Ruçi: Nisma e PD-së për veting të politikanëve është në tryezë

Tiranë, 14 shtator 2018 – Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka thënë se nisma e PD-së për vetingun e politikanëve është në tavolinën e diskutimeve dhe për të do të vendoset në momentin e duhur.

“Ka ditë që ky draft është paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas procedurave parlamentare, dje ka qenë afati për të njoftuar seancën e Parlamentit, është futur në programin e parlamentit, është shumëzuar dhe u është vënë në dispozicion deputetëve, është botuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë”, ka thënë Ruçi, në një deklaratë për gazetarët, në qytetin e Fierit.

“Pas dy javëve nga data e depozitimit do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, i cili do të bëjë një program enkas për njohjen, diskutimin dhe për materialin ose mendimin që Këshilli i Legjislacionit, në mbledhjen e përbashkët me Komisionin e Ligjeve, do ia parashtrojë seancës plenare. Do miratohet apo jo, është shumë shpejt për të dhënë unë verdiktin. Unë jam kryetari i parlamentit dhe drejtues i kësaj mbledhjeje, kështu që më ndalohet të them: do miratohet apo nuk do miratohet”, është shprehur Ruçi, citon Ora News,.tv.

“Sigurisht që vettingu për politikanët tashmë është diskutuar në të kaluarën: qoftë me ligjin organik, të cilin e ka miratuar me një konsensus të gjerë parlamenti shqiptar, siç është ‘ligji për dekriminalizimin’, ashtu sikurse edhe pjesë e vettingut të ligjor të politikanëve, janë objekt i reformës në drejtësi”, ka shtuar ai.

“Megjithatë, le të presim. Nisma është prezente, është në tavolinë të diskutimit, do të diskutohet, do të gjykohet dhe do të vendoset në momentin e duhur”, ka thënë në fund Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruçi. (r.m.)

Comment

*