SBASHK-u s’e përjashton mundësinë e përshkallëzimit të grevës

Prishtinë, 12 mars 2018 – Drejtues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës kanë deklaruar se greva njëditore në sektorin e arsimit është paseo e mos përmbushjes së kërkesave të mësimdhënësve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se kërkesa imediate dhe humane është që Ligji për vitet e 90-ta të dërgohet në qeveri. Po ashtu, ka kërkuar që të merren parasysh vërejtjet e sindikalistëve për Ligjin për Paga, në mënyrë që sektori i arsimit të mos degradohet më siç është degraduar deri më tash, raporton TV Arta.

Ymer Ymeri, zyrtar ligjor në SBASHK, ka thënë se ka mundësi buxhetore për të aprovuar Ligjin për vitet e 90-ta dhe për paga, por Qeveria nuk po shpreh vullnet për këtë.

Zyrtarë të SBASHK-ut nuk e përjashtuan mundësinë e përshkallëzimit të grevës. Ata ftuan prindërit dhe organizatat e shoqërisë civile që të mbështesin kërkesat dhe veprimet e kësaj organizate sindikale.

SBASHK ka paralajmëruar se më 13 prill do të mbahet grevë e pëgjithshme dhe e pakufizuar në kohë, nëse Qeveria nuk i merr seriozisht kërkesat e mësimdhënësve.

Të martën procesi mësimor do të zhvillohet normalisht. (r.m.)

Comment

*