Sa para do të marrë Kosova nga BE-ja për tejkalimin e krizës?

Prishtinë, 29 maj 2020 – Kosova deri më tani ka arritur të përfitojë vetëm 5 milionë euro nga 3.3 miliardë euro të premtuara për vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Zagrebit, bëjnë të ditur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës në detyrë.

Bashkimi Evropian, në deklaratën e Samitit të Zagrebit ka konfirmuar përkrahjen për vendet e Ballkanit Perëndimor për tejkalimin e pandemisë dhe pasojave të COVID-19 (sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi), duke ofruar fonde të BE-së me shumën totale prej 3.3 miliardë euro.

Këto mjete të ndara është thënë se kanë për qëllim adresimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore dhe humanitare të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit si dhe për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.

Zëvendësministri i Integrimit Evropian në detyrë, Taulant Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani nga këto fonde të premtuara për Ballkanin Perëndimore në Samitin e Zagrebit, Kosova ka përfituar 5 milionë euro si ndihmë për pajisje shëndetësore për Ministrinë në detyrë të Shëndetësisë.

Ndërkaq, fondet tjera të cilat pritet të merren janë duke u negociuar me Bashkimin Evropian.

“Nga këto fonde (3.3 miliardë euro) Kosova synon të përfitojë edhe 50 milionë euro të tjera të cilat do të alokohen nga fondet e Instrumentit të Para-Anëtarësimit, si ndihmë për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike. Bashkimi Evropian, po ashtu synon të ndajë edhe 455 milionë euro për riaktivizim ekonomik, që do të jepen në kombinim me institucionet financiare ndërkombëtare për tërë rajonin. Kosova do të përfitojë nga kjo pako, por shuma nuk është e përcaktuar ende”, thotë Kryeziu.

Ndërkaq, në formë huaje, nga këto fonde të premtuara në Samitin e Zagrebit do të jepen 750 milionë si ndihmë makrofinanciare për tërë Ballkanin Perëndimor dhe këtu Kosova pritet të përfitojë 100 milionë euro, bën të ditur Kryeziu.

Ai shton se këto mjete, që do të merren hua ndërkombëtare, do të duhet të ratifikohen me dy të tretat në kuvend, ashtu siç parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës.

Por, problem aktual i këtyre marrëveshjeve dhe disa të tjerave që tani vetëm janë nënshkruara me mekanizmat ndërkombëtarë mbetet ratifikimi i këtyre marrëveshjeve në Kuvendin e Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)

Comment

*