Serbia e nis vitin e ri me kërcënim ndaj fqinjëve

Prishtinë, 1 janar 2018 – Serbia pretendon se është aq e fuqishme sa që pakkush mund të mendojë ta sulmojë.

Me kësi kërcënimi për fqinjët e ka nisur vitin 2018 ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Ai këtë fuqi e ka bazuar edhe në blerjen e armëve të reja nga Rusia gjatë vitit të kaluar.

“Një sulm eventual ndaj Serbisë do të kishte çmim të lartë”, ka thënë ai, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë për televizionin “Pink”, Vulin ka shtuar se përveç blerjes së gjashtë aeroplanëve MIG nga Rusia dhe 30 tankeve të modernizuara E72, gjatë këtij viti do t’i porosisin edhe 30 mjeta të rënda të këmbësorisë.

Serbia gjatë vitit që shkoi ka pasur probleme politike me vendet fqinje, sidomos me Kosovën dhe me Kroacinë.

Kosova nuk ka ende ushtri. Përpjekjet për formimin e saj vazhdojnë të pengohen nga Serbia. Deputetët e Listës Serbe, partisë që kontrollohet dhe dirigjohet nga Beogradi, janë kundër ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugë formimit të ushtrisë së Kosovës. Ndryshimet kushtetuese në Kosovë mund të bëhen me shumicë të dyfishtë. Ato bëhen me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe me votat e dy të tretave të deputetëve të minoriteteve.

Autoritetet e Serbisë, në përpjekje për të penguar formimin e ushtrisë së Kosovës, propagandojnë se ushtria e Kosovës do të përbënte kërcënim për stabilitetin e rajonit. (r.m.)

Comment

*