Rugovizmi dhe kapadaizmi, azganizmi yne

Sadik Elshani

Rugovizmi

Qe ne fillim duhet theksuar se paraqitja e Dr. Ibrahim Rugoves ne skenen politike te Kosoves ishte nje dukuri e papare gjer atehere ne hapesiren shqiptare dhe ate ballkanike. Gadishulli qe kishte perjetuar drama, tragjedi njerezore, luftera e dhune te panderprere, thuaja gjate tere historise se tij, nuk ishte mesuar te ndeshej me nje qendrese (rezistence), levizje paqesore. Por ja qe dr. Ibrahim Rugova solli diçka te re, solli nje qasje te re, rezistencen paqesore, rezistencen kembengulese burrerore – zgjodhi forcen e parimeve te larta morale mbi forcen e vrazhde fizike. E mosperfillen pushtuesin, e refuzuan nenshtrimin dhe ngriten institucionet, shoqerine paralele. Shqiptaret te cilet ishin rritur me trimerite e Ciklit te Kengeve te Kreshnikeve, Gjergj Elez Alise, bemat e Skenderbeut, tani po provonin diçka ndryshe, diçka te re, diçka qe nuk e kishin provuar kurre me pare. Edhe dr. Rugova qysh nga lindja e kishte perjetuar fatin e rende te Kosoves, sepse sapo kishte lindur ai, çetniket serbe ia kishin vrare babain dhe gjyshin. Ai ishte rritur duke i degjuar keto histori dhe shume histori te tjera te dhimbshme qe ka perjetuar populli yne. Pa dyshim, edhe ngjarjet e Vitit te Madh 1968 do te kene lene gjurme ne ndergjegjen, kalitjen e karakterit te studentit te atehershem, Ibrahim Rugova. Me strategjine, filozofine e tij politike e kishte projektuar pavaresine e Kosoves, qellimin perfundimtar, endrren e popullit te Kosoves. Pra, ky eshte rugovizmi: filozofia politike, strategjia e dr. Ibrahim Rugoves per te arritur pavaresine e Kosoves. Armiku yne, siç kishte bere gjithmone, zgjodhi rrugen e dhunes, rrugen e krimit, gjenocidit. Barbarizmi nuk mund ta perqafoje qyteterimin dhe vertet eshte shume e veshtire qe barbarizmi te luftohet, mposhtet me mjete paqesore. Por, koherat tani kishin ndryshuar, Europa dhe bota perparimtare ishin zgjuar nga indiferenca e tyre, sepse armiku yne, dikur miku i tyre, e kishte mbushur kupen me krimet e tyre barbare e çnjerezore. Dr. Rugova ishte bere simboli, flamuri i kesaj levizje dhe me forcen e personalitetit, intelektualizmit te tij e beri te ndjeshme, e nderkombetarizoi çeshtjen e Kosoves, e gezoi perkrahjen dhe mbeshtetjen e demokracive, fuqive me te medha boterore. Por, çka eshte edhe me e rendesishme, ai e gezonte perkrahjen, dashurine, respektin e pakufishem te popullit te vet. Udheheqesi i zgjedhur ne menyre demokratike qe e gezon respektin dhe perkrahjen e popullit te vet, do ta gezoje edhe perkrahjen, mbeshtetjen e botes perparimtare. Qyteterimi europian e boteror qe i mbeshteti, qe i perqafoi vlerat e larta intelektuale e njerezore te ketij biri te Nene Terezes, sikur u pajtua qe te bente diçka per popullin, vendin e ketij njeriu qe misheronte paqen, mirekuptimin, harmonine ne mes te popujve dhe jo dhunen. Me perkrahjen nderkombetare, luften e Natos dhe te shqiptareve, kjo qasje e re solli diçka qe nuk kishte mundur te realizohej me heret – solli pavaresine e Kosoves. Te mos harrojme se shqiptaret e Kosoves vazhdimisht kane luftuar per lirine dhe pavaresine e tyre, Kosova ka patur burra shume me trima se “komandantet” rrahagjokes: Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Azem Galica, Shaban Polluzha e shume te tjere, por ja qe nuk munden t’i arrinin synimet e tyre. Nuk ka nevoje qe te zgjatemi me teper ketu se te tjerat i ka thene dhe do t’i thote historia.
Dr. Rugova nuk ishte nje Shenjt, njeri i perkryer, por ishte udheheqesi i duhur, ne kohen e duhur, ne çastin vendimtar, ne vendin e duhur. Kishte shume kohe qe vendi yne e priste nje prijes te tille, te mençur e guximtar. E quajten Gandi i Ballkanit. por ai ishte edhe Moisiu i Ballkanit, Moisiu i shqiptareve. Ai nuk i priu popullit te tij drejt tokes se premtuar, sepse ata ishin ne token e premtuar, ne token e tyre – ai i priu popullit drejt fitores se lirise, heqjes se prangave te roberise shekullore. Iishte i begatuar me tipare shume njerezore, kurre nuk e ka fyer askend, nuk e ka share askend, nuk e ka kercenuar askend, nuk ka folur keq per askend, edhe pse te tjeret e sulmonin vend e pa vend. Nuk ishte nje udheheqes mendjemadh e fjalebosh, por gjithmone i qete, nje intelektual i brumosur me ndjenjat e atdhedashurise dhe i edukuar me nje fryme liberale perendimore, i armatosur me forcen e argumentit, te vertetes, fakteve – shembellture e intelektualit te angazhuar. I kishte ngarkuar vetes nje qellim, nje mision te larte e fisnik: te mos merrej me te tjeret, por vetem me çeshtjet, interesat madhore te Kosoves dhe te kombit tone. Kete mund ta bente vetem nje intelektual, humanist me shpirt fisnik e zemer te gjere si dr. Rugova, njeri qe me veprat e tij: “Strategjia e kuptimit” (1980), “Vepra e Bogdanit” (1982), “Refuzimi estetik” (1987), kishte sjelle nje qasje te re edhe ne fushen e kritikes, studimeve letrare dhe te mendimit kombetar. U ngrit mbi nivel, gjithmone i matur, i miresjellshem: “Qetesia cmohet teper edhe ne diplomaci. Kurre nuk duhet te flase njeriu me nje fjalor te rende, me nje arsenal fjalesh qe ka shtypi, gazetat. Eshte edhe nje parim tjeter: kurre nuk duhet paraqitur as vajtues as eksploziv. Duhet shtruar gjerat ashtu siç jane. Pra, nuk duhet imponuar, nuk duhet te jesh emocional, as ekskluziv, as te urrehen popujt e tjere”. Cili nga politikanet tane te sotshem i permbahet ketij parimi themelor e kaq te domosdoshem per te komunikuar me njeri – tjetrin ne menyre te qyteteruar e njerezore.

Dhuna, kapadaizmi, azganizmi ne shoqerine shqiptare

Ka shume rrahagjokes qe ende jane duke e kritikuar rrugen e tij paqesore, qe nuk ishte nenshtruese, por sfiduese, kembengulese, formoi nje shoqeri te qyteteruar, ndertoi nje shtet paralel, siç permendem me lart, dhe qe u kurorezua me fitore. Por, ne hapesiren shqiptare dhe ate ballkanike gjate gjithe historise ka patur vetem dhune. Ne shoqerite ku mbizoteron kulti i ekzagjeruar i mashkullit, ne shoqerite “macho”, ne shoqerite ku njerezit vuajne nga sindromi i heroit, njerezit e urte, te mençur e te sjellshem si dr. Rugova, quhen frikacake, tuca. Perkundrazi, eshte e kunderta. Bukur e ka thene shkrimtari libanezo – amerikan, Khalil Gibran (1883 – 1931): “Sjellja e mire dhe te qenit njerezor, nuk jane shenje e dobesise dhe deshperimit, por manifestojne fuqi dhe vendosmeri”. Rrahagjokesat duhet ta dijne se Kosova nuk kishte ushtri, tanke, aeroplane – forcat tona ishin shume te pabarabarta me ato te armikut tone. Duhej hulumtuar, gjetur nje rruge tjeter. Ne patem kohe per njeqind vjet qe te çliroheshim, por nuk mundem vetem me forcat tona, duhej nje perkrahje, nderhyrje nderkombetare.
Dhunen, azganizmin dhe kapadaizmin ne shoqerine shqiptare bukur e ka karakterizuar shkencetari, shkrimtari e diplomati, Eqrem bej Vlora (1885 – 1964) ne librin e tij, “Kujtime, 1885 – 1925”: “Shqiptari ka prapa nje tradite mijevjeçare kapadailleku dhe dhune, ndaj edhe heronjte e udheheqesit e tij njuk mund t’i parafytyroje ndryshe, vecse te pajisur me keto veti. Kenge popullore nuk u kendon mendjelarteve, shpetimtareve, zemerdhembshurve, por e mburr hakmarresin, trimin, te pameshirshmin, te dhuneshmin dhe intrigantin”. Pra, edhe sot, dhuna ne shoqerine dhe skenen politike shqiptare eshte mjaft e pranishme, madje e tolerueshme, qe manifestohet ne sjelljet dhe veprimet e politikaneve tane: fyerje, sharje, rrahjet ne parlament dhe ne studiot televizive, dhuna ne shoqeri e familje.Udheheqesit tane, perfshire edhe kryeministrin, shpesh perdorin gjuhen e dhunes, forcen e muskujve dhe jo gjuhen e arsyes, forcen e mendjes, argumenteve. “Mjere ai vend ku perçmohen mendjet e lartesohen muskujt” – ka thene shkrimtarja italiane, Sveva Casati Modignani (1938). Per fat te keq, ai vend eshte vendi yne. Prandaj, nuk eshte aspak per t’u habitur se ne nje shoqeri, vend te tille ende ka njerez ne pozita politike dhe neper institucionet shteterore, kulturore e akademike qe mundohen ta perdhosin vepren e dr. Ibrahim Rugoves.
Periudha e ndritur e Rilindjes sone Kombetare dhe veprimtaria e levizjes se dr. Rugoves jane deshmi te qarta se, asnje qendrese e armatosur nuk mund te jete e suksesshme pa patur perkrah nje levzje te drejte e te forte politike, gjitheperfshirese dhe mbarekombetare, qe gezon edhe perkrahjen e gjere nderkombetare. Intelektualet nuk duhet te heshtin perpara sfidave te veshtira qe po kalon Kosova e koheve te fundit – nuk duhet te behen peng i politikes se dites dhe te ambicieve te tyre te semura per pushtet, duke e perçare popullin, madje duke nxitur edhe dhune. Ngjarjet e koheve te fundit ne Kosove jane duke pasqyruar qart se Kosoves sot po i mungon nje intelektual, nje politikan i kalibrit te dr. Rugoves. Po ndihet dukshem mungesa e prijesit emblematik te Kosoves, udheheqesit qe rrezatonte vlera kombetare e miresi njerezore. Njerezit si dr. Rugova rralle paraqiten ne jeten publike e politike te nje vendi, nje populli te vogel dhe kam frike se per nje kohe te gjate nuk do te kemi nje njeri te permasave, autoritetit te tij.
Ne figuren e dr. Ibrahim Rugoves politikanet shqiptare e kane nje shembull te mire per ta ndjekur. Finis coronat opus (fundi e zbukuron vepren) kane thene latinet e vjeter – vetem shikone ceremonine e varrimit te dr. Rugoves. Ne kohen e dr. Rugoves Kosova ndryshe trajtohej e jo si sot, qe dita dites eshte duke rene poshte e me poshte perkrahja e saj nderkombetare.

Philadelphia, 23 shtator, 2018
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Comment

*