Senati kërkesë për dokumente lidhur me hetimet ndaj djalit të Joe Bidenit

Një komision i Senatit kryesuar nga republikanët miratoi të mërkurën një kërkesë zyrtare për të siguruar informacion lidhur me një hetim që po kryen ndaj Hunter Biden-it, djalit të ish-Nënpresidentit Joe Biden, rivalin kryesor të Presidentit Donald Trump për garën për Shtëpinë e Bardhë që mbahet në nëntor.

Në një votim 8 me 6, të ndarë sipas linjave partiake, komisioni i Senatit për Çështje Qeveritare dhe të Sigurisë Kombëtare miratoi kërkesën për të marrë dokumente që lidhen me punën që ka bërë Hunter Biden për kompaninë ukrainase të energjisë “Burisma”. Informacioni i kërkuar nga kryetari i komisionit, senatori Ron Johnson, do të merret nga “Blue Star Strategies”, një kompani e specializuar për marrëdhënie publike me bazë në Uashington, e cila ka punuar me “Burisman”.

Hetimet e udhëhequra nga senatori Johnson u intensifikuan pas përfundimit të gjyqit në Senat pjesë e një procesi që synonte shkarkimin e Presidentit Trump. Ai planifikon të publikojë një raport mbi këtë çështje në muajt e ardhshëm.

Presidenti Trump u akuzua për abuzim me detyrën dhe pengim të hetimeve që po kryente Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët lidhur me një kërkesë të zotit Trump drejtuar autoriteteve ukrainase për të hetuar ish-Nënpresidentin Biden dhe djalin e tij. Senati i kontrolluar nga republikanët e shpalli presidentin e të pafajshëm. Demokratët thonë se zoti Trump dhe partia e tij po përpiqen të rrisin shanset e tij për rizgjedhje duke vënë nën shënjestër zotin Biden. Ata kanë thënë gjithashtu se veprimet e zotit Johnson mund të ndihmojnë përpjekjet e Moskës për dezinformim ndërsa tenton të ndikojë zgjedhjet e vitit 2020, pas përpjekjeve në 2016 për t’i dhënë një shtytje fushatës së zotin Trump siç kanë konfirmuar shërbimet amerikane të zbulimit.

“Në vend që senatori Johnson të punojë jashtë orarit për të shpëtuar jetën e amerikanëve, ai po përpiqet të shpëtojë pozicionin e Presidentit”, tha Andrew Bates, një zëdhënës i fushatës presidenciale të zotit Biden, duke iu referuar krizës aktuale shëndetësore dhe ekonomike që po kalon vendi.

Senatori Mitt Romney, i vetmi republikan që votoi pro akuzës të ngritur ndaj zotit Trump në Senat për shpërdorim detyre, tha në muajin mars se ai mendon se hetimet që zoti Johnson ka nisur ndaj Hunter Bidenin duken të kenë prapavijë politike. Një votë kundër në komisionin e Senatit do ta kishte bllokuar punën në këtë komision, por zoti Romney iu bashkua republikanëve të tjerë duke miratuar kërkesën për dokumentacion në funksion të hetimit.

Komisioni i ligjeve në Senat, i udhëhequr nga senatori republikan Lindsey Graham, po heton rreth urdhrave të lëshuar për përgjim nga ana FBI-së mbi një hetim rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. (VOA)

Comment

*