Rrugëtim i bukur shekullor – Universiteti i Zagrebit shënon 350 Vjetorin e Themelimit të tij

Sadik Elshani

Pak histori

Universiteti i Zagrebit (kroatisht: Sveuciliste u Zagrebu; latinisht: Universitas Studiorum Zagrabiensis) eshte universiteti me i madh kroat dhe universiteti me i vjeter me pune te panderprere ne hapesiren qe perfshin Europen Qendrore ne jug te Vjenes dhe tere Europen Juglindore.

Historia e universitetit fillon me 23 shtator te vitit 1669 kur Perandori i Shenjte Romak dhe mbreti hungarezo-kroat Leopoldi I e ka leshuar dekretin me te cilin e autorizon themelimin e Akademise Jezuite te Qytetit te Lire Mbreteror te Zagrebit. Dekreti eshte pranuar nga Kuvendi i Mbreterise Kroate me 3 nentor te vitit 1671. Prandaj, vitin 1669 universiteti e merr si diten e themelimit te tij, ndersa 3 nentorin si Diten e Universitetit. Ne baze te atij dokumenti studimi i filozofise ne Zagreb e ka fituar statusin formal dhe legal si Neoacademia Zagrabiensis dhe zyrtarisht eshte bere institucion publik i arsimit te larte. Akademia eshte drejtuar nga jezuitet per me shume se nje shekull, derisa rendi eshte shperbere nga Papa Klementi i XIV ne vitin 1773. Ne vitin 1776 perandoresha Maria Tereza (1717 – 1780) e ka leshuar nje dekret, me te cilin themelohet Akademia Mbreterore e Shkences, e cila e zevendeson (trashegon) Akademine e meparshme Jezuite dhe perbehej nga tri studime ose fakultete: filozofi, teologji dhe drejtesi. Akademia ne Zagreb, edhe perkunder shume ndryshimeve organizacionale, deri ne vitin 1874 ka qene institucioni vatror (fokusor) i arsimit te larte ne Kroaci, duke e edukuar shumicen e shtreses se intelegjences kroate.

 

Universiteti modern i Zagrebit

Ne vitin 1861 Ipeshkvi Josip Juraj Strossmayer (1815 – 1905) – perkrahes i madh i historise, artit dhe kultures kroate, themelues i institucioneve qendrore kroate te shkencave dhe arteve, i parashtron (propozon) Kuvendit te Kroacise themelimin e universitetit. Perandori Franz Joseph (1830 – 1916) ne vitin 1869 e ka nenshkruar dekretin per themelimin e Universitetit te Zagrebit. Akti i Themelimit eshte miratuar nga Kuvendi (Parlamenti) ne vitin 1874 dhe eshte ratifikuar nga Perandori me 5 janar, 1874. Me 19 tetor, 1874 Universiteti Mbreteror i Franz Josph-it – Universiteti modern i Zagrebit zyrtarisht i ka hapur dyert. Vete Perandori ka urdheruar qe ne kete solemnitet te hapjes ate ta perfaqesonte bani Mazhuraniq (ban – titull i sundimtarit te Kroacise ne ate periudhe).

Me aktin ligjor te vitit 1874 Universiteti i Zagrebit ka qene dashte t’i kete kater fakultete:

Drejtesi (Pravno – drzavoslovni fakultet)

Teologji (Bogoslovni fakultet)

Filozofi (Mudroslovni fakultet)

Mjekesi (Ljecnicki fakultet)

Fakulteti i Mjekesise nuk eshte vene ne pune ne vitin 1874, por ka qene dashte te prese gjer ne vitin 1917. Fakulteti Filozofik ka sherbyer si fakultet i prgjithshem shkencor. Nga viti 1876 i ka patur: gjeologjine, botaniken, fiziken, matematiken, kimine; nga viti 1877, zoologjine; nga viti 1882, farmacine; nga 1883, gjeografine. Qe nga ajo kohe disa dege te shkencave natyrore jane ndare dhe jane perfshire ne Fakultetin e Shkencave Natyrore Matematikore, ndersa farmacia eshte bere fakultet i pavarur (sot, Fakulteti i Farmacise dhe Biokimise, ku kam studiuar une dhe ku i kam arritur te gjitha gradat shkencore). Qe nga ajo periudhe e deri ne diten e sotme Universiteti i Zagrebit eshte zgjeruar vazhdimisht me fakultete e disiplina te reja shkencore. Sot ne Universitetin e Zagrebit studiohen te gjitha lemite dhe disiplinat shkencore. Universiteti perbehet nga 30 fakultete, 3 akademi dhe nje qender universitare. Universiteti ka mbi 70.000 studente, ndersa ne procesin mesimor e pune shkencore jane te angazhuar mbi 8000 vete (profesore, asistente, teknike, etj.). Nga viti 1874 ne kete universitet kane diplomuar mbi 225.000 studente, mbi 20,000 e kane marre graden e magjistirt dhe mbi 11.000 ate te doktorit te shkencave.

Kroatet me te drejte krenohen me universitetin e tyre. Universiteti e gezon nje reputacion te mire nderkombetar dhe diplomat e tij jane te pranuara ne tere boten. Ne vitin 2018 universiteti eshte radhitur ne vendin e 463-te ne mesin e 1000 universiteteve me te mira te botes. Niveli i procesit mesimor e shkencor eshte ne nje nivel te larte. Prandaj, universiteti mund te radhitet edhe me larte, por ne keto radhitje merren parasysh edhe disa faktore te tjere qe fare nuk kane lidhje me procesin mesimor dhe kerkesat akademike. Kete e di fare mire nga pervoja ime vetjake (individuale), sepse njohurite e marra ne Universitetin e Zagrebit me kene sherbyer shume mire ne karrieren time ketu ne Amerike. Pedagoget kane nje pergatitje te shkelqyer profesionale, shumica jane te specializuar ne universitetet me prestigjioze boterore, flasin disa gjuhe te huaja. Ne lemite e tyre perkatese ata merren si eksperte boterore kulmore (angl, top experts). Prandaj, ata jane mjaft kerkues.Perveç angazhimit te tyre ne procesin mesimor ata merren seriozisht edhe me pune shkencore. Punimet e tyre shkencore jane te botuara ne revistat dhe publikimet tjera prestigjioze. Shume profesore te ketij universiteti i kane vazhduar larrierat e tyre ne universitetet me te njohura boterore, por kurre nuk i kane nderprere lidhjet me Zagrebin. Ata here pas here kane mbajtur ligjerata, kane marre studente per te studiuar ne universitetet ku ata kane punuar, u kane siguruar qendrime shkencore studiusve te rinj, etj. Vlen te permendet ketu rasti i profesorit te kimise organike, Vladimir Prelog (1906 – 1998), fitues i Çmimit Nobel per kimi ne vitin 1975. Ne vitet 1935 – 1941 ai ka qene profesor i kimise organike ne Fakultetin e Teknologjise ne Zagreb, ndersa nga viti 1941 e deri ne pensionim ai ka qene profesor ne Institutin Teknologjik Federal Zviceran (ETH, Eidgenossische Technische Hochschule) ne Zurich. Nje pjese e mire e profesoreve te mi te kimise organike ne Zagreb, ne studimet universitare dhe ato pasuniversitare, kane qene studente, doktorante ose posdoktorante te profesor Prelogut dha pastaj vazhdimisht kane qene ne kontakt me te.

 

Studimet ilire, shqiptare ne Universitetin e Zagrebit

Siç permendem edhe me lartr, ne Universitetine Zagrebit studiohen te gjitha lemite dhe disiplinat shkencore, perfshire ketu edhe studimet ilire, shqiptare. Sudimet ilire, shqiptare ne Universitetin e Zagrebit kane nje tradite te gjate, mbi nje shekullore, ndoshta edhe me heret, por ketu e kemi fjalen per studime sistematike e mjaft serioze. Keto studime ne kete shkalle fillojne me punen e historianit dhe politikanit kroat, Milan Sufflay (1879 – 1931), i cili ne vitin 1908 eshte emeruar profesor ne Universitetin e Zagrebit. Ai merret si njeri nder themeluesit e albanologjise (albanistikes). Per shkak te punes dhe qendrimeve te tij politike ai vazhdimisht ka qene i perndjekur nga regjimi jugosllav, kupto, serb. Ka botuar mjaft studime per shqiptaret, sidomos eshte i njohur per vellimet diplomatike shqiptare: Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrianitia, me bashkautoret, L. Thalloczi dhe K. Jireçek. Me kerkesen e qeverise shqiptare dhe Akademise se Shkencave te Vjenes ai e ka vazhduar punen e Jiricekut dhe Thalloczyt, duke redaktuar librin e 3-te te Codex Albanicus, nje kolekcion arkivor. Ne vitin 1931 ai e merr pasaporten (me heret ia kane ndaluar pasaporten) dhe me 12 janar arrin ne Shqiperi per te nenshkruar kontraten per te punuar ne Acta Albaniae. Me 18 shkurt, nje dite pas kthimit nga Shqiperia,  agjentet serbe e sulmojne ne rrugen Dalmatinska dhe diten e neserme ai vdes nga plaget e marra. Jehona e vdekja se tij tragjike ishte e madhe, ajo i preku thelle personalitetet e shquara te kohes, si: Albert Einstein e Heinrich Mann e shume te tjere, te cilet i shkruan nje leter Liges Nderkombetare te Drejtave te Njeriut ne Paris. Ai u be deshmor i albanologjise.

Me studimet ilire eshte marre edhe historiani, arkeologu dhe gjeografi i njohur kroat, profesor Grga Novak (1888 – 1978). Ne vitet 1924 – 1959 ai ka qene professor i historise se vjeter ne Universitetin e Zagrebit, ndersa ne vitet 1958 – 1978 ka qene kryetar i Akademise Jugosllave te Shkencave dhe Arteve (sot, Akademia Kroate e Shkencave dhe Arteve). Ai ishte shkencetari me i rendesishem kroat i brezit te tij, ekspert i kalibrit beteror, njohes i shkelqyer i historise se vjeter greke, romake dhe egjiptiane. Eshte marre shume seriozisht edhe me historine e Dalmacise. Studimet e tij i ka botuar ne librin ne tri vellime: “Proslost Dalmacije” (“E kaluara e Dalmacise). Ne vellimin e pare ndodhet kapitulli: “Ilirska drzava” (“Shteti ilir”). Dihet se ne Dalmaci ka jetuar fisi ilir i dalmateve, prej nga e ka marre edhe emrin ky rajon ne bregdetin Adriatik. Profesori Novak ka patur kontakte dhe bashkepunim edhe me arkeologet nga Shqiperia.

Gjuhetari, filozofi, psikologu, enciklopedisti, perkthyesi i njohur, Kruno Krstic (1905 – 1987), i lindur ne Arbnesh te Zares, per nje kohe te shkurter ne vitin 1945 ka qene asisten ne Fakultetin Filozofik, ndersa ne vitet 1951 – 1975 ka punuar ne Entin Leksikografik Kroat. Eshte marre me studime gjuhesore kroate, filozofi, psikologji dhe eshte autor i shume zerave te enciklopedive te ndryshme. Ne mes te shume librave nga lemite e permendura ketu, ai ka botuar edhe dy libra qe jane me shume interes per ne: “Rjecnik govora zadarskih Arbanasa” (“Fjalori i se folmes se arbnesheve te Zares”, Zare, 1987) dhe “Doseljenje Arbanasa u Zadar” (“Vendosja e Arbnesheve ne Zare”, Zare, 1988).

Njeri nder figurat me te shquara te Universitetit te Zagrebit e me gjere, qe eshte marre shume seriozisht me studime ilire eshte profesori shqiptaro – kroat, Aleksander Stipceviqi (1930 – 2015). Ai ishte arkeolog, bibliograf, bibliotekist dhe historian, i specializuar ne studimet ilire. Merret si njeri nder ilirologet me te medhenj te botes. Rezultatet e tij ai i ka paraqitur ne shume tubime nderkombetare ilire ne Tirane, Prishtine dhe vende te tjera, gjithmone duke e mbrojtur autoktonine e ilireve ne tyrojet e tyre dhe duke e theksuar rendesine e tyre ne boten e lashte. Studimet e tij te gjithanshme per iliret i ka permbledhur ne kater libra te rendesishem per çdo studiues qe merret me historine e ilireve: “Iliret” (1966), “Arti ilir” (1963), “Iliret, historia, jeta, kultura” (1974), “Simbolet e kultit te iliret” (1981).  Librat e tij jane perkthyer ne italisht, anglisht dhe shqip. Duke i analizuar me kujdes te dhenat e autoreve te vjeter dhe te dhenat nga zbulimet arkeologjike, profesor Stipceviqi per here te pare na sjell te dhena te rendesishme per zakonet ilire, jeten e tyre te perditshme, lindjen dhe vdekjen, pijet, veshjet, semundjet, etj. Me punen e tij te palodhshme ai e ka rindertuar jeten shpirterore te ilireve. Vitet e fundit te jetes se tij profesor Stipceviqi ia ka kushtuar kerkimeve shkencore te kultures, trashegimise shpirterore e gjuhesore, traditave te arbnesheve te Zares, te cilat i ka permbledhur ne librin me titull: “Kultura tradicionale e arbnesheve te Zares” (Prishtine, 2011). Eshte nje liber i shkruar me perkushtim e shume dashuri per vlerat dhe traditat e te pareve te tij. Profesor Stipoceviqi ka patur bashkepunim te ngushte e mjaft prodhimtar me arkeologet e historianet e Shqiperise dhe Kosoves. Ka patur kontakte te vazhdueshme e bashkepunim te frytshem edhe me studentet shqiptare qe kane studiuar ne Universitetin e Zagrebit. Ai e ka folur bukur gjuhen shqipe, te folmen e arbnesheve te Zares.

Biblioteka Universitare ne fondin e vet ka edhe mjaft libra me vlere ne gjuhen shqipe. Ne vitet 1941 – 1944 profesor Çabej i ka botuar disa punime te veta ne revistat shkencore te Zagrebit. Kateder te gjuhes shqipe, mesa di une, ende nuk ka ne Universitetin e Zagrebit, por koheve te fundit jane duke u bere perpjekje serioze per te hapur degen dhe lektoratin e gjuhes shqipe.

 

Studentet shqiptare ne Universitetin e Zagrebit

Kur jam duke i shkruar keto radhe nuk e di se kur kane filluar studentet shqiptare qe te studiojne ne Universitetin e Zagrebit. Profesor Idriz Ajeti (1917 – 2019) i ka filluar aty studimet para Luftes se Dyte Boterore, ndersa i ka perfunduar pas luftes ne Beograd. Ne vitet 1945 – 1948 kur Shqiperia dhe Jugosllavia i kane patur marredheniet e mira, ne Universitetin e Zagrebit kane studiuar edhe studente nga Shqiperia. Ka qene i njohur mjeku Faik Turdiu (1919 – 1982), i cili pas prishjeve te marredhenieve ka qendruar ne Zagrb. Numri i studenteve shqiptare ka filluar te rritet aty nga gjysma e dyte e viteve te 50-ta te shekullit te kaluar. Nga fundi i viteve te 60-ta e deri ne fund te viteve te 80-ta te shekullit te kaluar ka qene nje numer i perhershem prej 500 studenteve shqiptare qe kane studiuar ne Zagreb. Studentet shqiptare kryesisht kane studiuar ne deget deficitare per te cilat nuk kishte fakultete ne Universitetin e Prishtines, por disa kane studiuar edhe ne ato dege qe ishin ne Prishtine, sepse siç e cekem me larte Universiteti i Zagrebit ka qene dhe eshte nje institucion i forte arsimor e shkencor. Pastaj, jeta kulturore, mireqenia ekonomike ishin ne nje nivel shume me te larte, te pakrahasueshem me ate ne Kosove. Pra, Zagrebi ofronte diçka me teper… Studentet shqiptare, per dallim nga disa universitete tjera jugosllave, ne Zagreb jane trajtuar shume mire. Studentet shqiptare te diplomuar ne Zagreb dhe universitetet tjera ishin kuadrot e para te kualifikuara shqiptare dhe ishin eksperte ne lemite e tyre perkatese. Vlen te theksohet se ne Universitetin e Zagrebit, pjesa dermuese e studiuseve dhe shkencetareve shqiptare i kane kryer specializimet, magjistraturat dhe doktoraturat e tyre. Ne Zagreb e kemi patur klubin tone, “Shkendija”, themeluar ne vitin 1960 e qe ende vepron. Kemi organizuar mjaft veprimtari kulturore e sportive: ore letrare, recitale, ekspozita, koncerte muzikore, turnire sportive, takime te studenteve (Takimet e Majit). Brenda mundesive tona i kemi paraqitur vlerat tona kulturore e kombetare para publikut te Zagrebit. Ne vitin 1980, me rastin e 100 vjetorit te lindjes se aktorit tone te madh, Aleksander Moisiut (1879, 1935, atehere ne e denim se ai ka lindur ne vitin 1880), ne bashkepunim me Institutin e Kulturor Austriak ne Zagreb kemi organizuar nje ekspozite madheshtore me fotografi, shoqeruar me nje recital, disa inçizime me zerin e Moisiut, etj. Po ashtu, ne vitin 1980 e kemi festuar ne menyre madheshtore edhe 20 Vjetorin e Themelimit te klubit tone. Eshte mbajtur nje koncert madheshtor me pjese muzikore te muzikes klasike dhe asaj popullore, nje recital nga grupi i recituesve te Universitetit te Prishtines. Ne kete manifestim merrnin pjese edhe shume funksionare te larte te Republikes se Kroacise, ishte i pranishem edhe profesor Stipceviqi. Ate vit e botuam edhe nje reviste, fletushke, siç e quanim ne, me materiale te pasura nga lemi te ndryshme: Intervista, shkrime historike, veshtrime letrare, poezi, artikuj per veprimtarite e klubit, etj. Per shkak te frymes atdhetare, nje perfaqesues i Lidhejs se Rinise se Kosoves u mundua ta ndalonte shperndarjen, por ne ia rrembyem nga duart dhe e shperndame ne te gjitha trojet shqiptare ne ish Jugosllavi. Edhe ne ditet e sotme ne Universitetin e Zagrebin jane duke studiuar mjaft shqiptare. Numrin nuk e di, por nuk eshte edhe aq i madh, krahasuar me periudhat e meparshme.

Nuk po zgjatem me teper ketu, sepse ka shume per t’u shkruar per Universitetin e Zagrebit, studentet shqiptare dhe studimet ilire e shqiptare ne kete universitet. Per kete mund te behet nje studim monografik i vellimshem, i thuket e serioz. Me keta pak rreshta desha te theksoja se edhe shqiptaret jane bere pjese e ketij rrugetim te bukur 350 vjeçare te Universitetit te Zagrebit. Kulmi i festimeve te ketij pervjetori te madh do te jete solemnitetit qe do te mbahet me 3 nentor ne Sallen Koncertale Vatrosllav Lisinski ne Zagreb. Universitetit te Zagrebit i urojme ditelindjen e 350-te duke i deshiruar pune te mbare, arritje te larta arsimore e shkencore. Me kete rast i shprehim mirenjohjen dhe falenderimet tona Universitetit, popullit dhe shtetit kroat per mbeshtetjen e tyre te çilter e te pakursyer nder vite. Gezuar!

Philadelphia, 23 shtator, 2019

Sadik Elshani (i diplomuar ne Universitetin e Zagrebit) eshte doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro amerikene

Comment

*