Rruga e gjatë dhe e vështirë e rikthimit të LDK-së në maje të politikës

Rezultati solid në zgjedhjet lokale të 22 tetorit i ka dhënë shpresë Lidhjes Demokratike të Kosovës për ditë më të mira në të ardhmen, sado që ekspertët në Prishtinë thonë që është ende herët që kjo parti të festojë.

 

Rezultatet që mori LDK në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë treguan rritje të ndjeshme të popullaritetit të kësaj partie.

Partia më e vjetër e shqiptarëve të Kosovës është përpëlitur që ta gjejë një identitet të ri dhe një momentum politik që nga vdekja e liderit historik të saj, Ibrahim Rugova, në janar të vitit 2006.

Megjithatë, disa ekspertë të çështjeve politike në Prishtinë, si dhe kundërshtarë politikë të LDK-së, paralajmërojnë që LDK duhet ta presë raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave që mbahet më 19 nëntor, para se ta derdhë shampanjën për festë.

“Rezultatet na kanë kthyer fuqishëm në skenën politike. Njerëzit po kthehen në shtëpinë e vjetër. Duket se votuesit brenda një periudhe kanë provuar aventura tjera, por tani ata po e shohin se shtëpia e vjetër është më e mira”, tha Driton Selmanaj, deputet i LDK-së, në TV21, më 24 tetor, tri ditë pas raundit të parë të zgjedhjeve.

Ai po i referohej një historie të gjatë të humbjeve të LDK-së që nga viti 2007, kur Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar atëherë nga Hashim Thaçi, e mundi LDK-në duke ia marrë pothuaj tërë kontrollin politik si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.

Bashkë me Selmanajn, edhe disa aktivistë të tjerë të shoqërisë civile iu bashkuan LDK-së në një periudhë të shkurtër para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën në qershor të këtij viti ndërsa pak muaj më vonë po i gëzohen dritës që po e shohin në fund të tunelit.

“Në bazë të secilit kriter të mundshëm, qoftë e numër të votave, qoftë me kryetarë të zgjedhur, qoftë me kandidatë në balotazh, qoftë me përfaqësues nëpër asamble, LDK është partia e parë në vend”, tha Lumir Abdixhiku, gjithashtu një ish përfaqësues i shoqërisë civile, tani deputet i LDK-së, në një intervistë për Rrokum TV më 24 tetor.

 

Partia “e parë” politike i gëzohet rikthimit

 

Pak pasi përfundoi raundi i parë i zgjedhjeve lokale, LDK tregoi entuziazmin e ri duke u lëshuar në sulme politike ndaj qeverisë.

Megjithatë, partia ka qenë në lëvizje që nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të qershorit, kur LDK si parti doli e dyta duke marrë 27 nga 120 ulëset në parlament, pas Vetëvendosjes që mori 32 ulëse.

Megjithatë, nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, nuk është i impresionuar nga lëvizjet e fundit të LDK-së.

“Pas 17 viteve, LDK po tenton që në mënyrë artificiale ta paraqesë veten si parti opozitare, por kjo është krejt PR (reklamë)”, tha Sejdiu në një intervistë për portalin e lajmeve Telegrafi më 26 tetor.

“Nuk ka substancë, është vetëm një balon i fryrë”, shtoi ai.

LDK ishte partia e parë i shqiptarëve të Kosovës, e themeluar në dhjetor të vitit 1989 në kohën e shkatërrimit të sistemit monist në ish-Jugosllavi.

Nën drejtimin e Ibrahim Rugovës, i cili udhëhoqi rezistencën politike ndaj regjimit të Slobodan Milosheviqit për një dekadë, duke avokuar për zgjidhje paqësore si dhe krijimin e një sistemi paralel të shqiptarëve të Kosovës në arsim dhe qeverisje.

Në zgjedhjet e para lokale të Kosovës së pasluftës në vitin 2000, LDK befasoi shumëkënd kur mori kontrollin e shumicës së komunave, duke i lënë dy partitë e drejtuara nga drejtuesit e UÇK-së, PDK-në e Hashim Thaçit dhe AAK-në e Ramush Haradinajt, shumë mbrapa në rezultat.

Dominimi politik i LDK-së zgjati deri në vitin 2007 kur, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës dhe problemeve të brendshme gjithnjë e në rritje, ajo humbi përballë PDK-së.

 

Nuk është ende koha për të festuar

 

Përkundër disponimit euforik aktual brenda lidershipit të LDK-së, analisti kosovar Artan Muhaxhiri mendon se asgjë ende nuk ka përfunduar dhe se është e rëndësishme se si kandidatët e kësaj partie që kanë depërtuar në garën e balotazhit do të performojnë në votimet e 19 nëntorit në 10 nga 10 komunat ku do të ketë zgjedhje.

Por sidomos, sipas Muhaxhirit, LDK do të gjykohet nga ajo se cili do të jetë rezultati në komunat e mëdha të Kosovës. LDK ka fituar vetëm njërën nga to, Pejën, më 22 tetor ndërsa është në garë edhe në Prishtinë, Gjilan dhe Ferizaj.

“Rezultati i LDK-së në zgjedhjet lokale nuk krijon hapësirë për eufori, sepse në kontekstin e spektrit politik kosovar, përveç angazhimit të strukturave të partisë, ai është pasojë edhe e faktorëve tjerë përtej domenit të LDK-së”, tha Artan Muhaxhiri për BIRN.

Sipas tij, Vetëvendosje, e cila doli mirë me rezultat në zgjedhjet parlamentare të qershorit, bëri “gabime strategjike” në zgjedhjet lokale gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë të komunave dhe asambletë komunale.

Ai tha se PDK e Kadri Veselit ndërkohë mbetet në një proces të reformës së imponuar pas ndryshimit të lidershipit nga Hashim Thaçi te Kadri Veseli.

“Vlerësimi përfundimtar i suksesit zgjedhor të LDK-së do të varet nga balotazhi i Prishtinës, pasi rikthimi i kryeqytetit do t’ia shumëfishonte rezultatin e deritashëm, përderisa fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje do ta diversifikonte peizazhin e fituesve”, shtoi Muhaxhiri.

Gazetari kosovar Agron Halitaj mendon që LDK është në momentumin aktual kryesisht për shkak të brishtësisë së koalicionit qeveritar, në të cilin bëjnë pjesë shumë parti politike por që mezi e arrin shumicën e deputetëve në Kuvend.

“Më shumë se gjithçka tjetër, LDK-në e bënë të fuqishme në nivelin nacional fryma e re e përfaqësimit në Kuvend. Dita- ditës po vërehet se të rinjtë po marrin terren në parti dhe po e zhvendosin strukturën e vjetër në ‘tribunat e spektatorëve’”, tha Halitaj për BIRN.

Por ai nuk pajtohet që LDK pas zgjedhjeve të 22 tetorit ka marrë një pozicion më të favorshëm në skenë në krahasim me zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013.

“Sado që strukturat drejtuese të LDK-së pretendojnë të krijojnë bindjen tek qytetarët se LDK po rikthehet si dikur kur udhëhiqej nga Ibrahim Rugova, numrat flasin se LDK ka marrë së paku 12 mijë vota më pak se në zgjedhjet lokale të parafundit”, tha Halitaj.

 

E paqartë kush do të jetë opozita kryesore

 

Valmir Ismaili, drejtor në organizatën “Democracy +” në Prishtinë, thotë se meqë LDK është në opozitë në nivel qendror, është e qartë se do ta ngrissë zërin kundër koalicionit qeverisës, e sidomos ndaj PDK-së, edhe pse mandatin e kaluar kanë qenë bashkë në të njëjtën qeveri.

“Megjithatë, kur jemi tek ajo se kush do të mund ta marrë ‘bajraktarizmin’ e të bërit opozitë në Kuvend, Vetëvendosjen e shoh në përparësi kundrejt LDK-së, pasi që VV-ja gjithmonë do t’ia përkujtojë LDK-së që ka qenë deri vonë në koalicion me këta që sot po i shanë”, tha Ismaili për BIRN.

“Vetëvendosje ka qenë konsistente në qëndrimin e saj të fuqishëm kundër qeverisë”, shtoi Ismaili.

Ai mendon se LDK ka një rrugë të gjatë përpara në betejën për ta rimarrë rolin drejtues në politikën e Kosovës.

“Nëse LDK dëshiron të rikthehet si partia kryesore, ajo duhet të ndërmarrë menjëherë reforma të brendshme pas zgjedhjeve lokale dhe t’i shpallë zgjedhjet partiake përmes një procesi transparent”, tha Ismaili.

“Vetëm përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës zgjedhor dhe hapjes për njerëz të rinj, LDK mund të pretendojë që të kthehet seriozisht në garë për zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen ato”, shtoi ai.

Artan Muhaxhiri thotë se është natyrale që LDK tani është në kërkim që ta freskojë partinë dhe t’u qaset votuesve të rinj të cilët “me probabilitet më të madh mund të anojnë kah Lëvizja Vetëvendosje”.

Sipas Muhaxhirit, gjendja në LDK nuk ka qenë “idilike” meqë disa deputetë përveç mosreflektimit ndaj humbjeve zgjedhore, ka pasur probleme të hapura siç ka qenë kundërshtimi i kabinetit qeveritar “Mustafa” nga disa deputetë të vet në dhjetor 2014, pastaj reagimet ndaj procesit të rizgjedhjes së Isa Mustafës në krye të partisë, në maj 2015, sikurse edhe inicimi i kundërshtimit profesional të Demarkacionit me Malin e Zi nga viti 2015, që u bë nga një deputet i LDK-së dhe u përkrah nga disa të tjerë.

“Ndërsa aktualisht problematik konsiderohet koncentrimi i fuqisë parlamentare tek politikanët që identifikohen me periudhën e Isa Mustafës”, tha Muhaxhiri.

“Këto janë indikacione të qarta se LDK-së i duhet një reformë e harmonizuar e cila dotë kontribuonte në stabilitetin afatgjatë në struktura dhe lidershipin e saj. Momentumi aktual mund të jetë një fikë fillestare”, shtoi Muhaxhiri.

Në kampin e LDK-së, Abdixhiku është i bindur për partinë dhe të ardhmen e saj. Ai thotë se në zgjedhjet e tetorit, “ka pasur bashkëpunim të mirë” ndërmjet gjeneratave në këtë parti.

“E kemi thënë disa herë se do t’i përmirësojmë gabimet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe do të kthehemi aty ku e kemi vendin”, tha ai.

/Kallxo.com/

Comment

*