Samit i BE-së për taksat dhe energjinë

Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të diskutojnë për politikën e energjisë dhe atë fiskale. Debati në Parlamentin Evropian tregoi sa të nxehta janë këto tema.

Samitit të posaçëm të mërkurën (22.05.2013) i kanë paraprirë disa ndryshime: fillimisht ai duhej të merrej vetëm me çështje të energjisë, pastaj vetëm me temën e evazionit fiskal, tani do të jenë të dy temat në rend të ditës, dhe të gjitha brenda një pasditeje. Të dy temat janë objekte debatesh të nxehta emocionale, të paktën në Parlamentin Evropian. Dhe Parlamenti sa i takon çështjeve fiskale nuk ka të drejtë fjale pasi për këtë vendosin vendet anëtare. Komisioneri i BE-së për tatimet Algirdas Semeta është megjithatë i gëzuar që kryetarët e shteteve dhe qeverive më në fund do të diskutojnë së bashku në këtë nivel. Pak më parë ministrat e financave vendosën të ndërmarrim së bashku masa më të forta kundër mashtrimit dhe evazionit fiskal. Por Semeta nuk mund ta fshehë se “kishte shpresuar për më shumë ambicie, premtime më obliguese dhe afate më të shkurtra”. Ndër të tjera është vendosur që BE të negociojë me një numër vendesh të treta për këmbimin e informacioneve të titullarëve të llogarive bankare. Por brenda vetë BE-së ky këmbim të dhënash ende bllokohet, pasi Luksemburgu dhe Austria vazhdojnë të kenë në fuqi sekretin bankar.

Çdo vit mungojnë një trilion euro

Deputeti socialdemokrat gjerman dhe ekspert për financat Udo Bullmann përmblodhi opinionin e shumë parlamentarëve nga parti të ndryshme me fjalinë: “Nuk mund të tolerohet më që shtetet evropiane të paguhen vetëm nga ata që nuk largohen dot ose që janë shumë të ndershëm për t’u larguar.” BE vlerëson se shteteve u humbasin nga evazioni dhe mashtrimi fiskal çdo vit të ardhura prej 1 trilion eurosh, pra një mijë miliardë. Ato që mund të bëheshin me këto para, pikërisht tani në kohën e krizës, shumë deputetë e përshkruajnë plot fantazi dhe ankohen që njerëzit e thjeshtë duhet të kompensojnë me tatime më të larta, të ardhurat që i mungojnë shtetit nga kontributet e paderdhura të të pasurve.

Në kërkimin e fajtorëve debati kaloi në replika nacionale mes deputetit austriak Franz Obermayr nga Partia e Lirisë dhe kolegut gjerman demokristian Werner Langen. Kur Obermayr bëri thirrje për luftë kundër oazeve fiskale në Karaibe dhe gjetkë por kërkoi “të ruhet sekreti bankar për investuesit e vegjël”, Langen nuk duroi më: Austria e ka penguar gjithnjë tatimin e të ardhurave nga interesat përtej kufijve kombëtare dhe me modelin e saj të fondacioneve “i ka ftuar madje të pasurit të kryejnë evazion fiskal sipas ligjit austriak. Me çfarë paturpësie pretendoni se Austria është një zgjidhje?” Sipas Langen Luksemburgu, Austria, Zvicra, Lihtenshtajni, ishujt Kajman e të tjerë, i hedhin fajin njëri-tjetrit dhe kështu bllokohet një model mbarevropian.

Taksat e larta nxisin ide origjinale

Por në Parlamentin Evropian është edhe një pakicë e rëndësishme që argumenton krejt ndryshe. Edhe ajo e dënon mashtrimin fiskal nga personat e pasur privatë apo strategjinë plot truke që përdorin koncernet e mëdha, si Google, Amazon apo Starbucks për shmangien e detyrimeve fiskale. Suedezi Gunnar Hökmark mendon se edhe taksa e planifikuar mbi transaksionet financiare do të ketë si pasojë strategjitë për shmangie. Sipas deputetit konservator britanik Martin Callanan taksat e larta si në Francë largojnë nga vendi sipërmarrësit. Për këtë arsye në Evropë nuk duhet të ketë harmonizim fiskal por të vazhdojë edhe më tej konkurrenca. Ai shtoi me sarkazëm se Franca mund të bëjë çfarë të dojë. “Unë lutem vetëm që në interes të efiçencës energjitike, sipërmarrësi i fundit që braktis Francës të fikë dritën.”

Politika për klimën shkak për humbje të vendeve të punës?

Me këto fjalë ai përmendi temën e dytë të madhe të samitit. Edhe tema e energjisë është aktualisht nën ndikimin e krizës ekonomike evropiane. Komisioneri i BE-së për energjinë Günther Oettinger pranoi se në të kaluarën energjia është shtrenjtuar me qëllim “nga njëra anë për të zgjidhur problemet me buxhetin. Arsyeja tjetër ishte efiçenca energjitike: ajo që është e shtrenjtë përdoret me kursim.” Por për të varfrit energjia e shtrenjtë po bëhet gjithnjë e më shumë problem. Veç kësaj energjia e shtrenjtë po ndikon në largimin e industrisë evropiane. Në SHBA gazi dhe rryma elektrike janë mjaft më të lira se në Evropë. Ky disavantazh në konkurrencë për Evropën nuk duhet pranuar ndryshe Evropa do të de-industrializohet dhe do të humbasë shumë vende pune.

Oettinger shprehur atë që mendojnë shumë deputetë të djathtë dhe të majtë. Ata besojnë se me politikën për klimën po teprohet. Por deputeti i gjelbër Daniel Cohn-Bendit paralajmëron: “Nëse ktheheni tek qymyri, energjia bërthamore dhe gazi i argjilit për të zgjidhur problemin e energjisë, atëherë ktheheni prapa.” Për përftimin e gazit të argjilit si në SHBA, shpenzimet për eliminimin e dëmeve janë më të mëdha se dobia për qytetarët nga energjia shtesë. Edhe komisionerja për klimën Connie Hedegaard pati deklaruar më parë se Evropa nuk do të rikthehet tek qymyri dhe të ketë qytete aq të ndotura si në Kinë. (DW)

Comment

*