Rritje e ulët ekonomike në Shqipëri, në tremujorin II vetëm 2,31 %

Tiranë, 30 shtator 2019 – Ekonomia shqiptare rregjistroi në tremujorin e dytë të këtij viti sërish një rritje ndjeshëm më të ulët se pritshmëritë fillestare të autoriteve. Sipas të dhënave të publikuara sot nga Instituti i Statistikave, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) vlerësohet me rritje prej 2,31%,kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2018.

Ecuria e ekonomisë, sipas Instat u ndikua për të dytin tremujor radhazi nga rënia me 27,54 përqind e prodhimit të energjisë. Për pasojë, kontributi negativ i aktivitetit të Industrisë, Energjisë dhe Ujit ishte-0,23 pikë përqindje. Rënie prej 1,75 përqind, ka shënuar dhe sektori i ndërtimit, për shkak të uljes së vëllimit të punimeve nga projekti TransAdriatic Pipeline, i cili po shkon drejt përfundimit. Ndikimi negativ i këtij sektori në Prodhimin e Brendshëm Bruto ishte prej 0,15 pikë përqindje.

Sipas INSTAT-it, mbyllja e aktivitetit të lojërave të fatit, çoi në një ulje prej mbi 19 përqind të grupit “Arte,argëtim dhe çlodhje”, me një ndikim prej 0,48 pikë përqindje në PBB.

Ndër sektorët me kontributin më të madh në aktivitetin ekonomik gjatë tremujorit të dytë, rezulton grupi “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me +0,71 pikë përqindje, i ndjekur nga “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me + 0,42 pikë përqindje dhe aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me +0,41 pikëpërqindje.

Qeveria kishte parashikuar për këtë vit një rritje ekonomike prej 4,3 përqind, ndërkohë që pritshmëritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar ishin për 3.5 përqind. FMN-ja ka paralajmëruar që këtë muaj të rishikojë në ulje vlerësimet e tij për ekonominë shqiptare.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*