Sejdiu: Kosova është “zaptuar” nga personat e korruptuar

Prishtinë, 12 prill 2018 – Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, ka thënë se Kosova duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sejdiu, në një intervistë për “Zërin”, ka thënë se është pro rrëzimit të qeverisë “Haradinaj”, duke theksuar se për këtë nevojitet një konsistencë mes opozitës së vendit, e cila duhet të lë anash inatet dhe interesat personale.

Sipas Sejdiut, Kosova është “zaptuar” nga personat e korruptuar, ndërsa qeveria aktuale është “një grupim i klaneve të cilat po punojnë për interesa të tyre dhe jo për interesa të Kosovës”.

Sejdiu ka shprehur edhe pikëpamjet e tij lidhur me fazën përfundimtare të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, praktika e deritashme do të duhej të përfundonte sa më parë, pasi dialogu po udhëhiqet nga njerëz jokompetentë dhe pa mandat, siç është presidenti Thaçi.

“E kemi parë që e kemi një ekip që është bërë vetëm sa për të thënë që e kemi një ekip për dialog, ndërsa presidenti Thaçi shkon e mban takime sekrete dhe vetëm ai e di se çka bisedon dhe çka negocion”, ka theksuar ai.

Sejdiu ka folur edhe për arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq. Ai e konsideron këtë si njërin nga proceset më të dëmshme për vendin, pasi bëhet fjalë për shkelje të të drejtave të njeriut.  (r.m.)

Comment

*