Serbia fut në “listë të kuqe” shqiptarët e Luginës që kanë poste në Kosovë

Prishtinë, 12 gusht 2018 – Akademik Hivzi Islami nuk është i vetmi që i është ndaluar hyrja në territorin e Serbisë. Siç duket, Serbia ka vendosur t’ua ndalojë hyrjen të gjithë qytetarëve nga Lugina e Preshevës që janë zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës.

Xhemail Halili, drejtor i prokurimit në Kuvendin e Kosovës, thotë se një javë më parë ai nuk u lejua të shkonte në vendlindjen e tij, në Preshevë, me arsyetim se emri i tij gjendet në një listë të autoriteteve serbe, të cilën e quajnë “listë e kuqe”.

Ai thotë se e njëjta gjë u ka ndodhur edhe dy kolegëve të tij, të cilët janë nga Lugina e Preshevës, por që jetojnë në Prishtinë. Edhe atyre nuk u është dhënëë asnjë shpjegim për arsyet e ndalesës.

Nëse Bashkimi Evropian nuk ndërhyn që ta obligojë Serbinë të respektojë marrëveshjet të cilat i ka nënshkruar në Bruksel, atëherë Kosova do të vendosë masën e reciprocitetit.

Kështu ka thënë për televizionin publik të Kosovës, Jetlir Zyberaj, këshilltari i zëvendës-kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Por, për analistin Ymer Mushkolaj problemi qëndron te marrëveshja e nënshkruar me Serbinë, e cila, sipas tij, nuk është në favor të Kosovës. ai ka thënë se që në fillim është dashur të zbatohet parimi i reciprocitetit.

Edhe pse e cilëson të vonshëm, Mushkolaj thotë se vendosja e reciprocitetit me Serbinë do t`i kishte efektet e veta dhe do t`i dërgonte mesazh Serbisë se nuk mund t`i trajtojë kështu qytetarët kosovarë.

Të shtunën, Akademik Hivzi Islamit, i lindur në Letovicë të Bujanocit, iu mohua për herë të dytë udhëtimi në vendlindje. Islami nuk iu lejua të shkojë në Preshevë as më 8 gusht, ndërsa familjarët e tij që po udhëtonin bashkë me të  u lejuan të hyjnë në Serbi.

Në të dyja rastet, Policia kufitare e Serbisë nuk ka dhënë kurrfarë shpjegimi për arsyet e ndalesës. (r.m.)

Comment

*