Sejdiu: Thaçi, Haradinaj e Veseli po e shkatërrojnë Kosovën

Prishtinë, 25 dhjetor 2017 – Korab Sejdiu, deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se tre liderët kryesorë të vendit – Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, me veprimet e tyre për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale po e shkatërrojnë Kosovën.

Në një intervistë për gazetën “Zëri”, Sejdiu ka thënë se tentativa e Thaçit, Haradinajr dhe Veselit për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale ishte përpjekje “për ta shpëtuar veten nga kjo gjykatë” dhe “për t’i rritur pazaret” në prag të fillimit të arrestimeve.

Sejdiu, i cili është jurist me profesion, duke folur në lidhje me iniciativën për shfuqizmin e Ligjit për Gjykatën Speciale, ka thënë se ky nuk është një ligj i rëndomtë, të cilin mund ta ndryshojë e fuqizojë një shumicë e cilësuar në Kuvend.

“Nuk bëhet fjalë për një ligj të rëndomtë, por për një përpjekje pak më të madhe në kontekst të votave që nevojiten për ta bërë një ndryshim të tillë, i cili ka edhe implikime kushtetuese dhe një investim shumë të madh nga partnerët ndërkombëtarë, në veçanti nga SHBA-ja dhe BE-ja”, ka thënë ai.

“Pra, në rastet si këto, kur ne hyjmë në obligime që kanë edhe implikime ndërkombëtare, nuk mund  të luajmë me ata të cilët janë pjesë e procesit, sepse, siç edhe po shihet, këtë ata nuk e tolerojnë”, ka theksuar Sejdiu.

Sejdiu është shprehur i gatshëm ta japë votën e tij pro mocionit për rrëzimin e “Qeverisë Haradinaj”, nëse opozita vazhdon përpjekjet për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Korab Sejdiu është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, si kandidat i koalicionit parazgjedhor LDK-AKR-Alternaiva. Ai është larguar nga grupi parlamentar i AKR-së për shkak se nuk është pajtuar që kjo parti të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës me PDK-në, AAK-në, NISMËN dhe Listën Serbe.

Aktualisht, ai është deputet i pavarur. (r.m.)

Comment

*