Rritja e buxhetit për skema sociale në dëm të investimeve kapitale

Prishtinë, 6 nëntor 2018 – Në Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2019 është paraparë që afër 400 milionë euro të ndahen për skemat sociale.

Njohësit e ecurive ekonomike vlerësojnë se kjo është një barrë e papërballueshme për buxhetin e shtetit dhe një hap prapa në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë për gazetën “Koha Ditore” se rritja e skemave sociale pa adresim të çështjeve që janë në interes për zhvillim do të krijojë barrë të madhe sociale për të gjithë kontributdhënësit. Sipas tij, njëkohësisht, kjo n do të ngadalësonte zhvillimin ekonomik.

Sipas ekonomistëve, përfitimet nga skemat sociale, të cilat mund të krahasohen me pagën minimale dhe me pagën mesatare në vend, mund ta lënë jashtë tregut të punës një numër të madh të kosovarëve që janë të aftë për punë.

Ata theksojnë se nëse vetëm 100 milionë euro do të ndaheshin për programe punësimi, në Kosovë do të krijoheshin mbi 20 mijë vende të reja të punës. (r.m.)

Comment

*