Satelit

Astrit Lulushi

Astrit Lulushi

Gabojmë nëse mendojmë se jemi në kontroll të vetes ose të gjërave. Njeriu është thjesht një i mbyllur në anije kozmike (Tokë) që sillet rreth Diellit – Me çfarë misioni? është pyetja e parë që vjen menjëherë. Këtë nuk arrijmë as t’a konceptojmë – vetëdija jonë ka humbur. Për të përcaktuar gjendjen e njeriut sot, termi i saktë duhej të ishte ‘qenie e pajisur me inteligjencë artificiale’, sepse të gjithë përpiqemi kopjojmë njeri tjetrin në sjellje, veshje, zakone e qeverisje.
Nuk dimë jo vetëm se kush e drejton këtë Satelit-Tokë, por as kush e krijoi ose çfarë roli kemi ne në ‘të; gjatë 6 mijë vjetëve të këtij qytetërimi njerëzimi ende vazhdon të debatojë; si dhe nga kush u krijua; nuk di as se si ai vetë erdhi në ekzistencë. Të gjitha sa dimë janë thjesht teori. Çdo brez nxjerr shkencëtarë e teologë që sjellin supozime të ndryshme po aq teorike sa teoritë e mëparëshme. Preokupimi kryesor i njeriut sot është Politika, arti i plaçkitjes së njerëzimit; shumë ruajnë thellë në instinkt afrimin e kohës së tokës së djegur dhe duhet të ndahen prej saj duke marrë një pjesë të vetën. Kërkimet për një planet tjetër të pranueshëm për jetën tokësore vazhdojnë.
Shohim Gjithësinë plot me yje e numër planetesh të pafund dhe mendimi i saktë nuk shkon dot përtej të panjohurës ose të asaj që shohim. Ne ndodhemi brenda Satelitit që nuk e dimë se ku po na çon, nuk kemi asnjë kontroll, ndërsa Toka bën të njëjtin rrotullim nê pjesën e caktuar të një galaktike ku ndodhet.
Njeriu është i vogël; i ngjan udhëtarit që hedh një hap para një hap prapa dhe mbetet në vend; largohet gjithnjë nga çfarë thotë e çfarë bën – fjala nuk ka asnjë vlerë – dhe në fund ndodh ndarja e trupit nga shpirti, që Aristoteli thotë se funksionon njësoj në bimë, kafshë dhe në njerëz; që të tre kanë të përbashkët një shpirt që percepton dhimbjen, kënaqësinë, dëshirën, dhe arsyen, e cila është e veçantë vetëm për njeriun. Edhe pse ne e pranojmë se sjelljet e kafshës shpesh janë më njerëzore sesa ato të vetë njeriut. Për Aristotelin, shpirti mbështetet në trup, dhe humbet kur organizmi vdes, por është pjesa intelektuale e pavdekshme dhe e përhershme e mendjes ajo që mbetet. Por nëse është kështu, përse nga brezi në brez njeriu nuk bëhet më inteligjent, më i zgjuar, sepse shohim që për këtë zgjuarsi ai mbështetet në të kaluarën, sa më e largët aq më e mirë.
Për Platonin, megjithatë, shpirti nuk është i varur nga trupi; ai beson në shpërnguljen e shpirtit në një trup të ri. Duke u mbështetur në fjalët e mësuesit të tij Sokrat, Platoni e konsideron shpirtin si thelbin e një personi, duke qenë se shpirti vendos se si njerëzit sillen. Ai thotë se shpirti është pushtues i qenies sonë, dhe pas vdekjes, ai ekziston dhe është në gjendje të mendojë. Këto mendime pasqyrohen në instinktet tona që ne shpesh nuk i përfillim.

Comment

*