Rukiqi: Në Kosovë, pandemia mund t’i shuajë deri 50 mijë vende pune

Prishtinë, 1 gusht 2020 – Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se Kosova po ballafaqohet me krizën më të rëndë ekonomike që nga përfundimi i luftës, në vitin 1000, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Rukiqi ka thënë se kjo krizë mund të shpie në falimentimin e shume bizneseve dhe ne humbjen e shume vendeve të punës.

“Ne shumë lehtë mund të humbim shumë kompani, të cilat mund të detyrohen të shkojnë në procedura të falimentimit e ndoshta edhe bankrotimit të plotë, kështu që mund të humbim shumë vende të punës, të cilat janë krijuar me shumë vështirësi, edhe në kohën kur ekonomia e Kosovës ka pasur një trend të rritjes”, ka thënë Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se, sipas ecurive të deritshme ekonomike, pa pune mund të mbeten deri në 50 mijë punëtorë.

“Nëse marrim parasysh shifrat e tkurrjes së mundshme ekonomike, sigurisht mund të flasim për një numër deri në 25 mijë vende pune që mund të humbin si pasojë e pandemisë. Kjo është në variantin më pozitiv e mund të shkojë deri në 50 mijë e më shumë varësisht nga kohëzgjatje e pandemisë, por në të njëjtën kohë edhe nga menaxhimi i pandemisë në përgjithësi, nga kufizimet që mund t’i krijojë pandemia dhe masat që do t’i ndërmarrë qeveria”, është shprehur Rukiqi.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës mund të bie deri në 7 për qind, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Ende nuk kemi një vlerësim të saktë të humbjeve, por nëse i shohim këto parashikimet që janë diskutuar edhe në institucionet financiare ndërkombëtare dhe lëvizjet në tregje, Kosova mund të ballafaqohet me një tkurrje ekonomike deri në 7 për qind. Qeveria e Kosovës ka shkuar në një version më pozitiv 3 për qind, por nëse flasim në vlera të caktuara, humbjet mund të sillen jo më pak se 500 milionë euro dhe mund të jenë edhe më të larta nëse nuk merren masa adekuate për rimëkëmbjen ekonomike”, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. (r.m.)

Comment

*