Serbia mbetet eksportuesi më i madh i mallrave në Kosovë

Prishtinë, 27 gusht 2017 – Serbia mbetet lider për eksport në Kosovë në mesin e vendeve të CEFTA-s.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin korrik, më se 14.1 për qind e importeve të përgjithshme të Kosovës, këtë muaj ka ardhur nga Serbia. Pas saj vijnë Maqedonia me 5.1%, Shqipëria me 4.9% dhe Bosnja e Hercegovina me 3.0 për qind të impoerteve të përgjithshme.

Importet e Kosovës nga vendet e CEFTA-s në muajin korrik kanë pasur vlerë prej 76.7 milion Eurosh, vlerës kjo që përbën 27.9 për qind të vlerës së importeve të përgjithshme.

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin Korrik 2017, arritën në 76,7 milion €, ose (27.9%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (24.5%). Vendet me pjesmarje më të lartë për import ishin: Serbia (14.1%), Maqedonia (5.1%), Shqipëria (4.9%) dhe B&H (3.0%)” thuhet në këtë raport.

Edhe në eksportet e Kosovës, Serbia e cila është pjesë e CEFTA-s, mbetet njëri ndër partnerët kryesorë,  me 21.5%. Pas Serbisë renditen Shqipëria 12.8%, Maqedonia (11.5%) dhe Mali i Zi (6.3%).

Eksporti i mallrave në muajin korrik kishte vlerën 38,3 milion €, ndërsa importi 275,3 milion €, është një rritje prej (26.2%) për eksport si dhe prej (14.3%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Kosova është bërë pjesë e marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) në vitin 2007.

Njohësit e ekonomisë e quajnë dështim anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Sipas tyre, me këtë anëtarësim, Kosova nuk ka përfituar ashtu siç është parashikuar.

Ndërsa bizneset janë ankuar shumë herë për ndikim jo të mirë të CEFTA-s në afarizmin e tyre, pasi kjo ka çuar në rritjen e shpenzimeve dhe koston e transportit të mallrave që i eksportojnë. (r.m.)

Comment

*