Sa paguajnë qytetarët për menaxhimin e kursimeve të tyre pensionale?

Prishtinë, 3 shkurt 2018 – Rreth 1.7 miliardë euro është shuma e mjeteve të rreth 600 mijë kontribut-paguesve, të cilat i menaxhon Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Por, këto para nuk menaxhohen falas.

Në pasqyrat e llogarisë për vitin e kaluar që janë dërguar nga ky institucion te personat që paguajnë pension, del se ky fond ndal mjete për dy tarifa, një për investime dhe një për operacione për kontribuuesit.

Tarifat caktohen varësisht nga bilanci që një kontribuues ka në llogari.

Sipas zyrtarëve të këtij Fondi, tarifa për investime shkon vetëm për menaxhuesit e mjeteve për investimet që bëhen jashtë Kosovës, pasi 90 për qind e këtij fondi janë të investuara jashtë Kosovës.

Kurse, tarifa për operacione mbulon të gjitha shpenzimet për nevojat e Trustit, siç është qiraja, mirëmbajtje llogarish, njoftimi me postë i kontribuuesve, paga, shpenzimet për zyrë e të ngjashme.

Jeton Demi, zëdhënës në këtë institucion, tregon për Radion Evropa e Lirë, se nëse një person ka mbi 10 mijë euro, ai do të paguajë për tarifën operacionale 7.81 euro në vit ose 0.65 euro në muaj. Por, kjo shumë shkon deri në 50 euro kur i shtohet edhe tarifa për investime.

“Për shumën mbi 10 mijë euro, për tarifën operacionale ndahen 7 .81 euro për gjithë vitin ose 0.65 euro në muaj. Por, në pasqyrën e llogarisë paraqiten tarifat e përbashkëta dhe kjo shumë mund të jetë më e lartë. Për mbi 10 mijë euro, mund të jetë në 50 deri në 60 euro”, ka sqaruar Demi.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka paraparë që për vitin 2018 nga këto tarifa të ndalen rreth 7.7 milionë euro. Mbi 1.3 milionë euro ndalen për nevojat e Trustit, kurse mbi 6.4 milionë euro shkojnë për ata që menaxhojnë mjetet jashtë Kosovës .

Jeton Demi thotë se si shpenzim për kontribuuesit llogaritet vetëm tarifa operacionale, pasi tarifa për investime sjell të ardhura dhe është e pashmangshme, për sa kohë ligji e kërkon këtë.

Vetëm vitin e kaluar kthimi bruto nga investimet ka qenë në nivel rekord me mbi 100 milionë euro, nga kjo vlerë një përqindje e përfitojnë edhe kontribuuesit.

Pavarësisht këtyre, Demi thotë se tarifa operacionale, që ndalet për nevojat e Trustit, është 500 për qind më e ulët se sa në shtetet, ku operojnë fonde të ngjashme me Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Sidoqoftë, edhe pse Trusti u ofron kontribuuesve qasje online në llogarinë e tyre të kursimeve pensionale dhe dërgon me shërbime postare pasqyrën vjetore të kursimeve, qytetarët nuk kanë dijeni se ky institucion ndal taksa për menaxhimin e mjeteve.

Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind paguan punëdhënësi, kurse pesë për qind nga paga e të punësuarit.

Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pension.

Trusti i ka 25 punonjës të rregullt dhe shtatë anëtare të Bordit. Pagat e tyre të larta, sidomos ato të udhëheqësve të këtij institucioni, kanë qenë temë debati në shoqërinë kosovare, por së fundi edhe në Kuvendin e Kosovës.

Sipas të dhënave të paraqitura në formularët e deklarimit të pasurisë, drejtori menanxhues i Trustit merr mbi 5 mijë euro pagë mujore, kurse anëtarët e bordit marrin nga 1400 euro në muaj.

(Nadie Ahmeti, REL)

Comment

*