Seanca e sotme plenare miratoi katër nga pesë projektligje të shqyrtuar

Seanca e sotme plenare, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, pas përfundimit të interpelancës së ministres së Ekonomisë dhe Financave me deputetin Artur Roshi, interpelancë e raportuar në faqen zyrtare të Kuvendit në publikimet paraardhëse, vijoi me shqyrtimin e pesë projektligjeve duke miratuar katër prej tyre.

Projektligjet e miratuara në seancën e sotme ishin: “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së konçesionit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport” Shpk “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Tiranë, ratifikuar me ligjin nr. 9312, datë 11.11.2004 të ndryshuar””, projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7864, datë 29.9.1994 “Për Kryqin e Kuq Shqiptar” dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan për zhvillimin e politikës për qëndrueshmërinë fiskale dhe rritjen në Shqipëri”.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 75/2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, i ndryshuar”’, nuk u miratua, pasi nuk mori mbështetjen e duhur në parim.

Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, përmes të cilit synohet rritja e meritokracisë, barazisë dhe efektivitetit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë përmes përparimit në gradë të ushtarakëve me performancën më të mirë dhe anasjelltas, siguroi 90 vota pro, 6 kundër dhe 6 abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së konçesionit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport” Shpk “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Tiranë, ratifikuar me ligjin nr. 9312, datë 11.11.2004 të ndryshuar””, në diskutimet nga grupet parlamentare, u mbështet nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, z. Taulant Balla. Ky ndryshim do të sjellë rezultate konkrete pas implementimit të ndryshimit te kontratës për vetë cilësinë e shërbimeve që do të realizohen në aeroport, si dhe për përdoruesit e këtij të fundit, përparësi që shtrihen në këto drejtime: Investimi ne infrastrukturën e aeroportit me fonde 100% të shoqërisë koncesionare, investim, i cili arrin rreth 99 milionë euro; ulja e vlerës ekonomike të biletës për qytetarët që do të fluturojnë nga dhe drejt këtij aeroporti, duke reduktuar tarifat me 20% (per te rriturit) dhe 40% per femijet; lirine e hyrjes ne tregun e shërbimeve ne toke; dhe shndërrimin e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, që do të operojë avionë të kategorisë 4E, një kategori më e larte se ajo aktuale, duke bërë të mundur për herë të parë lidhjen e drejtpërdrejtë me shtete, të cilat janë konsideruar strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Ky ndryshim u votua me 90 vota pro, 4 kundër dhe 7 abstenim.

Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7864, datë 29.9.1994 “Për Kryqin e Kuq Shqiptar”, propozim i deputetit Beqja, që në emër të grupit parlamentar të shumicës u mbështet nga deputetja Ardiana Jaku, u miratua me 91 vota pro, 4 kundër dhe 7 abstenim. Znj. Jaku e vlerësoi si të pazëvendësueshëm kontributin që Kryqi i Kuq Shqiptar pati gjatë pandemisë dhe tërmetit, duke ndihmuar mëse 7 mijë përfitues dhe për një periudhë 6-mujore, përmes pagesave, mbi një mijë të tjerë. Znj. Jaku i vlerësoi parimet mbi të cilat vinin këto ndryshime dhe njohja me ligj e hapësirave që i njihen Kryqit të Kuq Shqiptar. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan për zhvillimin e politikës për qëndrueshmërinë fiskale dhe rritjen në Shqipëri” u miratua me 92 vota pro, 3 kundër dhe 6 abstenim. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 75/2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, i ndryshuar”’, mori vetëm 17 vota pro në parim, ndaj si procedurë parlamentare u ndërpre pa vijuar në votimin nen për nen dhe në tërësi. Seanca e sotme, në vijim të masave protokollare antiKovid, vijoi me masa të posaçme.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë thirret në interpelancë

Seanca e sotme plenare nisi me zhvillimin e një interpelance me ministren e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj. Ministrja Denaj ishte thirrur në interpelancë nga deputeti opozitar, z. Artur Roshi. Z. Roshi, në paraqitjen e objektit të tij për interpelancë, ngriti një sërë çështjesh. Z. Roshi kërkoi nga ministrja të dinte lidhur me humbjet në sektorin e turizmit përgjatë pandemisë dhe numrin e bizneseve të mbyllura. Ai ngriti shqetësimin për aftësinë paguese nga ana e biznesit të tatim-fitimit të mbartur gjatë muajve pa aktivitet dhe atë të krijuar gjatë muajve me efiçencë jo të plotë. Z. Roshi kërkoi gjithashtu të dinte për modelin e zgjedhur nga qeveria shqiptare për kapërcimin e krizës. Z. Roshi e konsideroi 2020-n një vit të vështirë për ekonominë dhe sidomos biznesin, jo vetëm për shkak të dëmeve nga tërmeti dhe pandemia, por sipas tij, e ndikuar kryesisht nga orientimi i gabuar i qeverisë në raport me politikat për biznesin. Deputeti shprehu shqetësim për rritjen e borxhit nga 63 në rreth 90%. Z. Artur Roshi e konsideroi të pamjaftueshme pagën e luftës si politikë asistence, gjobat në rast mospagimesh siguracionesh nga ana e bizneseve i konsideroi të pavenda, si edhe rritjen e pagës minimale u shpreh se e shihte si një formë për t’ia shtuar barrën bizneseve.. Z. Roshi, në fjalën e tij, ngriti edhe shqetësimin e TVSH-së më të lartë në rajon për çmimet e ushqimeve.

Znj. Denaj e nisi fjalën e saj duke e cilësuar si plagë të vjetër ekonominë informale dhe rikonfirmoi nevojën që çdo njësi shërbimi ta pajisë klientin me kupon tatimor. Ajo, lidhur me pyetjet e z. Roshi, u shpreh se bizneset e vogla kanë qenë që në javën e parë të pandemisë në vëmendje të qeverisë. Recesioni ekonomik, sipas ministres, ishte fenomen botëror dhe shënoi një shifër prej -3.5%.  Megjithatë, ajo shtoi se pavarësisht kësaj, qeveria shqiptare ia kishte dalë sepse u akorduan paga për 300 mijë individë, masa fiskale për të lehtësuar barrë fiskale duke i munguar buxhetit 19.1 miliardë Lekë. Masat, sipas ministres, ishin ndërmarrë jo vetëm për të përballuar mbylljen, por edhe për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike. Ajo solli në vëmendje faktin që biznesi me deri në 14 mln Lekë xhiro do të paguante tatimfitimin 0 dhe ishte rritur pragu i TVSH-së për 90% të bizneseve. Prej kësaj nisme, 50 milionë dollarë do t’i mungonin buxhetit bëri me dije ministrja Denaj. Znj. Denaj u shpreh se në vlerë neto pozitiv situata e raportit regjistrim-çregjistrim biznesesh del pozitive, ku paraqitet shtim biznesesh të regjistruara dhe po i njëjti raport, pozitiv, del edhe me numrin e të punësuarve, çka sipas saj dëshmonte efektivitetin e masave të ndërmarra. Riskedulimet e bëra për disa fusha të caktuara, janë bërë për të ndihmuar edhe bizneset e mesme dhe të mëdha me likujditetin e pagimit të detyrimeve e jo vetëm bizneset e vogla, shtoi ministrja, që shtoi po ashtu se edhe fondet sovrane të garancive, i pari dhe i dyti, janë tregues i ndërhyrjes së zgjuar dhe efikase të shtetit për ta menaxhuar me sukses pandeminë në dy drejtime: të mbylljes dhe rimëkëmbjes.

Më tej, seanca vijoi normalisht sipas pikave të parashikuara në rendin e diskutimeve të ditës.

Comment

*