Serbia kundërshton simbolet e Kosovës në Kampionatin Evropian të karatesë

Beograd, 8 maj 2018 – Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të cilën e drejton Marko Gjuriq, ka njoftuar se në mbledhjen e Ekipit Koordinues të Qeverisë së Serbisë është marrë vendim që Kosovës të mos i lejohet të paraqitet me simbolet e saj shtetërore në Kampionatin Evropian të Karatesë, i cili do të mbahet në Novi Sad, në Serbi, prej 10 deri më 13 maj.

“Në mbledhje është arritur në përfundim se simbolet e statusit të Kosovës nuk guxojnë të shpërfaqen para dhe gjatë garës në arenën sportive dhe përqark saj”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Sipas komunikatës, organizatorët e garës ia kanë mundësuar Kosovës pjesëmarrjen në këtë garë, “ekskluzivisht me status neutral dhe do të paraqiten me emër dhe mbiemër dhe me stemën e Federatës së Karatesë së Evropës”.

Ekipi Koordinues ka vlerësuar se kështu “shmanget mundësia që një manifestim sportiv ndërkombëtar të keqpërdoret për promovimin e separatizmit dhe të shkeljes së të drejtës ndërkombëtare dhe të kushtetutës dhe ligjeve të Serbisë”.

Më herët, drejtuesit e Federatës së Karatesë së Kosovës kanë njoftuar se ekipi i karateistëve kosovarë do të udhëtojë për në Novi Sad, por nuk do të garojnë fare, në qoftë se Kosova nuk trajtohet njëjtë sikurse të gjitha vendet tjera pjesëmarrëse në këtë kampionat.

“Ashtu siç do të jetë për të tjerët, ashtu le të jetë edhe për ne. Në të kundërtën, nuk do të garojmë”, ka thënë kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi.

Përfaqësuesja e Kosovës në karate përbëhet nga 13 karateistë. (r.m.)

Comment

*