Senati shpall të pafajshëm ish-Presidentin Trump

Uashington, 14 shkurt 2021 – Senati amerikan votoi të shtunën për ta shpallur të pafajshëm ish-Presidentin Donald Trump nën akuzën për nxitje të rebelimit të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve. Senati votoi me 57 vota pro për ta shpallur ish-presidentin fajtor dhe 43 jo fajtor. Meqenëse në gjyqin në Senat kërkoheshin 67 vota, ose dy të tretat për fajësimin, ish-Presidenti Trump u shpall i pafajshëm. Shtatë republikanë u shkëputën nga linja partiake dhe votuan pro fajësimit.

Trazirat e 6 janarit nga mbështetësit e ish Presidentit Trump në Kapitol shkaktuan vdekjen e pesë personave, plagosjen e qindra të tjerëve dhe ngadalësimin e procesit demokratik të numërimit të votave presidenciale.

57 senatorë votuan të dielën se zoti Trump ishte drejtpërdrejt përgjegjës për nxitje të dhunës… vota këto të pamjaftueshme që ai të shpallej fajtor pasi kërkohej një shumicë prej dy të tretave të votave në Senat. Në këtë rast duheshin edhe 10 vota, pra 67. Shtatë republikan iu bashkuan demokratëve për dënimin e zotit Trump.

Gjyqi i parë në historinë amerikane për një ish president ishte edhe më i shpejti – plot pesë ditë intensive ku prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve shfaqën pamje të reja të ish-Nënpresidentit Mike Pence dhe ligjvënësve tjerë pak hapa larg protestuesve të dhunshëm.

“Kjo çështje ka të bëjë me transferimin paqësor, jo të dhunshëm të pushtetit që garanton sovranitetin e popullit”, tha Jamie Raskin, prokuror në gjyqin kundër ish-Presidentit Trump.

Avokatët e zotit Trump pranuan një dëshmi të minutës së fundit që pretendonte se ish-presidenti ishte i vetëdijshëm se Mike Pence ndodhej në rrezik dhe se ai dështoi ta mbronte atë.

Ata thanë se fjalimi i zotit Trump në tubimin “Ndaloni vjedhjen” pak para fillimit të trazirave mbrohet nga e drejta e lirisë së shprehjes dhe se nuk ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë tek protestuesit e dhunshëm.

“Pavarësisht se sa pamje të tmerrshme të sjelljes së protestuesve shohim dhe sa emocione janë përfshirë në këtë gjyq, kjo nuk e ndryshon faktin se zoti Trump është i pafajshëm nga akuzat kundër tij”, tha Michael Van Der Veen, avokat mbrojtës i Donald Trump.

Por senatori Mitt Romney, i cili mezi u largua nga protestuesit e dhunshëm, iu bashkua gjashtë republikanëve të tjerë që votuan për fajësimin e presidentit, një tregues se mund të ketë ndryshime në parti.

“Toleranca e Partisë Republikane për sjelljet e zotit Trump ka kufi, dhe kjo do të jetë tregues për të ardhmen se si do t’i përqafojë partia ata që distancojnë veten nga ish presidenti”, tha John Hudak, nga Instituti Brookings.

Ndaj më shumë se 200 protestuesve të dhunshëm janë ngritur akuza për veprimet e 6 janarit, ditë që ligjvënësit dhe analistët paralajmërojnë se mund të ishte pikë kthese për abuzimin e pushtetit presidencial.

“Demokratët e dinin se kjo do të ishte shumë e vështirë të arrihej. Por njëkohësisht e ndjenë se po të mos e gjykonin do të krijohej një precedent që presidentët e ardhshëm mund të bënin gjëra të tmerrshme dhe t’i shpëtonin ndëshkimit”, thotë Jeremy Mayer nga Universiteti George Mason.

Donald Trump është presidenti i parë ndaj të cilit u ngritën dy herë akuza. Shpallja i pafajshëm nga Senati i mundëson atij vazhdimin e karrierës politike, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*