Senatori John McCain diagnostikohet me kancer të trurit

Senatori amerikan John McCain është diagnostikuar me kancer të trurit, tha të mërkurën Spitali i Klinikës Mayo në Finiks të Arizonës.

Tumori u zbulua pasi senatori iu nënshtrua një procedure të vogël javën e kaluar për të hequr një mpiksje gjaku mbi syrin e majtë.

“Patologjia e mëvonshme e indit zbuloi se mpiksja e gjakut ishte e lidhur me një tumor të trurit, të njohur me termin glioblastomë”, tha spitali.

“Mjekët e senatorit thonë se ai po e merr veten jashtëzakonisht mirë pas operacionit dhe shëndeti i tij i përgjithshëm është i shkëlqyer”, thuhej në një deklaratë të publikuar nga zyra e zotit McCain.

Glioblastoma është një tumor veçanërisht agresiv që formohet në indin e trurit dhe palcës kurrizore, sipas Shoqatës Amerikane të Trurit.

McCain, veteran i Vietnamit dhe ish-i burgosur i luftës, u zgjodh në Senat në vitin 1986. Ai ishte kandidati presidencial i Partisë Republikane në vitin 2008 dhe humbi ndaj Barak Obamës.

Ky është i njëjti lloj kanceri si ai që shkaktoi vdekjen e senatorit Ted Kennedy më 2009. (VOA)

One Response to “Senatori John McCain diagnostikohet me kancer të trurit”

Read below or add a comment...

  1. Fuat Memelli says:

    Republicani John McCain eshte dhe do te mbetet nje miqte me te mire amerikane te popullit shqiptar. Ne do lutemi per shendetin e tij dhe Zoti do t’i degjoje lutjet tona.

Comment

*