Salihaj: Urdhërdhënësit e vrasjeve politike janë në krye të shtetit

Prishtinë, 12 janar 2018 – Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, nuk sheh asgjë të re në dëshmitë e dëshmitarit të Prolurorisë Speciale të Kosovës, Shkumbin Mehmeti, lidhur me vrasjet e pasluftës.

Salihaj, në një postim në Facebook, shkruan se deklaratat e këtij dëshmitari janë publikuar edhe më parë, por organet kompetente nuk janë marrë me trajtimin e tyre.

Salihaj shkruan se policia, prokuroria dhe gjykatat, “në vend që t’i ndjekin kriminelët, e bëjnë të kundërtën, i fshehin dëshmitë e krimet, i mbrojnë kriminelët dhe i rrezikojnë edhe më tutje viktimat”.

Sipas tij, urdhërdhënësit e këtyre krimeve “janë në krye të shtetit”, kurse dëshmitarët janë të rrezikuar.

Salihaj thekson se Gjykata Speciale ndoshta do ta zbardhë një pjesë të vrasjeve politike, por jo shumicën e tyre, sepse ato janë kryer pas periudhës së përfshirë në juridiksionin e kësaj gjykate.

Ky është shkrimi i plotë i Salihajt në Facebook:

Dëshmitë e Shkumbin Mehmetit nuk dolën mbrëmë për herë të parë në opinion dhe as befasisht, sepse shumica prej tyre janë publikuar edhe më parë nëpër portale dhe media te ndryshme. Të gjitha këto dëshmi janë të njohura për prokurorinë, policinë dhe gjykatat. Por, ato, në vend që t’i ndjekin kriminelët, e bëjnë të kundërtën, i fshehin dëshmitë dhe krimet, i mbrojnë kriminelët dhe i rrezikojnë edhe më tutje viktimat. Të gjithë ne që kemi qenë viktima të atentateve e tentim atentateve, edhe sot jemi plotësisht të rrezikuar, sepse jemi dëshmitarë të gjallë të krimeve të tyre. Urdhërdhënësit e krimeve janë në krye të shtetit, ndërsa shteti ynë është tërësisht i kriminalizuar në çdo segment të tij. Asnjë prej segmenteve të drejtësisë e të shtetit në tërësi nuk është jashtë kontrollit të strukturave të krimit të organizuar. Ndoshta Gjykata Speciale do ta zbardhë një pjesë të vrasjeve politike, por jam i bindur se shumica do të mbeten të pazbardhura, sepse janë kryer pas 31 dhjetorit 2000.

(r.m.)

Comment

*