e pishave”) që u lirua nga burgu i Korcës dhe, kur u ndodh i vetëm në zonën e lirë, bërtiste “Liri, Liri”. Dëshirën e madhe për t’u bashkuar me shokët e luftës, për t’u hakmarrë për shokun e vrarë, për të qënë pranë Jasemines me të cilën ëndërronte të gëzonte të ardhmen, ia prenë në mënyrë cnjerëzore shokët e armëve, “gjyqi partizan”. Fjalët e tij të fundit, dëshira për të takuar shokët një nga një dhe të ndahej si shok me ta para pushkatimit, gjëja më e thjeshtë dhe më njerëzore që mund të kërkonte, e lartësojnë këtë figurë, edhe pse ai fizikisht u vra. Me shokët që akoma e donin, qau dhe pisha… Përshkrimi me të cilin autori mbyll tregimin dhe që përkon me titullin e tij, ku janë të pranishëm epiteti, metafora dhe krahasimi në një fjali të vetme, është shume emocionues dhe i një cilësie të vecantë: Gjatë verës trungjet e pishave të goditura nga plumbat, i mbushën plagët e tyre me kristale rrëshire të bardhë, si lot të mëdhenj, të ngrirë nga dhimbja, lot pishash. (f.35)
Mbi bazën e një kontrasti të thellë ndërtohet dhe tregimi “Tabelat e gjalla”. Në fillim na paraqitet Berti, i ciltër, njeri me shpirt të pastër kristal sa e shihje tejpërtej. Lexuesi ndjek me kënaqësi rrëfimin e tij plot pasion e dashuri për të fejuarën, Zadifen. Naiviteti dhe ciltërsia e tij gërshetohet dhe me një humor të lehtë. Gjithcka ndryshon, dritës ia zë vendin errësira. Bertin e urdhëruan të qëllonte tabelat që mbaheshin nga njerëz të gjallë, e bënë vrasës, e vranë shpirtërisht, e shkatërruan si njeri, donin ta mohonte, të gënjente, madje e bënë të sëmurë psiqik sepse Berti nuk donte dhe nuk dinte të gënjente. Në këto kushte jeta iu bë e padurueshme, e pamundur, ndaj kreu vetëvrasje.
Funde të tilla nuk ishin të rralla nën trysninë e shtazërisë së sistemit. Në spitalin psiqiatrik përfundon edhe Fatjoni, hetuesi i pashpirt e imoral pasi asiston në ekzekutimin e Ministrit të Mbrojtjes dhe sheh veprimet e kafkëthyesit (te novela “Kafkëthyesi”), por ndryshe nga personazhi i lartpërmendur, ky u sëmur vërtet mendërisht, pra i përkiste atij institucioni.
Mjeshtri i përshkrimit, Naum Prifti, harmonizon në mënyrë të përkryer jo vetëm natyrën, mjedisin me gjëndjen shpirtërore të personazheve, por edhe pamjen fizike me veprimet dhe karakteret e tyre. Jashari, kafkëthyesi te novela me të njëjtin emër, ka fytyrë gjashtëkëndëshe dhe sytë ngjyrë plumbi që të ngjallin krupë. Nofullat e gjera në fytyrën e Basriut (në novelën “Një spiun për ministrin”) ngjanin me ato të mastodontit, që duket se i përtypte edhe kockat si sheqerka. Zefir Sedati, redaktor i sektorit “Jeta e Partisë” (në novelën “Paradokset e jetës”) ishte qafëshkurtër, buzëtrashë, i dhjamosur si fokë, me qepalla të fryra, prototip për karikatura barkalecësh. Të gjithë vepronin njësoj, pa zemër, pa mend, të drejtuar, të komanduar si marioneta të sistemit ashtu si zyrtari i lartë që u njësua me bustin e të madhit, pa lëvizur as duart, as kokën, as buzët në atë mot të ftohtë ku mbizotëronte vetëm ngjyra gri. (tregimi “Zyra me dy buste”)
Një karakter interesant në vëllim është Pleurat Dardha në novelën “Kafkëthyesi”që përfaqëson atë kategori njerëzish që i kanë shërbyer organeve të diktaturës për një periudhë kohe, por me mendje të kthjellët kanë kuptuar e me kurajo janë shprehur kundër mizorive të tyre. “Se i njoh nga brenda, nuk i dua – i thotë ai të nipit, Fatjonit – kush futet në batak (organet e diktaturës) nuk del steril prej andej”. Pas fjalës së tij të guximshme në gjyq, një i pranishëm e quajti me admirim “gojtar i rrefkur, analist i shkëlqyer, filozof…”
Naum Prifti është mjeshtër i realizimit të kthesave brenda të njëjtit krijim për të lidhur të kundërtat, antitezat e thella, gjë që ia mundëson gjuha e rrjedhshme, rrëfimi i shtruar, dialogu i zhdërvjelltë dhe përshkrimet shumë të kujdesshme e të detajuara të karaktereve, mjediseve e të natyrës që ndonjëherë paraprijnë e herë tjetër shoqërojnë ngjarjet. Kthesat janë shumë të bukura, të pranueshme, të buta, edhe pse nuk cojnë drejt fundit të lumtur (happy ending) por fundit tejet të hidhur.
Tregimtari Naum Prifti të mahnit me njohjen dhe përshkrimin shumë të gjallë të mjediseve ku i vendos ngjarjet. Ai përshkruan me detaje të holla si mjediset e klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve, të redaksive, të Ministrisë së Arsimit, në të cilat është futur, ka punuar, i ka njohur nga afër, po ashtu edhe mjediset e fshatit, të malit me partizanë, të ushtrisë, të Kryeministrisë, të shkollës me mbledhjet e këshillit pedagogjik, të burgut, të qelisë apo edhe të portit të Durrësit. Për secilin mjedis zgjedh dhe përdor me zhdërvjelltësi fjalorin dhe ndonjëherë edhe zhargonin e përshtatshëm. Mjediset e krijuara janë aq reale dhe të gjalla sa të krijohet përshtypja se autori është kudo i pranishëm.
E për këto vlera, vëllimi me tregime dhe novela i Naum Priftit, edhe pse voluminoz, lexohet me një frymë, të rrëmben, të dëshpëron, të indinjon; por së fundi, të kënaq artistikisht. Krijimet e tij janë vepra arti me vlerë. Duhet t’u kthehesh e t’u rikthehesh që të shijosh pasurinë, saktësinë dhe bukurinë e gjuhës brilante; fjalorin shumëngjyrësh me fjalë të zgjedhura e të qëmtuara me kujdes që u shkojnë shumë përshtat personazheve si dhe shprehjet e shumta e të bukura popullore. Edhe kur i rilexon krijimet, që përmbajnë ndonjëherë edhe gjëra të njohura dhe të dëgjuara, të duhet të ndalesh dhe të thuash “Sa bukur e ka thënë, sa bukur e ka shprehur!” Sa më shumë vepra të Naum Priftit të lexosh, aq më tepër të forcohet bindja se tregimtaria e tij e pashtershme qëndron shumë lart dhe është një vlerë e vecantë në tregimtarinë shqiptare e pse jo dhe më gjërë, ajo qëndron me dinjitet edhe krah tregimeve më të njohura botërore.

Comment

*