Sa islamikë janë myslimanët?

Daniel Pipes

Daniel Pipes

National Review Online
28 korrik 2014

Ligji islamik kërkon shumë prej myslimanëve; po me sa sukses i respektojnë ata rregullat e tij?

Scheherazade S. Rehman dhe Hossein Askari të “Georgetown University” kanë ofruar një përgjigje në një artikull të vitit 2010 me titull “Sa islamike janë vendet islamike?” në të cilin, pasi përcaktojnë cilat janë mësimet islamike, llogarisin se në ç’shkallë janë zbatuar ato në 208 vende dhe hapësira territoriale. Dy bashkautorët parashtrojnë katër tregues të ndryshëm (në ekonomi, drejtësi dhe qeverisje, të drejta të njeriut dhe të drejta politike, marrëdhënie ndërkombëtare) të cilët më pas i kombinojnë në një tregues të vetëm gjithpërfshirës të cilin e quajnë treguesi i islamicitetit.

EI2 është treguesi i islamicitetit në ekonomi; LGI2 treguesi i islamicitetit në drejtësi dhe qeverisje; HPI2 treguesi i islamicitetit tek të drejtat e njeriut dhe ato politike; si dhe IRI2 treguesi i islamicitetit për marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilët së bashku përbëjnë treguesin e islamicitetit (I2).

EI2 është treguesi i islamicitetit në ekonomi; LGI2 treguesi i islamicitetit në drejtësi dhe qeverisje; HPI2 treguesi i islamicitetit tek të drejtat e njeriut dhe ato politike; si dhe IRI2 treguesi i islamicitetit për marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilët së bashku përbëjnë treguesin e islamicitetit (I2).

Mund të ngjallë habi ndoshta fakti që dhjetë vendet që rezultojnë në krye të listës së islamicitetit janë, duke filluar nga vendi i parë, Zelanda e Re, Luksemburgu, Irlanda, Islanda, Finlanda, Danimarka, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Hollanda. Dhjetë vendet e fundit janë Majote, Bregu Perëndimor dhe Gaza, Somalia, Ishulli i Man-it, Eritrea, Sudani, ishujt Channel, Iraku, Komoros dhe Angola. E thënë ndryshe, asnjë prej dhjetë vendeve “islamike” në krye të listës nuk ka shumicë myslimane, por në shtatë nga dhjetë vendet në fund [të listës], gjysma apo më shumë e popullsisë është myslimane.

Mirëserdhët në Zelandën e Re, vendi surprizë ku mësimet islamike zbatohen më mirë se kudo tjetër.

Mirëserdhët në Zelandën e Re, vendi surprizë ku mësimet islamike zbatohen më mirë se kudo tjetër.

Malajzia, që mezi mund të quhet vend me shumicë myslimane ndodhet mjaft lart në listën e lartpërmendur, duke u renditur në vendin e 38-të. Kuvajti, një eksportues nafte jashtëzakonisht i pasur, renditet më lart se vendet e tjera me shumicë të theksuar myslimane duke zënë vendin e 48-të. Jordania ka renditjen më të lartë mes vendeve me shumicë të theksuar myslimane, por që nuk kanë pasuri nafte, duke zënë vendin e 77-të.

Duke marrë si shembull 57 vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (dhe duke injoruar numrin e popullsisë, në mënyrë që Maldivet [ndonëse] me 300,000 banorë të kenë të njëjtën rëndësi si Indonezia me 237 milionë), rezultati gjithpërfshirës është vendi i 139-të, ose e thënë ndryshe pozicionimi në renditje është qartazi poshtë gjysmës, vendit të 104 (dmth mesit të 208 vendeve pjesëmarrëse në sondazh). Me fjalë të tjera, sipas këtij studimi, bota në tërësi dashje padashje i përmbahet rregullave islamike më mirë se sa vetë vendet me shumicë myslimane.

Rezultati gjithpërfshirës i vërtetë është ndoshta poshtë vendit të 139-të, pjesërisht për arsye teknike dhe statistikore, pjesërisht për shkak se sondazhi në fjalë është kryer në vitin 2010, përpara se kryeministri turk të fillonte të nxirrte bishta dhe përpara se të ndodhnin trazirat në botën arabe: Turqia renditet relativisht lart në vendin e 103-të, Mali në të 130-in dhe Siria në vendin e 186-të; rezultatet e tanishme do t’i gjenin pa dyshim këto vende më poshtë në shkallën e islamicitetit. Duke kombinuar këto faktorë, llogaris që rezultati gjithpërfshirës për myslimanët sot do të ishte vendi i 175-të.

Treguesi i islamicitetit ndihmon të përshkruajë nga pikëpamja numerike teorinë time dy-pjesëshe (siç është paraqitur në librat e botuar më shumë se 30 vjet më parë mbi ushtarët skllevër dhe Islamin në jetën publike) mbi Islamin dhe politikën. (1) kërkesat e Islamit janë në thelb tepër të vështira për t’u arritur nga sunduesit myslimanë, gjë që çon në ftohjen [e marrëdhënieve] mes popullatës së thjeshtë dhe qeverisë që i drejton, duke çuar në thellimin e hendekut mes sundimtarëve dhe të sunduarve, si dhe u hap rrugën autokratëve të pangopur që përbuzin interesat e vartësve të tyre. (2) Këtij problemi i shtohet dhe fakti që që prej 1800-ës myslimanët e kanë kuptuar që kanë mbetur pas jo-myslimanëve në thuajse çdo sferë të veprimtarisë njerëzore, gjë që ka shkaktuar simptoma si dëshpërimi, mungesa e racionalitetit, konspiracionizmi dhe islamizmi.

I pyetur mbi tezën time, zoti Askari nuk është dakort. Në një letër që ma drejton mua, ai fajëson “udhëhqësit oportunistë fetarë” të cilët “i kanë shtrembëruar mësimet e Islamit dhe kanë marrë peng fenë për përfitimet e tyre vetjake.” Grykësia u ka dhënë mundësinë “sundimtarve shtypës dhe të korruptuar të pengojnë zhvillimin e institucioneve efikase,” argumenton ai. Së fundi, fuqitë kolonialiste dhe imperialiste kanë “shfrytëzuar këto kushte për përfitimet e tyre.” Me fjalë të tjera, ai sheh një treshe dashakeqe forcash fetare, politike dhe të Perëndimit që kanë krijuar një rreth vicioz që pengon progresin.

Përgjigja ime: Kur përballen me dështimin e një ideali në dukje fisnik (si komunizëm, ligj islamik), pasuesit e tij në mënyrë instinktive ia vënë fajin dështimit të njerëzve dhe jo të idealeve; duhet të përpiqemi më shumë e ta bëjmë më mirë. Kur arrihet në një pikë të caktuar dhe qëllimi nuk është arritur, është sa llogjike aq dhe e nevojshme që fajin t’ua vësh idealeve vetë. Katërmbëdhjetë shekuj dështim duhet të jenë mëse të mjaftueshëm për ta konsideruar të plotë eksperimentin.

Pavarësisht nga ideologjia uahabiste dhe kontrolli mbi Mekën, Arabia Saudite i zbaton mësimet e islamit më pak se shumica e vendeve të tjera.

Pavarësisht nga ideologjia uahabiste dhe kontrolli mbi Mekën, Arabia Saudite i zbaton mësimet e Islamit më pak se shumica e vendeve të tjera.

Le të marrim rastin specifik të Arabisë Saudite: Nëse zbatimi i doktrinës uahabiste për dy shekuj e gjysëm, nëse qeverisja e qëndrueshme dhe mbajtja nën kontroll e Mekës dhe Medinës për gati një shekull, shto këtu dhe pasuritë përrallore të akumuluara pa asnjë pikë mundimi, nuk kanë mjaftuar për ta nxjerrë vendin nga një renditje mjerane në vendin e 131-të, cilat janë shpresat për një shoqëri tjetër çfarëdo që të arrijë idealin islamik?

Askari ia vë fajin myslimanëve, kurse unë Islamit. Kjo divergjencë mendimi sjell disa implikime të mëdha. Nëse fajtorët janë vetë myslimanët, atëherë besimtarët nuk kanë alternativë tjetër përveçse të vazhdojnë përpjekjen për të përmbushur mësimet islamike, ashtu siç janë munduar të bëjnë për më shumë se njëmijë vjet. Nëse problemi qendron tek vetë Islami, atëherë zgjidhja konsiston në rishqyrtimin e interpretimit tradicional që i është bërë besimit si dhe në ri-interpretimin e tij në mënyrë të tillë që të çojë drejt një mënyre të suksesshme të të jetuarit. Një përpjekje e tillë mund të niste me një udhëtim me karakter kërkimor në Zelandën e Re.

Comment

*