Serbia nuk e do heqjen e tarifës

Ruben Avxhiu

Vërtet është duke humbur miliona po ka fituar diçka që nuk ka mundur ta blejë dot me para e as që mund ta kishte ëndërruar për tre dekada, një çarje të fortë mes Amerikës dhe Kosovës

 

Kur qeveria Haradinaj vendosi tarifën ndaj mallrave serbe e boshnjake, ajo e tërboi Beogradin. Ishte gati komike të shihje Vuçiqin që fliste sikur kishte dalë mendsh. Shfryrjen e tij dhe të ministrit të Jashtëm Daçiq si të ndërkryer nga lëvizja e papritur e Kosovës.
Mbi të gjitha nuk duronin dot që ishin kapur në befasi. Për javë, në mos muaj të tërë, kishin shijuar bërjen publike të një sërë frytesh të një diplomacie dinake e imorale, me ndihmën e Rusisë, për të blerë disa deklarata anullimi njohjesh nga vende, njohjet e të cilave asnjëherë nuk kishin qenë vendimtare. Fitoret në UNESCO e në Interpol, mbase të arritura për shkak të rënies së angazhimit amerikan, në të gjitha aspektet gjatë administratës të Presidentit Trump.
Po kjo lëvizje nga Ramush Haradinaj ua fshiu sakaq gëzimin e festës. Në fjalët e vetë udhëheqësve të Beogradit, Serbia ishte turpëruar rëndë në sytë e botës. Edhe në opinionin publik serb u harruan fitoret qesharake diplomatike të Serbisë, ndërsa alarmizmi për tarifën u bë ngjarja e ditës.
Tarifa gëzoi ndërkohë një popullaritet të jashtëzakonshëm në mbarë Kosovën, si dhe te të gjithë shqiptarët ku jetojnë. Një letër shpjeguese nga qeveria Haradinaj sqaronte bukur arsyet ligjore dhe teknike të vendosjes së tarifës.
Që prej asaj kohe, për diplomacinë serbe, tarifa ka mbetur çështja kryesore që diskutohet.
Mirëpo, me kalimin e kohës, duket se Serbia, pavarësisht retorikës alarmante, po fillon të shijojë situatën e re.
Të gjithë e dimë se kur vesh serbi kostumin e viktimës nuk e heq deri sa të bëhet zhele. Beogradi ka kaq shumë detyra pa realizuar sa në momentin që do të mbyllet puna e tarifës, rifillon pjesa e bezdisur e dhënies së llogarisë.
Vuçiq e qeveria e tij kukull po përballen me protesta masive. Tarifa është dordoleci me të cilin po ia zhvendosin vëmendjen opinionit publik. Vuçiq beson se nacionalistët që u janë bashkuar liberalëve nga inati i një marrëveshjeje të mundshme me presidentin Thaçi, mund shohin te tarifa një sinjal se beteja po vazhdon, se presidenca e qeveria serbe janë ende në betejë me Kosovën.
Po më e rëndësishmja, për herë të parë një çarje mes Kosovës dhe Shtetetve të Bashkuara është bërë publike. SHBA majde ka shtrënguar situatën duke anuluar vizita zyrtare,e duke ngrirë programe pune e financime për Kosovën.
Për tarifën, kryeministri Haradinaj nuk ka fituar dot mbështetje as në BE. Nuk do të ndihmojnë këtu as deklarata të papërgjegjshme si ajo që e shpall Mogherinin, “armike të Kosovës”, një dhuratë e panevojshme për kundërshtarët e Kosovës në BE, e sidomos për Beogradin. BE sigurisht i ka duart e lidhura nga pesë vende anëtare që refuzojnë ta njohin Kosovën, po Brukseli ka qenë dhe mbetet në krahun e pavarësisë. Shumica e bllokut, 23 anëtarë janë me Kosovën. Po kështu është parlamenti European, dhe institucionet e BE-së. Ki inat personin, por respekto institucionin. Denoncimin e “armiqve të Kosovës”, Haradinaj duhet t’ia lërë ndonjë gazetari opinionist, ose të paktën ndonjë zyrtari me rang të ulët.
Çfarë do të fitonte vërtet Serbia, në këtë pikë nga heqja e tarifës? Plani ishte veç të tjerash që t’ia hiqnim ato qindra miliona që i përdor kundër Kosovës. Po ironia është që Haradinaj e arriti pjesën e suksesit me tarifën, tani ka filluar pjesa e çmimit politik që paguhet për suksesin.
Serbia vazhdon ta ngrejë zërin në kupë të qiellit kundër tarifës, po tërbimi i sinqertë është kthyer në teatër.
Sepse, vërtet është duke humbur miliona po ka fituar diçka që nuk ka mundur ta blejë dot me para e as që mund ta kishte ëndërruar për tre dekada, një çarje të fortë mes Amerikës dhe Kosovës.
Në një letër dërguar Vuçiqit, me rastin e festën kombëtare serbe, Presidenti Donald Trump bëri thirrje për një marrëveshje që sjell njohjen e Kosovës nga Serbia. Vuçiq duket se ka premtuar që mund ta sigurojë aprovimin e serbëve për këtë mbyllje historike të konfliktit. Shanset janë që serbët nuk janë gati, po në këtë pikë Vuçiqi mund të premtojë çdo gjë, sa kohë që mund të fshihet mbas tarifës.
Sa të jetë tarifa, e ka gjetur justifikimin. E ka lënë topin në fushën e Kosovës.
Haradinaj ka vetëm një zgjidhje këtu. Të bindë amerikanët dhe BE-në se tarifa është e drejtë dhe duhet mbajtur. Një ndihmë e mundshme do të ishte që të arrinte të bindte Hashim Thaçin, aleatët në qeveri dhe opozitën që të bashkoheshin në një deklaratë të përbashkët në favor të tarifës. Se pse duhet të binden amerikanët për tarifën nëse ka parti e politikanë në Kosovë që janë gati të heqin dorë prej saj?
Në shkëmbim, Haradinaj mund të hiqte dorë nga deklaratat refuzuese për punën e kufirit. Ka kohë ta refuzojë nëse del ndonjë propozim konkret. Për momentin është thjesht konflikt mes tij dhe Thaçit.
Sigurisht edhe nëse Thaçi del me flamur në përkrahje të tarifës dhe kundër heqjes së saj, përsëri vështirë të binden amerikanët e europianët, po të paktën Kosova forcon qendrimin e saj.
Ndërkohë, lotët e krokodilit në Beograd do të vazhdojnë rrëkenë e tyre. Po është e gjitha shfaqje. Serbia e dashuron tarifën.
Sikur të votohej në sesionin e fundit të Këshillit të Sigurimit, rezultati do të kishte dalë 15-0 në favor të heqjes së tarifës. Serbia humbi frekuencën e mbledhjeve për Kosovën, po ka gjetur një ankesë që si rrallë herë në histori bën bashkë SHBA-në, BE-në, Rusinë, Kinën dhe larminë e anëtareve të tjera. Të gjitha një e nga një i kërkuan Kosovës që ta heqë tarifën.
Beteja për Kosovën është një betejë mes dy aleancave të mëdha. Kjo ka pasur kosto, sepse kemi një kundërshtar të madh si Rusia, po nga ana tjetër, e vetmja superfuqi dhe demokracia më e madhe në botë është në anën tonë. Po ashtu edhe aleanca më e fuqishme ushtarake në histori (NATO), si dhe blloku i shteteve më i pasur (BE). Kjo epërsi që kemi na ka detyruar shpesh të bëjmë kompromise që nuk na kanë pëlqyer. Po alternativa do të ishte tragjike. Nëse Kosova nuk arrin të bindë aleatët për tarifën, ajo duhet të hiqet. Pikë. Të paktën ta ngrijmë tarifën ndërkohë që fillojmë fushatën për të krijuar pak mbështetje ndërkombëtare për këtë punë.
Vuçiq u tërbua kur u vendos tarifa. Le ta tërbojmë përsëri duke ia hequr tani që filloi t’i shijojë.

A duhet hequr taksa si kerkon SHBA?

Loading ... Loading ...

Comment

*